E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pret këmbën duke armuar galerinë minatori

Një minator 44-vjeçar ka prerë këmbën në përpjekje për të armuar galerinë e kromit. Selman Koxheri, 44 vjeç nga Martaneshi është aksidentuar në gjendje të rëndë dje në mesditë, ndërsa punonte për sharrimin e armimit të galerisë, për nxjerrjen e mineralit të kromit. Menjëherë ai është dërguar nga shokët e tij të punës në spitalin e Bulqizës, për të marrë ndihmën e duhur mjekësore. Mjeku roje i këtij spitali, Ahmet Rrushi, ka përcaktuar diagnozën amputacio cruris sinistra (prerje e këmbës së majtë poshtë gjurit). Sipas tij, gjendja e të aksidentuarit është vlerësuar si shumë e rëndë, pasi rrezikohet ta humbasë këmbën. "Ne i dhamë vetëm ndihmën e parë mjekësore, si serum, qetësues për ndalimin e dhimbjeve të forta, ndalimin e hemorragjisë etj.", thotë mjeku roje, Ahmet Rrushi. Burime nga ky spital bëjnë me dije se si gjithmonë në raste të tilla aksidentesh, të aksidentuarit nuk mund të marrin një ndihmë mjekësore të kualifikuar, pasi mjeku kirurg që punon pranë këtij spitali jeton në Tiranë, ndërkohë që edhe kur është ai, mungon mjeku reanimator, i domosdoshëm për çdo ndërhyrje kirurgjikale. Në të tilla kushte është kërkuar një helikopter nga Tirana, për të transportuar të aksidentuarin drejt Spitalit Ushtarak.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›