E Diel, 1 Nëntor 2026

Mesuesit profesioniste, vlere e gjithe shoqerise

Procesi i trajnim-kualifikimit të mësuesve dhe drejtuesve të shkollës është konsideruar si një drejtim prioritar i Ministrisë së Arsimit dhe e Shkencës, e cila nga viti në vit po e financon në rritje këtë nevojë të domosdoshme të mësuesve dhe drejtuesve të shkollës. Por jo vetëm kaq. MASH-i ka iniciuar dhe kërkuar zbatimin e strategjive të reja, profesionale, nxitëse dhe bashkëkohore për këtë çështje problematike në arsim.

Të gjendur në një situatë të vitit 2005, ku mungonin strategjitë për këtë fushë, mungonin skemat e frytshme të trajnimit dhe kualifikimit, Instituti i Kurrikulës dhe Trajnimit ndërmori një nismë serioze dhe tashmë ka një sërë dokumentesh, që kanë dhënë frytet e duhura në procesin e trajnimit të mësuesve dhe drejtuesve të shkollës në çdo skaj të vendit.

Eshtë e paimagjinueshme që, nën një mori shpifjesh e gënjeshtrash, të servirua nga njerëz dështakë, por dhe nga të tjerë që nuk kanë punuar një ditë në shkollë dhe guxojnë të merren me çështje të tilla madhore për mësuesit, vetëm duke u bazuar në informacione false, të marra nga "celula të fshehura e të paafta", që të kujtojnë "kohërat e shkuara" dhe që vetëm me arsimin nuk i lidh asgjë, përveçse etja dhe lakmia politike për "pushtet", vendosëm të përgjigjemi përmes këtij shkrimi. Mendojmë se ky shkrim thotë të vërteta lidhur me reformën e trajnimit të mësuesve dhe drejtuesve të shkollës, veprimtari që janë menaxhuar me sukses nga Instituti i Kurrikulës dhe Trajnimit (IKT).
Instituti i Kurrikulës dhe Trajnimit, që nga shtatori i vitit të kaluar, po e orienton punën e tij trajnuese dhe kualifikuese, duke u mbështetur në strategjitë e zhvillimit profesional të mësuesve dhe drejtuesve të shkollës, të cilët kanë gjetur një përkrahje të gjerë nga mësuesit, nga drejtuesit e shkollave, nga drejtoritë dhe zyrat arsimore, nga universitetet që përgatisin mësues, por dhe nga shumë aktorë të njohur të shoqërisë civile, të cilët mbeten kontribuues dinjitozë në fushën e trajnimit të mësuesve.

E gjithë kjo përkrahje është e dokumentuar dhe madje e publikuar në shumë raste. Këto dokumente themelore për këtë fushë mjaft problematike, e cila që nga 1992-shi deri më sot, për 16 vite me radhë, ka rendur nga përvojat pozitive te vendimmarrjet e paargumentuara, nga përvojat e vjetra, qoftë dhe pozitive, te tradicionalizmi, nga mosnjohja reale e nevojave për trajnim dhe kualifikim të mësuesve në iniciativa trajnimi jo të vlefshme për ta, pa arritur asnjëherë të mundësojnë një sistem të plotë të trajnimit të mësuesve dhe drejtuesve në punë. Strategjitë e paraqitura tashmë janë një përpjekje profesionale për të instaluar një sistem gjithëpërfshirës, i cili i mundëson të gjitha burimet profesionale, njerëzore dhe materiale për të kontribuuar në këtë proces.

Kurrë më parë nuk u shkrua ndonjë dokument i përmasës së strategjisë, por gjithnjë ky drejtim kaq jetik për shkollën, për të ardhmen e fëmijëve dhe të rinjve mbeti në ide dhe përpjekje të vazhdueshme pa ndonjë rezultat. Mbetet, padyshim, një nga përvojat më të mira pas viteve ‘90, kuadri ligjor dhe zbatimi i tij me anë të "Sistemit të trajnimit të mësuesve dhe drejtuesve në punë përmes rrjetit të formatorëve" një projekt mjaft ambicioz, i cili preku çdo qelizë të shkollës gjatë viteve 1994 deri në vitin 1998, vit në të cilin kjo skemë u shkri me një të rënë të lapsit, pa u studiuar dhe argumentuar asnjëherë kjo vendimmarrje.

Sot ka një grup dokumentesh të nivelit të lartë profesional, ose ndryshe produkte kombëtare, që dora-dorës po marrin jetë, produkte që po përdoren nga mësuesit, të tilla si: standardet e mësuesit në punë, standardet e drejtuesit të shkollës, të trajnerit.

Eshtë hartuar drafti i parë i standardeve të mësuesit në punë, i diskutuar me shumë grupe interesi, si nga universitetet që përgatisin mësues, nga grupe të ndryshme mësuesish, specialistë të fushës së trajnimit nga shoqëria civile etj. Ato tashmë janë të gatshme dhe po i dërgohen MASH-it për miratim zyrtar. Në thelb të tyre gjenden fusha të tilla që kanë të bëjnë me planifikimet mësimore, me komunikimin, me vlerësimin, metodologjitë interaktive të mësimdhënies dhe të mësimnxënies, me përdorimin dhe krijimin e mjeteve didaktike, etika etj., etj, fusha në formën e njohurive, aftësive, qëndrimeve, ose ndryshe të kompetencave profesionale, të cilat duhen përmbushur nga mësuesit në punë. Kjo është një pasuri e madhe, që do të lehtësojë mësuesit në profesionalizmin e tyre. Nga ana tjetër, këto standarde do të nxitin të interesuarit për të hartuar dhe zhvilluar modulet e trajnimit, të cilat së pari do t‘i dërgojnë për aprovim në Komitetin e Akreditimit.

Standardet e mësuesit do të shoqërohen me tregues të tjerë në formë standardesh për mentorin, këshilltarin, vlerësuesin e teksteve etj., role që mësuesit do të mund të praktikojnë në punë dhe që do të hartohen në vijimësi. Dhe të gjitha këto, përkundër insinuatave dhe shkrimeve, si për shembull "Mësuesit, të nënvlerësuar deri në përbuzje", botuar në "Shqip", më datë 24 tetor 2008, ku hidhen pavërtetësira dhe opinione për disa fusha të arsimit dhe kryesisht te problemet e trajnimit të mësuesve, në këtë mes bëhet fjalë edhe për standardet profesionale jashtë politikës.

E ndjemë të nevojshme të sqarojmë mësuesit dhe lexuesit për pasaktësitë dhe keqdashjet që përmban shkrimi në fjalë.

Thuhet "se standardet profesionale të mësuesisë përbëhen nga një fletë e vetme, për të cilën MASH-it i është dashur tre vjet për ta hartuar". Një pohim i tillë është përbuzje për profesionin e mësuesit. Duket qartë se artikullshkruesi nuk ka lexuar asnjë standard të mësuesit, as ato që kanë kohë që janë hartuar në Shqipëri dhe ku sipas gjasave edhe vetë "autori" ka qenë i përfshirë në strukturat e arsimit të asaj kohe. Por, siç ndodh rëndom me këtë farë sokoli, që si kalon lumin të nëm kalin, domosdo edhe për sa e sa reforma që i ka përshëndetur që në nisje, madje edhe fare pak kohë më parë nëpër gazeta, tashmë është i prirur t‘i anatemojë deri në mohim me qejfmbetje. Punë e tyre.

Autori i shkrimit akuzon se "u deshën tre vjet për t‘i hartuar ato", pra kërkon t‘i thotë lexuesit se koha është shumë e gjatë?! Por instalimit të reformave të arsimit në vende të ndryshme të botës, përfshi edhe Shqipërinë, nuk i janë dashur tre vjet, por me dhjetëra e dhjetëra vite për të arritur deri te pranimi i profesionalizimit të mësimdhënies dhe te hartimi i standardeve për mësuesit. Madje, autori nuk e di se ka shumë vende që akoma nuk i kanë këto instaluar këto standarde.

Në të vërtetë, hartimi i tyre nëpërmjet studimeve dhe konsultave të ndryshme përbën një risi të arsimit shqiptar, që do të vlejë, natyrisht, për atë qëllim për të cilin ato janë hartuar: të përmirësojnë cilësinë e mësimit nëpërmjet profesionalizimit të mësimdhënies, të përmirësojë trajnimet e mësuesve etj.

Ky dokument kërkon kujdes të madh që të mos keqkuptohet e të mos keqpërdoret nga mësuesit dhe nga aktorët e tjerë, sidomos kur këta ndeshin edhe komente si ai i shkrimit në fjalë.

Sipas këtij shkrimi, "mungesa e standardeve e bën formal tërë trajnimin dhe kualifikimin e mësuesve".

Kjo është një shpifje e pastër. Autori ia fsheh publikut se standardet janë një përmbledhje dhe jo një shpikje e karakteristikave kryesore të punës së një mësuesi cilësor. Nëse te standardet shkruhet se mësuesi zotëron lëndën, përditësohet me kurrikulat e reja etj., kjo nuk do të thotë se para se të dalin standardet askush nuk e ka ditur se mësuesit duhet të trajnohen për kurrikulat e reja, për metodologjitë e mësimdhënies etj. Është shumë formale dhe naive të shkruash, siç shkruhet aty, se dalja e një "flete letër", do të zhdukë formalizmin tërësor që ekziston, sipas këtij shkrimi, në trajnimin e mësuesve.

Instituti i Kurrikulës dhe Trajnimit mirëpret çdo lloj oponence, kritike që lidhet me çështje të trajnimit dhe të kualifikimit të mësuesve e drejtuesve, por nuk mund të pranojë gjëra të pavërteta që sjellin pështjellim te mësuesit dhe drejtuesit e shkollës.

Aq më shumë shqetësohemi, kur probleme të tilla shfrytëzohen në mënyrë jo të ndershme nga politika "e re", por thellësisht "e vjetër‘, e cila bazohet në argumente dhe fakte të rreme.

IKT fton cilindo të interesuar që të njihet nga afër me arritjet në fushën e trajnim-kualifikimit pranë Drejtorisë së Trajnimit në këtë institucion. Arsimi nuk është vetëm i yni, por i gjithë shoqërisë që duam të integrojmë në Evropë e më gjerë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›