E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia: “Arrestimi i Ben Qimes është plotësisht ligjor”

Krerët e Policisë mohojnë mundësinë e lirimit të Arben Isufajt. “Nuk ka asnjë vendim gjykate që ka pushuar masën e arrestit”

Habjon Hasani

Tiranë - Për krerët më të lartë të Policisë shqiptare arrestimi u bujshëm i Arben Isufajt është totalisht ligjor. Disa drejtues të lartë të Policisë së Shtetit kanë deklaruar për “Albania”-n se nuk ka pasur asnjë takim mes përfaqësive të Policisë dhe asaj të Gjykatës së Lartë lidhur me këtë çështje. Dje në media qarkulloi informacioni se Gjykata e Lartë kishte pezulluar masën e arrestit ndaj të kërkuarit Arben Isufaj. Por edhe në arkivin publik të kësaj gjykate lidhur me implikimin e Isufajt në vrasjen e Piro Koçiut në vitin 2002 ekziston vetëm një vendim, i cili nuk flet aspak për pezullimin e masës së arrestit. “Nuk ka pasur takim mes Policisë dhe ndonjë përfaqësie të Gjykatës së Lartë për këtë çështje. Ju mund të verifikoni se Isufaj është i shpallur të paktën prej tetë muajsh në kërkim publikisht në faqen e Interpolit. Vrasja e shtetasit Piro Koçiu në vitin 2002 është rishqyrtuar në kuadër të zbardhjes së dosjeve të vjetra dhe para disa muajsh Isufaj është shpallur në kërkim si një nga autorët e kësaj vrasjeje”, - i deklaroi dje “Albania”-s një nga drejtuesit kryesorë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. Krerët e uniformave blu janë të sigurt se nuk mund të ketë pasur një vendim të tillë në kushtet kur ka pasur një bashkëpunim intensiv mes Policisë dhe prokurorit të çështjes për arrestimin e Isufajt. “Është e pamundur, do të ishim sinjalizuar menjëherë pas marrjes së këtij vendimi, gjithë të tjerat janë llafe në hava”, - deklaroi për “Albania”-n zyrtari i lartë.
Vendimi
Vendimi më i fundit i Gjykatës Kushtetuese për vrasjen e shtetasit Piro Koçiu daton më 4 tetor 2006. Ky vendim është marrë pas një ankese të ish-prokurorit të çështjes dhe avokatit të Isufajt, ku që të dy kërkonin që shtetasit Arben Isufaj dhe Erion Dani të gjykoheshin veçmas shtetasit Fatlum Kadia, ndërsa pjesëmarrja e këtij të fundit në vrasje ishte vërtetuar shkencërisht. Gjykata e Shkallës së Parë dhe ajo e Apelit e kishin hedhur poshtë pretendimin e prokurorit dhe të avokatit. Të njëjtën gjë bëri edhe Gjykata e Lartë, e cila ka çmuar se “çështja penale kundër tyre nuk mund të ndahet. Ndarja e çështjeve është sanksionuar në nenin 93 të Kodit të Procedurës Penale. Sipas pikës 1 të kësaj dispozite, ndarja e çështjeve vendoset vetëm kur nuk dëmtohet vërtetimi i fakteve. Si Gjykata e Faktit dhe ajo e Apelit kanë konkluduar se çështja kundër të pandehurve nuk mund të ndahet se dëmtohet zbulimi i së vërtetës. Me këtë konkluzion pajtohet edhe Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë. Nuk mund të ndahet çështja duke kërkuar deklarimin fajtor të bashkëpunëtorit në rolin e ndihmësit dhe tërheqjen e akuzës për bashkëpunëtorët në rolin e ekzekutorit. Tërheqja e akteve për njërin prej të pandehurve që akuzohet për vrasje në bashkëpunim e ndan çështjen në mënyrë artificiale. Kjo ndarje do të ndikonte drejtpërsëdrejti edhe në qëndrimin që duhej mbajtur ndaj dy të pandehurve të tjerë dhe do të dëmtonte direkt vërtetimin e faktit të vrasjes së viktimës Piro Koçiu”, - konkludon gjykata. Sa më sipër, vendimi i Gjykatës së Lartë është shumë i ndryshëm nga ai i pushimit ë masës së arrestit.
Arrestimi
Edhe pse kishte ndryshuar rrënjësisht krahasuar me fotot që disponon Policia e Shtetit, i tmerrshmi Arben Isufaj, ose i njohur me nofkën “Ben Qimja”, nuk ka mundur t’u shpëtojë prangave policore dy ditë më parë. Tashmë i shumëkërkuari duhet të përgjigjet për mjaft vepra penale të dokumentuara dhe sidomos për një vrasje të kryer në vitin 2002. Pas informimit të saktë uniformat blu të Tiranës kanë organizuar një operacion të shpejtë për kapjen e të shumëkërkuarit. Pas lokalizimit të vendndodhjes së “Ben Qimes” është rrethuar zona dhe janë vendosur postblloqe në të gjitha vendkalimet. Në këtë operacion janë angazhuar thuajse të gjithë efektivat policorë të Tiranës, pasi Arben Isufaj konsiderohej person me të shkuar kriminale dhe mjaft i rrezikshëm. “Ben qimja”, i cili duket se e ka ndier rrezikun e një arrestimi të mundshëm, tentoi të largohej me vrap në drejtim të Kopshtit Zoologjik, që ndodhet vetëm disa metra larg Parkut Kombëtar të kryeqytetit. Atje është ndalur nga specialistët e Sektorit të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit. Uniformat blu i bënë thirrje të dorëzohej, pasi për të nuk kishte asnjë mundësi shpëtimi.

12 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›