E Diel, 1 Nëntor 2026

Telefonia në zonat rurale, 51 operatorë të licencuar ofrojnë shërbime



Ervin Koçi

Tregu i telekomunikacioneve në vend, edhe pse në pamje të parë duket sikur mban pozita monopol, kjo për shkak të çmimeve të kripura, përsëri ai ka nisur hapjen e tij. Kjo gjë mund të shihet qartë në tregun e operatorëve lokalë ose ruralë, të cilët gjithsesi ofrojnë shërbimin e tyre në këtë sektor. Përdorimi i këtyre shërbimeve të reja në fushën e telekomunikacionit ka rritur numrin e bizneseve që operojnë në këta sektorë, çka ka ndikuar në liberalizimin e tregjeve si dhe zgjerimin e rrjetit të konsumatorit. Sipas burimeve zyrtare të Entit Rregullator të Telekomunikacioneve (ERT), deri tani ka arritur në 51 numri i operatorëve të licencuar për ofrimin e shërbimit telefonik në zonat rurale, ku kanë munguar lidhjet telefonike. Operatorët ruralë shtrihen nga veriu në jug të vendit, por pjesa kryesore e tyre shtrihet në zonën perëndimore dhe lindore ku dhe dendësia e popullsisë është më e madhe. Ndërsa në shërbimin e kartave me parapagim, një shërbim që ka ardhur në rritje të ndjeshme për shkak të lehtësisë që ofron në çmime më të ulëta se telefonia fikse, deri tani janë licencuar 14 subjekte private, kryesisht me qendër në Tiranë. Sipas burimeve të mësipërme, rritje të dukshme ka marrë dhe shërbimi i internetit, ku deri tani janë licencuar 25 subjekte private, prej të cilave 11 operojnë me licenca kombëtare, me shtrirje të gjerë gjeografike.

Tarifat e telefonisë

Këshilli i Ministrave miratoi dy ditë më parë propozimin e Entit Rregullator të Telekomunikacioneve për uljen e tarifave të telefonisë. Sipas këtij vendimi, deri në fund të këtij viti tarifat e telefonisë do të ulen deri në 20 për qind, gjë që do të bëjë që shqiptarët do të nisin të paguajnë më pak para për bisedat telefonike si në celular ashtu edhe në telefonat fiks. Sipas propozimit të ERT-së në fund të vitit 2008 tarifat e telefonisë do të ulen në masën 20 për qind, ulje kjo e cila do të vazhdojë edhe në vitin e ardhshëm. Për të gjitha kompanitë e telefonisë fikse por edhe ato mobile tarifat e shërbimit në vitin 2009 duhet të ulen në masën 39 për qind.

Liberalizimi i tregut

Disa kohë më parë, në një tjetër mbledhje, qeveria lajmëroi hyrjen në treg të kompanive të tjera të telefonisë ku është përmendur edhe futja në treg e operatorit të katërt celular. Po kështu, qeveria ka kërkuar edhe aplikimin e tarifave të veçanta për abonentët në administratën shtetërore, gjë e cila do të bëhet nëpërmjet një tenderi të hapur. Sipas vendimit të qeverisë, për kompaninë celulare Vodafone dhe AMC caktohet si vlerë maksimale të tarifës së thirrjeve në rrjetin celular periudha e parë 11.95 lekë/minuti dhe periudha e dytë 10.50 lekë për minutë. Po kështu edhe për operatorin e tretë celular “Eagle Mobile” do të aplikohen tarifa të njëjta, edhe pse krerët e këtij të fundit kanë deklaruar se kjo kompani do të mbajë për abonentët shqiptarë tarifa deri në 25 për qind më të lira se operatorët e tjerë. Këto vendime do të jetë në fuqi për një vit dhe do të ndjehen vetëm në fund të vitit 2009. Ndërsa për Albtelekomin do të hyjnë në fuqi këto tarifa të ndara në katër periudha për segmentin lokal përkatësisht, 0.92, 0.84, 0.77 0.70 lekë për minutë, për të katër periudhat. Për segmentet njëfish për katër periudhat tarifat do të jenë 1.81, 1.52, 1.27 dhe 1.06 lekë për minutë, ndërsa për segmentin dyfish tarifat do të jenë 2.30, 2.01, 1.76 dhe 1.54 lekë për minutë, në një kohë që vendimi do të jetë në fuqi për dy vjet.

20 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›