E Diel, 1 Nëntor 2026

TOPOGRAFIA E EPIDAMN-DYRRHACHIONIT

Topografia e qytetit antik të Epidamn-Dyrrhachion-Dyrrachium mbetet fare pak e njohur si nëpërmjet historisë së kërkimeve që janë bëre gjer më tani, si edhe për faktin se qyteti i vjetër është mbuluar nga aglomeracionet mesjetare, moderne e sidomos ndërtimet e sotme tepër intensive, kështu që edhe eksplorimi i tij është shumë i vështirë.

Ajo që paraqesim nuk është rezultat i një gërmimi të kryer këto kohët e fundit, por i një gërmimi të kahershëm; nuk është as rezultat i një programi të mirëfilltë kërkimesh topografike në terren. Ekipi ynë prej vitesh ka nisur punën në Muzeun Arkeologjik të Durrësit, për të studiuar dhe botuar lëndën e jashtëzakonshme arkeologjike (grupin e madh të figurinave prej balte të pjekur, monedhat, qeramikën, materialet e ndërtimit, elementet dekorative etj.), të zbuluara shumë vite më parë në Kodrën e Dautes. Ekspozeja jonë do të artikulohet në 3 pjesë: në të parën, ne do të paraqesim argumentet tona që na lejojnë tashmë të identifikojmë në kodrat e Dautes një tempull të Artemisit, "Artemision"; në të dytën, ne do të japim vendndodhjen e Sanktuarit, në raport me sipërfaqen e banuar të qytetit dhe sistemin e tij mbrojtës; në të tretën identifikimin e Artemisionit do ta lidhim me topografinë e Durrësit gjatë periudhës klasike dhe helenistike.

1) Identifikimi i Artemisionit të Epidamn-Dyrrachionit:

Ekipi ynë i përbashkët shqiptaro-francez, nisi punën në vitin 2002, në Muzeun Arkeologjik të Durrësit me synimin për të studiuar koleksionin shumë të madh, prej afro 1800 kg, të figurinave prej balte të pjekur, që qenë mbledhur gjatë një gërmimi, në vitet 1970-1971 nga V.Toçi dhe ekipi tij, në vargun e kodrave të Dautës, në v.p. të qytetit. Siti u konsiderua si vendndodhje e sanktuarit të Afërditës, për arsyen e vetme të gjetjeve masive të protomeve femërore, në të cilat u mendua fillimisht se kishim të bënim me parafytyrimin e kësaj hyjneshe të rëndësishme, në antikitet. Në një komunikim paraprak të rezultateve të punës sonë të saponisur, në vitin 2002, e vumë në thonjëza praninë e Afrodisionit në Kodrat e Dautes, duke shfaqur disa rezerva, si edhe duke parashtruar të tjera hipoteza. Njëra prej tyre kishte të bënte edhe me praninë e një Artemisioni. Kjo e fundit e provuar nga ne tashmë katërcipërisht.

Argumenti i parë që po ju paraqesim ka të bëjë me repertorin e gjetjeve koroplastike që ne kemi ekzaminuar në vijimësi, që nga viti 2003. Në protomet femërore, që zënë rreth 80% të gjetjeve, në Kodrat e Dautes, ne nuk kemi parë parafytyrimin e hyjnisë së cilës i dedikohej sanktuari, por në mënyre konvencionale personin që bënte ofrandën, që e sillte dhe e depozitonte në këtë vend të shenjtë, duke kërkuar edhe mbrojtjen e hyjnisë. E thënë ndryshe, protomet e shumta pra, nuk përfaqësojnë as Afërditën as hyjni të tjera femërore si Demeter-Koren, Artemisin etj. Por vetëm vajza anonime. Megjithatë, në morinë e figurinave prej balte veç protomeve kemi edhe një sasi të konsiderueshme femrash në pozicione të tjera, ku vendin kryesor e zënë imazhet e Artemisit. Shembulli më i bukur, i gjetur në dhjetëra ekzemplare është tipi i Artemis Bendis, në të cilin hyjnia jepet në pozicionin në këmbë, në ecje, veshur me një kiton të shkurtër, me nebride dhe leonte, që mban një objekt të paidentifikuar, shoqëruar edhe me një qen. Në fragmente të tjera, të shumta, të realizuara sipas së njëjtës skemë ikonografike, hyjnesha jepet herë me leonte, herë me nebride dhe kiton të shkurtër.

Këtyre figurinave, që janë datuar në shekullin e IV p.e.s dhe në periudhën helenistike, po i shtojmë edhe disa statuetka më të vjetra, që paraqesin një grua të ulur në stol me flokët të mbuluara nga një beretë frigjane. Disa studiues edhe në këtë rast shohin imazhet e Artemisit; për në një gjë e tillë nuk është fort e sigurt. Por, në depozitën e kodrave të Dautes janë gjetur edhe Artemise të tjera, të realizuara në materiale të ndryshme. Përmendim ndër të tjera 3 statuetka prej mermeri të bardhë, me një fakturë të shkëlqyer dhe një tjetër prej bronzi, pa nebride. Ky repertor i pasur tipologjik na orientoi drejt mendimit se kemi të bëjmë me një depozitë të një sanktuari të Artemisit. Për ta bërë plotësisht të besueshme një gjë të tillë, na erdhën në ndihmë edhe tekstet e shkruar, të zbuluar në materialin arkeologjik të kodrave të Dautes. Kështu, në buzët e jashtme të një skifosi të madh të shek. IV p.e.s, zbukuruar me teknikën e figurave të kuqe, qe shkruar: "Tartempion Artemiti Anetheken", që provon bindshëm se kishim të bënim me të vërtetë me një sanktuar të Artemisit. Janë gjetur edhe tri fragmente të tjera enësh, që kishin mbishkrime të pikturuara, që kishin të bënin me Artemisin. Në njërën prej tyre lexohet fjala e fundit EKATA (është fjala për Hekatenë, kulti i së cilës është i lidhur me atë të Artemisit, me atribute të njëjta, që kanë të bëjnë me mësimet e vajzave të reja dhe lindjen).

Nga sa parashtruam mund të mendohet që në sanktuarin e Artemisit në Durrës, blatoheshin kategori të tjera ofrandash, që kishin të bënin me ritualet që i siguronin vajzave të reja kalimin pa probleme të periudhës së adoleshencës në atë të maturisë seksuale (adultit) dhe martesës, gjithnjë kuptohet nën patronazhin e Artemisit. Ky Artemision frekuentimin më të madh e pati gjatë shekujve IV-II p.e.s, që i takon edhe periudhës së popullaritetit më të madh të këtij kulti në Iliri.

2) Situacioni i Artemisionit në raport me qytetin antik:

Identifikimi i Artemisionit është konfirmim i asaj të dhënë interesante për sanktuarin që jepte edhe Apiani në pasazhin e tij për manovrat e vitit 48 para erës sonë, ndërmjet Pompeut që ishte vendosur në Dyrrachium dhe Cezarit, që po përgatitej për rrethimin e qytetit. Apiani në BC II, 60 shkruan: "Një tradhti po përgatitej në Dyrrachium. Cezari iu afrua, siç ishte marrë vesh natën, me një repart të vogël, portave dhe Artemisionit…. "Teksti është një tregues i çmuar i afërsisë së Artemisionit me një portë të qytetit. Marrim vesh edhe se ky tempull ishte në periferi, brenda apo jashtë mureve (nuk e dimë me saktësi), por në afërsi të tyre. Siç e ka treguar edhe Veith-i lëvizja (raidi) i Cezarit me repartin e tij të vogël është bërë nga veriu, duke lënë mënjanë portat kryesore të qytetit, për arsye të qarta fshehtësie.

Tashmë ne kemi të identifikuar Artemisionin në vargun e kodrave të Dautes, në VP të qendrës së qytetit antik dhe modern. Porta e synuar nga raidi, siç e cilëson edhe Veithi është një "Hintertur", një portë e fshehtë. Që këtej, këtë portë duhet ta kërkojmë fare pranë sanktuarit dhe Kodrave të Dautes. Artemisi me atributin e ruajtëses së kalimeve të rëndësishme në jetën e femrës, duhet të ketë pasur në këtë peizazh siç na thotë edhe Susan Guethel Cole, edhe atributin e ruajtjes së kufijve dhe kalimeve të rrezikshme për qytetin. Shtrirja e nekropolit antik në këto anë na konfirmon atë, se vargu i kodrave te Dautes, përbënte tamam ballin v-p dhe verior të qytetit antik. Sektorët e nekropolit klasik dhe helenistik shtrihen në veri të këtyre kodrave.

3) Të dhënat e reja për topografinë e qytetit antik:

Nga sa parashtruam, jemi të detyruar ta parafytyrojmë sipërfaqen e Epidamn-Dyrrhachionit më të shtrirë se planimetritë e botuara gjer më tani, që përfshijnë qytetin e poshtëm, zonën kodrinore, në anën veriore dhe perëndimore, të mbrojtura nga fortifikimet protobizantine. Limitet e qytetit të poshtëm: Ky sit urban i shtrirë drejt veriut kërkon një mbrojtje që përzgjatet nga kodrat e Dautës drejt lindjes, në zonën e ultë. Ne kemi pasur bindjen se ky rrethim i qytetit grek dhe helenistik duhet t‘i korrespondonte pikërisht unazës së tretë të mureve rrethues që përmendin Hezei dhe Domet. Në këtë linjë, kohët e fundit, nëpërmjet gërmimeve të rastit, janë zbuluar dy kulla si edhe një trakt muri rrethues që i përkasin nga teknika fazës protobizantine.

Pak më në jug të këtij trakti është gjetur edhe një mur romak, i gjatë afro 40 m, orientimi i të cilit sugjeron mendimin se ai lidhte rrëzën lindore të Kodrës së Dautes me detin në drejtimin j-l. Në veri të këtij muri shtrihen sektorët e nekropolit romak. Ne mendojmë se pikërisht në këtë mur duhet kërkuar ana v-l e qytetit helenistik dhe romak. Me këto të dhëna të reja perimetri i mbrojtur i qytetit është 4,5 km, ndërsa sipërfaqja e banuar 88 ha. Për botën koloniale, kjo sipërfaqe konsiderohet e madhe. Po japim vetëm dy krahasime; Apolonia ka një perimetër mbrojtës prej 4509m, me një sipërfaqe prej 85,4 ha; Thasosi, në ishujt e Egjeut, ka një perimetër pak më shumë se 4000m me një sipërfaqe prej afro 55ha. Konfiguracioni i Thasos-it është saktësisht i një natyrë të njëjtë me atë të Epidamnit: një varg kodrinor rreth një ultësire bregdetare.

Çështja e Akropolit

Kërkuesit, gjithmonë e kanë imagjinuar akropolin e Epidamn-Dyrrhachionit sipas modelit athinian: një vend i lartë unik, i mbrojtur mirë (Citadella) me një sanktuar kryesor pranë tij. Në cilat lartësi të rrethojës së vogël protobizantine duhet kërkuar ky akropol? Hipoteza e parë ka të bëjë me lartësinë 98 m (sot vila e mbretit Zog); Hipoteza e re e shtruar prej nesh është Kodra e "Stanit", fare pranë Kodrës së Dautes, ku ndodhej edhe sanktuari kryesor i qytetit, qendra e teatrit natyror, ku shtrihej edhe pjesa më e dendur e sipërfaqes së banuar. Kjo lartësi ka qenë efektive mbrojtëse vetëm gjatë antikitetit të vonë, pas ngushtimit të perimetrit mbrojtës.

Nisur nga pasazhi i Apianit, që e cituam pak më sipër, Hezei dhe Domet, që janë marrë me topografinë dhe urbanistikën e Durrësit antik, mendonin se "zbulimi i një hieroni të Artemisit do të jetë i një rëndësie të madhe për topografinë e qytetit të lashtë". Ne nuk mendojmë ndryshe. Por megjithatë mbeten ende mjaft gjëra të panjohura dhe për t‘u verifikuar. Praninë e gjurmëve të mureve rrethues të periudhës helenistike dhe romake, në pika të ndryshme të qytetit, poshtë mureve të antikitetit të vonë, sidomos në zonën e kullave M, N si edhe A-G lypset që ta verifikojmë nëpërmjet sondazheve. Dinamikën urbane të Epidamnit, që nga antikiteti gjer në ditët e sotme, lypset ta bëjmë edhe nëpërmjet bashkëpunimit me gjeografët dhe gjeomorfologët. Ne shpresojmë se një gjë e tillë mund të bëhet në një të ardhme të afërt.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›