E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë, pacientët kurohen në spital me ilaçet që sjellin vetë

Të shtrohesh në spitalin rajonal të Korçës duhet të marrësh me vete të gjitha ilaçet e nevojshme dhe deri te shiringat, pambuku e alkooli. Spitali është përfshirë nga kriza e medikamenteve dhe mungesa e materialeve bazë. Të sëmurët që trajtohen në të gjitha pavijonet kurohen me ilaçet që i sjellin me vete, duke u drejtuar te farmacitë më të afërta, pasi spitali nuk disponon asnjë medikament, që nga antibiotikët dhe deri te materialet bazë të punës, që janë dorezat, pambuku dhe shiringat për kryerjen e injeksioneve. Së fundi, spitalit i ka mbaruar edhe alkooli dhe kjo duhet të sigurohet nga vetë i sëmuri, i cili ka nevojë për një gjilpërë. Të sëmurët thonë se trajtimi në spital u kushton shtrenjtë, për faktin se të gjitha mjekimet që rekomandohen duhet të sigurohen nga vetë pacientët, ndërkohë që në spital trajtohen vetëm rastet e urgjencave dhe këto të fundit me qetësues deri në marrjen e ilaçeve nga vetë i sëmuri. "Kam tri ditë që jam shtruar në spital dhe deri tani kam paguar rreth 8500 lekë të reja vetëm për barnat. Këtu nuk ka asgjë. I kam blerë vetë shiringat për gjilpërat. As alkool nuk ka. Se ku e ngjyejnë pambukun nuk e di, por së fundi na kanë thënë të sjellim edhe alkoolin vetë. Edhe pse spitali i ka të gjitha kushtet e mira, këtu mungojnë gjërat elementare për ne si të sëmurë. Sapo vijnë të sëmurët, me recetat që kanë dërgohen në farmaci se nuk ka fare ilaçe", thotë Nevruz Bregu, një nga pacientët që trajtohet nga zemra. Në pavijonet e tjera të spitalit duhet që edhe serumet të blihen nga vetë pacientët, edhe për rastet kritike. Kriza e medikamenteve pranohet edhe nga titullarët e spitalit. Sipas tyre, situata është e rënduar. Nëndrejtori ekonomik, Lorenc Kapedani, ka thënë se "në çdo repart mungojnë medikamentet kryesore, por edhe materialet e mjekimit, ndërsa nevojat janë plotësuar duke shfrytëzuar gjendjen e spitaleve të tjera të Ersekës, Bilishtit dhe Pogradecit, madje shumë raste të rënda i kanë kaluar kryeqytetit, pasi nuk ka asnjë mjekim as në kirurgji". Sipas tij, për gjendjen janë vendosur në dijeni edhe Ministria e Shëndetësisë. Kjo situatë e rënduar ka ardhur si pasojë e kontraktimit me vonesë të mallit dhe kolaudimit të medikamenteve që kërkon kohë. "Kemi dërguar kërkesat sipas nevojave pranë ministrisë, por nuk ka asnjë furnizim. Kjo ka bërë që nevojat tona t‘i plotësojmë duke shfrytëzuar gjendjen e spitaleve të tjera të afërta, ndërkohë që për rastet emergjente dhe ato të gjinekologjisë e maternitetit janë dërguar në Tiranë", sqaroi Lorenc Kapedani. Situata e krijuar në spital ka vënë para vështirësisë jo vetëm pacientët, por edhe mjekët, të cilët përballen me të sëmurë, të cilët duhet t‘i drejtojnë pranë farmacive, në pamundësi për t‘ju dhënë mjekimin e nevojshëm.

Mungesat në spital,

familjarët dhunojnë mjekët

Sipas mjekëve të spitalit të Korçës nuk janë përjashtuar as rastet kur bluzat e bardha janë bërë pre e dhunës nga familjarë të cilët kanë kërkuar ndihmë, por mjekët i kanë treguar derën e farmacisë. Situata ka përfshirë të gjithë spitalin dhe në asnjë nga pavijonet nuk gjen ilaçet e nevojshme. Nga të dhënat më të fundit që disponon spitali i Korçës mësohet se një furnizim i pjesshëm me ilaçe mund të kryhet vetëm javën e ardhshme.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›