E Shtunë, 31 Tetor 2026

Antiduhani; Rinis fushata për ndalimin e tymosjes në publik

Tabela “Ndalohet duhani” që është e vendosur në çdo lokal të vendit, duket se është thjesht një mbetje e një ligji që u zbatua vetëm për një muaj, por jo për shumë. Inspektorati i Shëndetit Publik dhe Ministria e Shëndetësisë kanë ndërmend të nisin një fushatë të re për ndalimin e duhanit në mjediset publike. Këtë herë, duke mësuar nga gabimet e së kaluarës, krijuesit e fushatës sqarojnë për “standard” se do të jetë e mirorganizuar dhe me bashkërendim ndërmjet institucioneve të ndryshme.

Fushata e re që pritet të fillojë në shtator si dhe masa akoma më të forta do t’i japin një tjetër formë zbatimit të ligjit antiduhan. Të paktën në këtë shpresojnë drejtuesit e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik pasi kanë konfirmuar se ligji do të zbatohet duke forcuar këto elemente dhe jo duke bërë ndryshime në ligj.

Situata

Pas një viti e pesë muajsh të hyrjes në fuqi të ligjit antiduhan nuk duket të ketë shenja të zbatimit të tij. Madje si për ironi, shumë pak prej tyre mbajnë mend nëse është zbatuar ndonjë herë ai. “Mendoj se sikur të ishte zbatuar një herë, subjektet do të vazhdonin të bënin të njëjtën gjë gjithmonë. Por gjithsesi mendoj se ky ligj në vendin tonë nuk ka funksionuar”, - është shprehur një i ri në një nga baret e kryeqytetit.

Tashmë në çdo ambient është më se evidente fakti se nuk ka ligj antiduhan dhe se nuk po gjen terren për t’u zbatuar. Mungesë llogarie, mungesë strukturash apo strategji e gabuar, shumë funksionarë kanë dhënë këto shkaqe për mosfunksionimin e tij duke bërë që në shtator ligji antiduhan të kthehet i rinovuar në mënyrë që të funksionojë.

Ndryshimet

Do të ketë ndryshime por jo në ligj. Sipas zbatuesve të këtij ligji ndryshimet do të prekin kryesisht instancat të cilat duhet të bashkëpunojnë mes njëra-tjetrës në mënyrë që ai të funksionojë, si dhe do të ketë përforcim të masave sanksionuese ndaj atyre subjekteve që e shkelin atë. Muaji shtator pritet të risjellë në “jetë” ligjin antiduhan. Ky ligj, i cili cilësuar si i dështuar pritet të pësojë një sërë ndryshimesh në mënyrë që të fillojë zbatimi i tij në praktikë.

Mosbashkëpunim dhe mungesë koordinimi mes institucioneve përgjegjëse për funksionimin e tij përbëjnë shkak për dështimin e tij. Gjithashtu inspektorët e Drejtorisë së Shëndetit Publik kanë deklaruar se puna e tyre mbetet përgjysmë për arsye se Policia Bashkiake nuk vjel gjobat që ata vendosin. Kjo ka sjellë që pa problem në bare e restorante, gjithandej të tymoset duhan pa pikën e kompleksit se ka një ligj që i dënon shkelësit e tij, ndonëse qytetet janë zhveshur nga megareklamat e paketave të duhanit dhe se prodhuesit e këtyre të fundit kanë publikuar 30 për qind të paralajmërimeve për dëmtimin që shkakton ai në shëndet. Një tjetër fenomen po vesh qytetin, ku baret e lokalet mbajnë në korniza “no smoking” dhe harrojnë të zbatojnë atë.

E megjithatë pritet që me megafushatën dhe ndryshimet që do të vijnë të kenë efektin duke sjellë gjithashtu edhe zbatueshmërinë e ligjit.

Ivanaj

Për këtë zv.ministri i Shëndetësisë, Arben Ivanaj, tha se "ligji për duhanin është ndër më të mirët dhe si i tillë ai nuk do të ndryshojë". Por, vijoi ai, ligji mund të forcohet në sanksione dhe kjo është shumë e rëndësishme të kuptohet nga të gjithë.

"Çdo iluzion se ligji për duhanin do të ndryshojë është mentalitet i gabuar", - theksoi Ivanaj.

Sipas tij, e meta e zbatimit të këtij ligji është mungesa e bashkëpunimit mes institucioneve që varen nga MSH-ja dhe e policive bashkiake apo komunale. “Por, ligjin për duhan, ne nuk e kemi menduar si ligj represiv, si dënim penal, por e kemi menduar si ligj të parandalimit dhe duhet të jetë i tillë”, - sqaroi zv.ministri Ivanaj, duke shtuar se kemi disa “sëmundje” të shoqërisë sonë, apo mentalitete të vogla, të cilat pengojnë zbatimin e tij.

Për këtë, sipas zotit Ivanaj, po punohet për të ngritur strukturat e promocionit, të cilat lidhen jo vetëm me zbatimin e ligjit për duhanin, por dhe me të tjerë. Zoti Ivanaj ritheksoi se “ligji për duhanin nuk i referohet asnjë baze në Kodin Penal, pra është problem që duhet të zgjidhet me anë të edukimit të njerëzve dhe rritjes së vlerave tona civile”.

Godo

Nga ana tjetër, Ministria e Shëndetësisë cilëson se ligji për duhanin, i miratuar një vit më parë, është ndër më të mirët, por zbatimi i tij lë për të dëshiruar. Në analizën e punës 7-mujore të këtij dikasteri, ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, e cilësoi ligjin antiduhan të dështuar si dhe strategjinë e luftës kundër duhanit. Ajo shtoi se e kanë riparë strategjinë në luftën kundër duhanit dhe për zbatimin e saj janë vënë në lëvizje strukturat përgjegjëse.

ISHP

Iniciues i fushatës antiduhan është Instituti i Shëndetit Publik. Me shpresën se ky ligj të marrë sërish komandën në Shqipëri, ata janë duke përgatitur një fushatë të re, përmes së cilës presin të shpallin edhe sanksionet për moszbatim të tij.

Fushata

Fushata antiduhan është forma e re e zgjedhur për të sensibilizuar qytetarët që të zbatojnë këtë ligj. Kjo pritet që të fillojë në muajin shtator duke u shtrirë në të gjithë vendin. Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli, gjatë prezantimit të kësaj nisme u shpreh se janë të shumta shkeljet e konstatuara nga inspektorët, edhe pse janë vendosur disa gjoba.

Sipas Yllit, nga muaji shtator do të nisë një tjetër fushatë e madhe antiduhan për të ndërgjegjësuar qytetarët dhe për të ndëshkuar bizneset që shkelin ligjin.

Referuar këtyre të fundit, Ylli u shpreh se të gjithë ata që janë gjobitur për shkeljen e ligjit antiduhan, do ta paguajnë gjobën edhe pse deri më tani vjelja e këtyre ka qenë e pakët.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›