Kriza, Arabia Saudite premton rritjen e prodhimit të naftës
Çmimi i naftës i afrohet kufirit të 140 USD për fuçi ndërsa Arabia Saudite deklaron se do të rrisë prodhimin. Çmimi i naftës u rrit papritur dy ditë më parë duke arritur një rekord të ri prej 139,89 dollarë për fuçi në bursën ndërkombëtare të Nju Jork-ut. Shkak për rritjen më të fundit konsiderohet ndërprerja e prodhimit në Norvegji dhe rënia më e re e dollarit, disa ditë përpara një takimi në Arabinë Saudite mes vendeve konsumatore dhe prodhuese. Fuçia e brentit, që kuotohet në Londër kapi gjithashtu një rekord të ri prej 139,32 dollarësh. Ky rekord i dyfishtë historik tejkalon rekordin e fundit historik që u shënua më 6 qershor kur Nafta arriti 139,12 dollarë në Nju Jork dhe 138,12 dollarë në Londër. Ndërkohë Arabia Saudite ka premtuar se do të rrisë prodhimin e naftës me 200,000 fuçi në ditë duke filluar që në muajin korrik. Një hap i tillë e çon në 550,000 fuçi ose 6 për qind naftë bruto më shumë se ajo e hedhur në treg gjatë muajit maj. Pavarësisht nga rritja e beftë e çmimit dy ditë më parë në bursa, një hap i tillë i ndërmarrë nga Mbretëria Saudite pritet të çtensionojë tregun e njëkohësisht të frenojë spekulimet në shitjen me pakicë të hidrokarbureve.
20 Qershor 2008