E Diel, 1 Nëntor 2026

Antigone, bëhet zbulimi më i rëndësishëm i 30 viteve

Ka përfunduar me disa zbulime mjaft të spikatura në qytetin antik të Antigonesë në Gjirokastër ekspedita e tretë arkeologjike shqiptaro-greke "Antigonea - 2008". Për më se dy javë, në Parkun Arkeologjik të Antigonesë, 14 km në lindje të qytetit të Gjirokastrës, kanë vazhduar gërmimet e ekspeditës së përbashkët shqiptaro-greke "Antigonea - 2008", gjatë së cilës nga arkeologët janë bërë zbulime e gjetje mjaft të rëndësishme, sikurse janë stoa (shëtitorja), gjurmët e një tempulli, objekte prej qeramike, monedha dhe gjetje të tjera që i përkasin periudhës së shekujve III-II, që është edhe koha e lulëzimit të plotë të këtij qyteti. Ekspedita e tretë shqiptaro-greke "Antigonea - 2008" u përqendrua kryesisht në gërmimin dhe zbulimin e plotë të fragmentit të murit të vetëm poligonal që ndodhet në pjesën jugore të qytetit antik, jashtë mureve rrethuese të qytetit, poshtë të cilit arkeologët zbuluan pothuajse plotësisht në një gjatësi rreth 75 metra dhe gjerësi 6.5 metra, pjesët e një shëtitoreje ekstraurbane dhe gjurmët e një tempulli, ndërkohë që në tri pika të tjera brenda mureve rrethuese u bënë sondazhe për gjetjen e teatrit të qytetit antik. Sipas prof. as. dr. Dhimitër Çondi, drejtues në terren i fushatës dhe ark. Elio Hobdari, që morën pjesë drejtpërdrejt në këto gërmime, stoa e zbuluar rishtazi është një ndërtim inxhinierik dhe arkitektonik me vlerë të veçantë, për vetë pozicionin madhështor me shtrirje lindje-perëndim dhe me vendosje e pamje përballë luginës së Drinos. "Për nga madhështia, forma dhe vendosja, stoa e Antigonesë është e ngjashme me ato të qyteteve të tjera të Epirit të lashtë, Butrintit, Foinikes, Dimalit dhe Apolonisë, ndërsa është e vetmja stoa e veçantë që ndodhet jashtë mureve rrethuese dhe është një vlerë tjetër që i shtohet Antigonesë, përveç sistemit urbanistik hipodamik, tashmë të njohur dhe më të ruajturit në qytetet epirote", u shpreh Çondi. Gjatë gërmimeve në stoa, ka dalë në dritë plotësisht me një pamje madhështore muri poligonal me kontraforte në lartësinë mbi 3.5 metra dhe paralelisht me të në largësinë 6 metra një mur i dytë ndërtuar me gurë të rregullt paralelepipedë, ndërsa midis këtyre dy mureve të zbuluar në një gjatësi rreth 75 metra, arkeologët zbuluan pilastra (shtylla) me blloqe guri vendosur në distancën 2.4 metra larg njëra-tjetrës. Në hapësirën mes mureve arkeologët gjetën fragmente të tjegullave të çatisë që mbulonte stoan, qeramikë enësh, tryeza të lyera nga të dyja anët me vernik të zi dhe monedha të Epirit, ku nuk mungojnë edhe monedha që i përkasin mbretit maqedonas Antigongonati, mbretërimi i të cilit përkon plotësisht me periudhën e lulëzimit të Antigonesë. Gjurmuesi i vjetër dhe njohës i mirë i Antigonesë, prof. as. dr. Dhimitër Çondi, thekson se gjatë gërmimeve në stoa nuk janë gjetur gjurmë djegieje si në gërmimet e mëparshme arkeologjike brenda mureve rrethuese të qytetit dhe kjo, sipas tij, mund të lidhet me faktin që ushtria e drejtuar nga konsulli romak, Pal Emil, e ka përqendruar sulmin dhe vëmendjen përballë dhe brenda mureve rrethuese. Ekspertët e zyrës së administrimit dhe koordinimit të Parkut Arkeologjik Antigone e vlerësojnë zbulimin e stoas së Antigonesë si një nga zbulimet më të suksesshme të 30 viteve të fundit në këtë qytet antik.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›