"Antigona" në kërkim të spektatorit të ri
"Antigona" e dramaturgut të madh francez, Zhan Anui‘, do të ngjitet pas disa ditësh në skenën e teatrit "Aleksandër Moisiu" të Durrësit në një prodhim shqiptar, regji italiane dhe kast aktorial shqiptaro-francez. Teksa ka shëtitur pothuajse në të gjitha skenat e botës, duke kapërcyer kohët, "Antigona" ka mbërritur edhe në Durrës ku vjen si produksion i kompanisë private "BaH" të drejtuar nga dramaturgu dhe gazetari, Bashkim Hoxha. Sipas tij, shfaqja pretendon të sjellë një gjuhë të re teatrore që synon publikun e ri, të pamësuar me klishetë e vjetra, shpeshherë të pranishme në skenën tonë, klishe që vështirë t‘i mbushin sallat, nga që nuk konsiderojnë ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur në mentalitetin e njerëzve, por edhe në gjuhën dhe teknikat e teatrit. Në këndvështrimin e regjisorit italian, Yuri Dini, teksti i fortë dramatik i tragjedisë vjen i bashkëshoqëruar me zbërthimin e vet emocional përmes muzikës së krijuar posaçërisht për këtë spektakël nga Ilirian Pema, që njëkohësisht edhe interpreton. Në qendër të tragjedisë janë figurat krejtësisht befasuese të interpretuara nga aktorët e mirënjohur Ermela Teli dhe Neritan Licaj, përkatësisht në rolet e Antigonës e të Kreonit, të cilët kësaj radhe jo vetëm interpretojnë në mënyrën tradicionale, por edhe performojnë një teatër të imazhit e të plastikës, së bashku me aktoren franceze, Valerie-Anne Desmart, që ndez shfaqjen me lojërat e zjarrit. Skenografia e Thanas Popës, videot grafike të Indrit Domit dhe kanto e Linda Rukajt gjatë provave premtojnë për një gjuhë të shumëfishtë teatrore të pasuruar në bazë të teknikave të reja për skenën shqiptare, po tashmë praktika të konsoliduara si të suksesshme të teatrit bashkëkohor në botë. Producenti Bashkim Hoxha, gjatë një konference për shtyp, tha se "Antigona" vjen si një spektakël krejtësisht i ri, që synon të kapë hapësira të pa rrokura më parë në komunikimin me spektatorin, me dëshirën e mirë për të provokuar daljen nga kriza dhe integrimin në gjuhën bashkëkohore të teatrit.
E frymëzuar nga mitologjia greke dhe pjesa me të njëjtin emër e Sofokliut, Antigona e Jean Anoilh vjen me ndryshimet e veta dhe me mesazhe të forta. Ajo u shfaq për herë të parë më 6 shkurt të vitit ‘44, në Paris. Nën censurën nazifashiste ajo shpalosi qartazi paralelet mes rezistencës franceze të kohës dhe pushtimit nazist. Pesë vjet më vonë do të shfaqej në Londër, me producent të madhin Laurence Oliver, i cili njëkohësisht interpretoi Kreonin, ndërsa në rolin e Antigonës, qe një tjetër emër i madh i skenës, Vivien Leigh. Në 1974-ën, "Antigona" realizohet si produksion televiziv për të vazhduar xhiron e skenave botërore.