E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreditë e keqija, nga 350 mije subjekte, 90 mije me probleme

BSH, e alarmuar për nivelin e lartë të kreditimit. Portofoli me probleme shtohet me 25.2 për qind

Ervin Koçi

Fillimi i vitit 2008 ka ardhur me jo pak probleme për sistemin bankar shqiptar, ku përveç rënies së aktivitetit bankar, janë shtuar ndjeshëm edhe kreditë me probleme. Sipas burimeve nga disa banka private, mësohet se “numri i kredimarrësve, subjekte dhe individë, është më i lartë se 350 mijë, ndërsa shuma në para kap disa miliardë euro”. Dinamika e portofolit të kredive sipas monedhave në tremujorin e parë të këtij viti ka shënuar një rritje relative thuajse 2 herë më të lartë, të kredisë në monedhë të huaj kundrejt asaj në monedhën vendase. Kjo gjë duket se ka alarmuar Bankën e Shqipërisë, e cila në mbledhjen e Këshillit Mbikëqyrës të saj ka tërhequr sërish vëmendjen për bankat private, si dhe ka kërkuar shtrëngimin e masave të kontrollit dhe zvogëlimin e portofolit të kredive. Dinamika e portofolit të kredive sipas monedhave këtë tremujor ka një rritje relative thuajse 2 herë më të lartë të kredisë në monedhë të huaj kundrejt asaj në monedhën vendase. Sipas raportit të BSH-së, bëhet e ditur se, gjatë këtij tremujori, kredia në monedhën vendase u rrit me 3.8 miliardë lekë, ose me 4.74 për qind, ndërkohë që kredia në monedhë të huaj shënoi rritje me rreth 17.1 miliardë lekë ose rreth 8 për qind. Analiza e dinamikës së strukturës të portofolit të kredive konstaton një ritëm më të lartë rritjeje për portofolin e kredive dhënë individëve, me 7.94 për qind, kundrejt rritjes së portofolit të kredive dhënë bizneseve, me rreth 6.55 për qind. Ky tremujor prezanton rritjen e kredisë akorduar sektorit publik me 13.3 për qind, në krahasim me tremujorin e mëparshëm, bënë të ditur burime të BSH-së.

Zmadhimi i portofolit

Që nga 1 janari i këtij viti, kur u vu në funksionim regjistri i kredive, deri tani rezultojnë 231.229 kredi të regjistruara, ku përfshihen të dhëna për kredimarrësit, personat e lidhur dhe kolateralet e vëna si garanci për kthimin e kredisë etj. Deri tani në gjykatë mësohet se nga bankat private janë ngritur mbi 400 padi për persona të cilët kanë kryer shkelje në lidhje me procesin e likuidimit të kredive. Sipas BSH-së, regjistri i kredive është një mekanizëm që vendos në një nivel më të drejtë treguesin rrezik-fitim që merr përsipër sektori bankar gjatë kreditimit të shpejtë, pra për të shpërndarë më mirë në kohë rrezikun e moskthimit të kredisë dhe për të zgjeruar mbrojtjen e nevojshme financiare për sektorin bankar. Aktualisht në këtë regjistër janë të regjistruar si kredimarrës 221.186 persona fizikë dhe 10.043 persona juridikë, ndërkohë që shuma totale e kredisë llogaritet në 329.206.104.790 lekë.

Kredia me probleme

Tremujori i parë i vitit 2008, sipas BSH-së, shënoi një rritje të portofolit të kredive me probleme të sistemit bankar me 25.2 për qind nga 12.2 për qind, që ishte rritja e këtij treguesi për tremujorin e mëparshëm. Treguesi që mat cilësinë e kredive të sistemit (i llogaritur mbi baza bruto dhe që sipas standardeve përfshin kreditë e klasifikuara si “nënstandard”; “të dyshimta” dhe ”të humbura”), prezantohet i përkeqësuar në tremujorin e parë të vitit 2008, në nivelin 3.92 për qind nga 3.36 për qind në fundvitin 2007. Treguesi “Fonde rezervë për kreditë me probleme” tregon për përkeqësim të strukturës së kredive me probleme drejt klasave më të ulëta të klasifikimit dhe konfirmon rritjen e mëtejshme të kredive me probleme. Treguesi përllogaritet në nivelin 48 për qind nga 47.2 për qind, në fund të tremujorit të katërt të vitit 2007.

12 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›