Siguria për kredinë, shtrëngohen procedurat e përfitimit
BSH-ja ka vendosur të forcojë rolin e saj në drejtim të kontrollit të kredive, duke krijuar një njësi të specializuar, e cila do të fokusohet në trajtimin e çështjeve të stabilitetit financiar dhe krijimin e raportit të kredimarrësit. Sipas BSH-së, raporti për kredimarrësin i krijon mundësinë bankave të njihen me historikun e shlyerjes së kredive të një kredimarrësi, duke i ndihmuar ato të marrin vendime më të mira në lidhje me kredidhënien. Nëpërmjet raportit për kredimarrësin, banka njihet me ekspozimin e aplikantit në sektorin bankar dhe është në gjendje të vlerësojë sasinë e detyrimeve të tij financiare, garancitë dhe besueshmërinë e tij. Nga të dhënat e BSH-së rezulton se kredia për bizneset është rritur me mbi 50 për qind, duke arritur në një nivel prej 16 për qind të PBB-së. Sipas këtij raporti, kredia për individët, ndonëse zë një pjesë më të vogël të portofolit të përgjithshëm, ka vazhduar të rritet me rreth 70 për qind në terma vjetorë.
Privatizimi i ARMO-s, kryeministri Berisha i kënaqur për shitjen
Një ditë pas prezantimit në një konferencë për shtyp të pronarëve të rinj amerikano-zviceranë të kompanisë së naftës “ARMO”, këtë proces e ka përshëndetur edhe kryeministri i vendit, Sali Berisha. Ai e ka cilësuar privatizimin e gjigantit “ARMO” nga konsorciumi “Refinery Associates of Teksas, Mercuria Energy Group Ltd, Anika Enterprises Sa”, si tepër të suksesshëm. Sipas Berishës, “ARMO u shit 13 herë më shumë se oferta që i ishte bërë qeverisë së mëparshme”. Në këtë mënyrë, kryeministri Berisha, e ka deklaruar dje si të përmbyllur me sukses privatizimin e kompanisë “ARMO”, duke shtuar se shpejt do të nisë edhe procesi për privatizimin e INSIG-ut. Ndërkohë një komision nga parlamenti shqiptar do të inspektojë për 3 ditë me radhë mënyrën se si është kryer reforma në kompanitë e naftës “ARMO” dhe “Alpetrol”. Në takimin e Drejtorisë së “Alpetrolit” me deputetë të majtë e të djathtë në ambientet e kompanisë në Fier, nuk është ftuar të jetë prezent asnjë naftëtar. Programi i paraqitur nga të pranishmit në këtë takim ka parë të arsyeshme të vendos afatin 3 ditori për rishikimin e listave dhe kritereve që kanë çuar në largimin nga puna të pjesës dërrmuese të naftëtarëve fierakë. Mmësohet se objekt i kontrollit parlamentar në kompaninë naftënxjerrëse shqiptare do të jenë mënyra e kryerjes së reformës në dy kompanitë, “ARMO” dhe “Albetrol”. Në komision Kuvendi i Shqipërisë ka dërguar deputetin e PD-së, Ilir Bano, dhe Fatmir Xhindin, si dhe Pilo Kërrin e Flamur Hoxhën nga PS-ja.
12 Qershor 2008