E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deklarimet tatimore, 1021 subjekte në Tiranë përdorin sistemin elektronik



Gjatë periudhës janar-maj të vitit 2008, rreth 1021 tatimpagues në Tiranë përdorën sistemin elektronik për deklarimin e detyrimeve të tyre tatimore. Sipas burimeve zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, gjatë 5-mujorit të parë të vitit përfunduan procesin e regjistrimit për të kryer deklarimin elektronik 6.868 tatimpagues të degës së tatimpaguesve të Tiranës dhe 376 tatimpagues të degës së tatimpaguesve të mëdhenj. Administrata Tatimore, për të siguruar zbatimin vullnetar të legjislacionit tatimor, ka si synim zhvillimin e partneritetit, transparencës dhe eliminimin e korrupsionit. Shërbimet elektronike ofrohen tashmë edhe në degët e tatimeve në Durrës, Elbasan, Vlorë, Korçë, Fier, Lezhë, Shkodër, Berat dhe Lushnjë.

Panairi, sot në Tiranë "Ditët Strugane të Turizmit – Verë 2008"

Ambasada e Republikës së Maqedonisë në Tiranë dhe Bashkia e Strugës në Republikën e Maqedonisë do të organizojnë sot në Tiranë prezantimin e “Ditëve Strugane të Turizmit - Verë 2008". Ambasada e Republikës së Maqedonisë në Tiranë bëri të ditur se, “ky prezantim ka për qëllim jo vetëm promovimin e turizmit strugan, por dhe të vlerave turistike që ofron Struga, një qytet tipik turistik i shtrirë buzë liqenit të Ohrit dhe lumit të Drinit të Zi. Operatorët turistikë, gjatë këtij aktiviteti do të paraqesin materiale audiovizuale, si dhe do të shpërndajnë për të pranishmit botime të ilustruara mbi turizmin strugan. Struga, vetëm 5 km larg pikës së kalimit kufitar të Qafë Thanës në Pogradec, në juglindje të vendit, ka një kapacitet pritës prej rreth 20 mijë turistë në ditë (janë 10 mijë shtretër në hotele dhe 10 mijë shtretër në turizmin familjar)". Statistikat maqedonase vërejnë se, shqiptarët zënë vendin e dytë në numrin e përgjithshëm të turistëve të huaj që vizitojnë Strugën. Në aktivitetin "Ditët Strugane të Turizmit - Verë 2008" pritet të marrë pjesë ambasadorja e Republikës së Maqedonisë në Tiranë, Blagorodna Mingova-Krepieva, kryetari i Bashkisë së Strugës, Ramiz Merko, përfaqësues nga Ministria Shqiptare e Turizmit, operatorë turistikë nga Maqedonia dhe Shqipëria, si dhe të ftuar të tjerë. Prezantimi i "Ditëve Strugane të Turizmit - Verë 2008” zhvillohet për të pestin vit radhazi në Tiranë, duke u kthyer tashmë në një traditë, për zhvillimin e turizmit mes dy vendeve.

20 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›