Antidroga vë në pranga tre persona për tregtim narkotikësh
TIRANË - Specialistët e Antidrogës së Tiranës kanë arrestuar në flagrancë tre persona gjatë ditës së djeshme për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike. Policia e Tiranës ka njoftuar se është vënë në pranga shtetasi Andi Kotorri, 23 vjeç, lindur në Vlorë dhe banues në Tiranë, të cilit pas një kontrolli të imtësishëm i është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale rreth 3.5 gr bimë e dyshuar si lëndë narkotike e llojit Canabis sativa. Ndërkohë nga i njëjti seksion janë arrestuar edhe dy të rinj, ushtarë në repartin 1200 në Zall Herr me po të njëjtën akuzë. Ata janë Indrit Plaku 21 vjeç nga Elbasani dhe Mentor Gjura 23 vjeç. Të dy këtyre personave iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 12.9 gr bimë e dyshuar narkotike e llojit Canabis sativa. Materialet procedurale në ngarkim të tre të arrestuarve i kaluan Prokurorisë për veprën penale të prodhimit dhe shitjeve të lëndëve narkotike.
Kryeprokurorja Rama, vizitë zyrtare në Itali
TIRANË - Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, është nisur dje për një vizitë zyrtare në Itali, bënë të ditur për gazetën burime zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme. Gjatë kësaj vizite disaditore, kryeprokurorja Rama do të zhvillojë takime me drejtues të lartë të organeve të Drejtësisë në Itali dhe temat që do të trajtohen kryesisht janë çështjet e bashkëpunimit mes dy shteteve në kuadër të luftës kundër kriminalitetit. Gjithashtu, prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, do të marrë pjesë edhe në një seminar që do të organizohet nga Prokuroria Italiane. Sipas burimeve zyrtare, gjatë vizitës në shtetin fqinj, kryeprokurorja Rama shoqërohet nga disa prokurorë dhe anëtarë të stafit të saj. Vizita e delegacionit të lartë të Prokurorisë së Përgjithshme në shtetin italian bëhet me ftesë të drejtuesve të Prokurorisë Italiane.
Maskat i grabisin 2.5 milionë lekë punonjësit të kazinosë
ELBASAN - Një person i maskuar dhe i armatosur ka grabitur në mes të qytetit të Elbasanit përmes dhunës punonjësin e një kazinoje. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në afërsi të vendit ku është i vendosur monumenti i Konstantin Kristoforidhit, përgjatë bulevardit kryesor të këtij qyteti. Personi i maskuar dhe i armatosur, pasi ka ndalur punonjësin e kazinosë në mëngjesin e djeshëm, ka arritur ti zbrazë çantën me paratë e xhiros së natës, rreth 2.5 milionë lekë, dhe më pas është larguar bashkë me paratë me një makinë pa targa. Burimet policore pohojnë se “grabitja ka qenë e parapërgatitur dhe mjaft e organizuar”. Sipas bluve të Elbasanit, po hetohen disa pista të kësaj grabitje por dyshimi më i madh është që autor i saj të jetë ndonjë klient i kësaj kazinoje i cili mund të ketë humbur shuma të mëdha gjatë ditëve të fundit.
Sezoni, linjë treni çdo një orë, Tiranë-Durrës
DURRËS – Të paktën edhe 6 trena udhëtarësh janë shtuar në linjën Tiranë-Durrës, duke ofruar udhëtim çdo një orë mes Tiranës dhe Durrësit, për t’iu ardhur në ndihmë pushuesve gjatë sezonit të verës. Burimet zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Hekurudhave bëjnë të ditur se edhe tre çifte trenash të tjerë do t'i shtohen brenda këtij muaji linjës hekurudhore Durrës-Tiranë e kthim, duke u ardhur në ndihmë udhëtarëve si dhe pushuesve kryeqytetas. Aktualisht, në këtë segment hekurudhor lëvizin 6 çifte trenash për udhëtarët, ndërsa që nga fundi i muajit qershor kapaciteti i saj do të rritet me 50 për qind. Sipas burimeve, vendimi i HSH-së pritet të marrë këto ditë miratimin e Ministrisë së Transporteve.
Dënohet me gjobë mjekja për vdekjen e foshnjës
KORÇË - Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë shpalli dje fajtore mjeken pediatre Zhaneta Babliku, e cila u akuzua nga prindërit e një foshnje për mjekim të pakujdesshëm. Sipas vendimit Babliku u dënua vetëm me 150 mijë lekë gjobë. Dy vjet pas ngjarjes në Spitalin Pedaitrik të Korçës ku gjeti vdekjen foshnja 1-vjeçare K. Ll., nga fshati Sul i Devollit, organet e drejtësisë kanë siguruar prova të mjaftueshme për të gjetur fajësinë tek bluzat e bardha. Pas një maratone seancash gjyqësore, mjekja Zhaneta Babliku, sipas drejtësisë, ka rezultuar fajtore për vdekjen e foshnjës 1-vjeçare K.Ll., pasi nga ana e ekspertizave mjeko-ligjore dhe specialistëve pediatër nga kryeqyteti që kanë dëshmuar në seancat gjyqësore, mund të ndërhynte në kohë për të shpëtuar foshnjën.
12 Qershor 2008