Gjobitën qytetarin, ndiqen penalisht dy punonjës të OSSH-së
Veprimet arbitrare të punonjësve të OSSH-së rëndojnë mbi konsumatorët durrsakë. Ndryshe nga shumë konsumatorë të tjerë, që në heshtje pranojnë abuzimet që kryhen me faturat e energjisë dhe veprimet arbitrare nga ana e punonjësve të elektrikut, një konsumator nga zona e plazhit në Durrës ka vendosur të reagojë. Ai ka denoncuar në polici një ngjarje që i ka kushtuar jo vetëm situata të pakëndshme të krijuara në marrëdhënien me ta, por edhe një faturë penalizimi në masën e 2 mijë kilovatëve energji elektrike, që kap vlerën e mbi 28 mijë lekëve. Me të marrë denoncimin, inspektorët policorë të seksionit kundër korrupsionit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës nisën procedimin penal ndaj dy punonjësve të filialit elektrik të Durrësit, përkatësisht shtetasve Flamur Bakaj, 52 vjeç dhe Arben Manga, 47 vjeç, të dy nga qyteti bregdetar dhe punonjës të sistemit të matjes. Ndaj të dyve procedimi nisi mbi bazën e kallëzimit penal të bërë nga një konsumator 40-vjeçar, banor i lagjes Nr. 13, në plazh të Durrës. Sipas kallëzuesit, Bakaj dhe Manga në mënyrë arbitrare, pa plotësuar ndonjë dokument ku të pasqyronin veprimin e kryer, i kanë marrë matësin elektrik të banesës dhe e kanë dërguar në laboratorin e njësisë elektrike Durrës. Ky veprim i pashpjeguar është pasuar nga penalizimi i qytetarit me 2000 kwh energji elektrike, pa e njoftuar për arsyet e penalizimit. Pavarësisht kësaj, sjellja dhe komunikimi i punonjësve të elektrikut me konsumatorin ka qenë i mangët dhe aspak i hijshëm për punonjës në shërbim të klientit. Drejtori i zonës rajonale të shpërndarjes elektrike Durrës, Agron Seseri, tha për "Shqip" se nuk ishte në dijeni të këtij rasti, por punonjësit e sistemit të matjes veprojnë vetëm kur sinjalizohen nga faturistët se në matës mund të jenë bërë ndërhyrje, që do të thotë se konsumatori e ka vjedhur energjinë elektrike. Seseri tha se do të informohet për rastin dhe sjelljen e vartësve të tij dhe më pas do të vendosë nëse ndaj tyre duhet të mbahet qëndrim. Ndërkaq, antikorrupsioni, për rastin në fjalë, ka kryer veprimet e para hetimore, ndërsa dosja me materialet për veprën penale të shpërdorimit të detyrës iu kalua për hetim të mëtejshëm Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës.