Kryeministri Berisha: “Do të liberalizojmë tregun e telekomunikacioneve”
Brenda muajit hapet procesi i parakualifikimit për licencat e reja në frekuencat e ulëta në fushën e telekomunikacioneve në vend. Këtë lajm e ka bërë dje të ditur gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, kryeministri Berisha, i cili tha se “brenda këtij muaji hapet procesi i parakualifikimit për licencat e reja në frekuencat e ulëta dhe të shkurtra për operatorë të rinj në fushën e telekomunikacionit”. Kryeministri theksoi se, ky vendim synon liberalizimin dhe ridimensionimin e tregut të telekomunikacioneve në vend. “Të gjitha këto, teknologjia wimax, synon liberalizimin e madh dhe ridimensionimin e këtij tregu shumë të rëndësishëm. Ligji i komunikimeve elektronike është ligji më i azhurnuar dhe modern, me parimet më bashkëkohëse që i mundëson këto procese”, - tha Berisha. Kryeministri kërkoi dhe nga ministri i Transporteve, Punëve Publike dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, hapjen e tenderit për përzgjedhjen e operatorit të telefonisë celulare që do të ofrojë shërbimin më të lirë për administratën shtetërore. “Është e domosdoshme hapja e tenderit për përzgjedhjen e operatorit të telefonisë celulare për abonimin e administratës shtetërore. Kompania që do të ofrojë çmimin më të leverdishëm do të ketë abonentë të gjithë punonjësit e administratës që dëshirojnë”, - u shpreh Kryeministri Berisha. Kryeministri propozoi që në paketën e abonimit për administratën të përfshihen dhe ndërmarrjet e tjera publike, korporatat, pushteti vendor etj.
12 Qershor 2008