E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria cakton shitjen e 76 për qind të OSSH-së te investitori strategjik



Këshilli i Ministrave vendosi dje që madhësia e paketës shtetërore të aksioneve të kapitalit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), që do t'u afrohet investitorëve strategjikë, të jetë në masën 76 për qind. Ky vendim mbështetet në nenin 100 të Kushtetutës, të nenit 7, të Ligjit nr.8306, datë 14.3.1998, “Për strategjinë e privatizimit të sektorëve me rëndësi të veçantë”, dhe të neneve 3, 7, 8, 9, të ligjit nr. 9889, datë 20.03.2008, “Për përcaktimin e formës dhe të strukturës së formulës së privatizimit të shoqërisë anonime "Operatori i Sistemit të Shpërndarjes", (OSSH)”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Këshilli i Ministrave miraton paketën e aksioneve për privatizimin e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së KESH-it. Kryeministri Berisha e konsideroi këtë vendim, pas përfundimit me sukses të privatizimit të kompanisë “ARMO”, hapin e dytë të rëndësishëm në procesin e privatizimeve në sektorët strategjikë. “Pas privatizimit me sukses të plotë të një prej sektorëve madhorë strategjikë të vendit, ARMO-s, që u privatizua me një vlerë 13 herë më të lartë sesa oferta që i ishte bërë qeverisë së mëparshme, ne ndërmarrim hapim e dytë madhor në privatizimin e sektorit të shpërndarjes së energjisë elektrike”- u shpreh Kryeministri. Kryeministri tha se privatizimi i Operatorit të Shpërndarjes të KESH-it do të ketë ndikim shumë të madh në menaxhimin e këtij sektori, plotësimin e nevojave të furnizimit me energji elektrike dhe në liberalizimin e tregut. “Ky hap bën të mundur liberalizimin real të tregut, inkurajon shumë më tepër këtë proces dhe për rrjedhojë, ndihmon shumë në plotësimin e nevojave të qytetarëve me energji elektrike. Privatizimi i shpërndarjes i jep mundësi angazhimit të investimeve private në modernizimin e këtij sektori, i domosdoshëm për rritjen e standardeve të furnizimit me energji elektrike”, - tha Berisha.
Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC), dega tregtare e Bankës Botërore, janë konsulenti i përzgjedhur për këtë proces ku që prej më shumë se një viti, kanë bërë një punë voluminoze për parapërgatitjen e privatizimit të shpërndarjes së energjisë elektrike. Duke shprehur bindjen se me këtë privatizim bëhet një tjetër hap madhor në procesin e privatizimeve, Kryeministri Berisha theksoi se paralelisht me këtë proces, shkon edhe privatizimi i kompanisë INSIG, ku bashkëpronar me shtetin shqiptar janë edhe dy banka të mëdha, të cilat, gjithashtu, janë gati për privatizim. Në garë për privatizimin e OSSH, janë kompanitë “EVN”, “CEZ”, “ENEL” dhe "Stetmarker Energy", të cilat në fillim të muajit Shtator, do të paraqesin në ministri ofertat e tyre.

12 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›