E Diel, 1 Nëntor 2026

Manovra e partive, harrohet ligji për financimin

Partitë politike nuk shfaqin interes për hartimin e një ligji të posaçëm me objekt financimin e partive politike. Ndonëse shumë vende perëndimore kanë zgjedhur këtë formë për të rregulluar transparencën, aktorët politikë te ne tregohen indiferentë. Ata janë mjaftuar me planifikimin për të ndërhyrë në Kodin Zgjedhor sa i takon pjesës së fushatave zgjedhore. Përtej kësaj mbetet enigmë financimi jashtë periudhave elektorale. Kryeministri Sali Berisha pati premtuar, në një takim të para ca muajsh me "Transparency Internacional", se do të hartonte një ligj për financimin e partive politike. Në këtë linjë u konfirmua nga Këshilli i Ministrave se po punohej me qëllim konsolidimin e një drafti model, i krahasueshëm me legjislacionin evropian. Por vetëm kaq. Debati për reformën zgjedhore dhe përfshirja në të edhe e një amendimi, sa i takon financimit të partive e kaloi në plan të dytë idenë e ligjit. Dy forcat politike kryesore duket se nuk kishin vullnetin dhe as interesin e duhur për t‘i shkuar deri në fund kësaj ideje. Duke u mjaftuar me një "operacion" të pjesshëm që edhe nëse funksionon në mënyrë të kulluar nuk i jep fund dyshimeve për mungesë transparence. Forma e financimit jashtë fushatave zgjedhore do të vijojë të mbetet një enigmë përballë qytetarëve. Po aq sa edhe dokumentet financiarë, me të cilat operojnë subjektet politike, të cilat nuk konsiderohen dokumente publike. Rrjedhimisht, qytetarët dhe as media nuk kanë aspak akses për të parë bilancet financiare të këtyre partive. Realitet paksa i çuditshëm, teksa vitet e fundit dy kampet respektive kanë konceptuar veprimtarinë politike gjatë një viti normal, si fushatë të vazhdueshme në bazë. Rama, Berisha, Meta apo Mediu, si krerët e partive kryesore politike, nuk reshtin së lëvizuri nëpër degët e rretheve për të propaganduar tezat e tyre politike. Në vetvete i gjithë ky aksion ka koston e tij financiare, krejt jashtë transparencës për publikun e gjerë. Votimi në Kuvend i ndryshimeve në kodin zgjedhor ka gjasa ta shmangë edhe më tej vëmendjen nga hartimi i ligjit për financimin e partive politike. Shikohet më e udhës që të debatohet për numrin e anëtarëve që do të ketë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve apo komisionet vendore sesa transparenca e financave. Skema e propozuar në kuadër të reformës zgjedhore shikohet me skepticizëm prej ekspertëve të kësaj fushe. Në këtë kod të ri parashikohet skema e auditimit të financave dhe shpenzimeve në kohë fushate. KQZ parashikohet të emërojë me short një apo më shumë ekspertë kontabël të licencuar e të përzgjedhur për të kryer auditimin. Subjektet zgjedhore duhet të vënë në dispozicion të ekspertit të emëruar nga KQZ, çdo informacion, dokumente apo të dhëna që kanë të bëjnë me financimin dhe shpenzimet e fushatës zgjedhore sipas këtij kodi. KQZ publikon raportet e auditimit për subjektet zgjedhore jo më vonë se një muaj nga data e paraqitjes së raportit, ose sipas rastit nga data e mbylljes së verifikimeve përkatëse. Përtej këtyre masave mbetet në dyshim funksionimi dhe paanshmëria që do të kenë ekspertët kontabël që do zgjidhen përmes strukturave me përmbajtje gjithsesi politike, siç është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Premtimi

Transparenca financiare e partive politike ishte një prej premtimeve që kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha shkroi në programin qeverisës, me të cilin mori votat në vitin 2005. Por, që prej korrikut, kur erdhi në pushtet, duket që të jetë bërë shumë pak për këtë qëllim.

Estonia

Në këtë vend partitë në çdo datë 5 të çdo fillim katërmujorshi paraqesin një raport të kompletuar mbi të gjitha fondet që kanë marrë nga burime të ndryshme

Gjermania

Në këtë vend partitë deklarojnë publikisht me anë të një deklarate bankare origjinën dhe përdorimin e fondeve të marra brenda një viti

Hungaria

Në këtë vend partitë duhet të deklarojnë para datës 31 mars të vitit, të dhënat e tyre financiare të vitit paraardhës në gazetën Hungareze

Serbia

Në këtë vend raportet e përcaktuara në ligjin "Për financimin e partive politike", duhet të botohen në "Gazetën e Republikës së Serbisë" rregullisht

Maqedonia

Në rastin e këtij vendi parashikohet që çdo evidencë që tregon të hyrat dhe shpenzimet duhet të tregojë llojin, shumën dhe burimin e të ardhurave

Portugalia

Në këtë vend ekziston ligji "Për financimin e partive politike dhe fushatën elektorale", i cili rregullon sferën e financimit të këtyre subjekteve

Modelet

Në shumicën e rasteve, ligji për financimin e partive dhe fushatave është një i vetëm

Vendet evropiane kanë rregulla strikte për transparencën

Një studim i para pak viteve, kryer nga CAO, jep shembuj se si disa vende evropiane kanë rregulluar çështjen e financimit të partive politike. Në Portugali ekziston ligji "Për financimin e partive politike dhe fushatën elektorale", i cili rregullon sferën e financimit. Donacionet e kryera nga personat fizik të identifikuar janë të limituara në vlerën e jo më tepër se 30% të minimumit të rrogës mujore për çdo donator dhe kryhen me transfertë bankare për çdo rast kur ato tejkalojnë rrogën minimale mujore. Si organ auditimi në këtë vend është Gjykata Kushtetuese e Llogarive, që heton ligjshmërinë e aktivitetit financiar të partive. Në Serbi, të dhënat financiare, kredi dhe debite të një partie politike, janë subjekt i një kontrolli vjetor në përputhje me rregullat e kontabilitetit dhe mund të jenë subjekt i çdo kontrolli nga organet kompetente. Pasqyra financiare vjetore dhe raportet e përcaktuara ne ligjin "Për financimin e partive politike", duhet të botohen në "Gazetën e Republikës së Serbisë", me shpenzimet e partisë politike. Partitë duhet të ruajnë raportet e tyre për të paktën gjashtë vjet pas dorëzimit të tyre. Në rastin e Hungarisë, KLSH dhe zyra kombëtare e revizionimit ka të drejtën të kontrollojë ligjshmërinë e çështjeve financiare të partive politike. Degët e administratës shtetërore nuk kanë të drejtën të monitorojnë çështjet financiare të partive. Partitë duhet të deklarojnë të dhënat e tyre financiare të vitit paraardhës në gazetën Hungareze, para datës 31 mars. Në modelin gjerman parashikohet detyrimi i partive për të deklaruar publikisht me anë të një deklarate bankare origjinën dhe përdorimin e fondeve të marra brenda një viti buxhetor, si dhe pronësinë. Ligji belg ka përcaktuar një organ të veçantë për kontrollin e veprimtarisë së partive politike, i cili përbëhet në mënyrë të barabartë nga anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve dhe të senatit dhe kryesohet nga Presidenca e Senatit. Në rastin e Maqedonisë, ligji përcakton se burimi i të ardhurave i subjekteve politike është publik. Çdo evidencë që tregon të hyrat dhe shpenzimet duhet të tregojë llojin, shumën dhe burimin e të ardhurave. Në modelin e Estonisë, shohim se çdo parti në mënyrë periodike, çdo datë 5 të çdo fillim katërmujorshi paraqet një raport të kompletuar mbi të gjitha fondet e marra, duke përcaktuar saktë datën e marrjes, tipin e financimit, si dhe tregon burimin e këtij fondi. Në Shqipëri, konstatohet nga gjitha raportet vëzhguese se nuk ka një përcaktim të qartë mbi financimet private dhe subjektet, të cilat mund të jenë burime të financimit. Partitë politike, ndonëse ligjërisht njihen si subjekte juridike dhe ndonëse ato ndjekin të njëjtat procedura regjistrimi si subjektet e tjera, fshehin dhe nuk deklarojnë financimet private në zyrën e tatim-taksave. Mënyra se si operohet për financimet dhe shpenzimet e partive, shihet si një pengesë serioze për auditim. Kjo për shkak të shmangies që ato i bëjnë rrugëve bankare, duke pranuar hyrje-daljet në kesh. Në ligjin shqiptar për "Partitë politike, numër 8580), parashikohet mënyra e financimit vetëm duke vënë theksin më shumë te financimi shtetëror i tyre. Burimet parashikohen nga kuotat e anëtarësisë, pasuritë e fituara në mënyrë të ligjshme dhe ndihma financiare e dhënë nga buxheti i shtetit. Ky ligj përcakton se për të gjitha partitë, në momentin e krijimit të tyre, u jepet një ndihmë financiare nga shteti në vlerën 1 milion lekë të vjetra. Partitë parlamentare pajisen me ndërtesë për selinë e tyre qendrore dhe zyra vendore. Kur kjo është e pamundur shteti merr përsipër pagesën e qirasë. Ndonëse numri i partive politike bazuar mbi sistemin e ri zgjedhor, proporcional rajonal ka tendencën të ulet, Këshilli i Ministrave vijon të japë herë pas herë fond ndihme për parti të ndryshme.

Donacionet

Politika i hoqi KLSH-së të drejtën e auditit

Partitë politike me vullnetin e tyre të plotë ndikuan që pjesa e dhuratave dhe donacioneve të dilte nga sfera e kontrollit të strukturave shtetërore. Gjykata Kushtetuese, në vitin 2001, mori në shqyrtim çështjen me kërkues kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe objekt: "Shfuqizimin, si të papajtueshëm me Kushtetutën, të shprehjes ‘por do të mbulojë edhe dhuratat dhe ndihmat e përfituara në rrugë të tjera‘", në fjalinë e dytë të nenit 23, të ligjit nr. 8580, datë 17.02.2000, "Për partitë politike". Gjykata Kushtetuese çmoi se edhe dhuratat dhe ndihmat që partive politike u vijnë nga parti apo bashkime ndërkombëtare partish, organizata e fondacione politike vendase apo të huaja, të cilat njihen si burime financiare e materiale të tyre, nuk mund të jenë objekt kontrolli i këtij organi kushtetues. Referuar zgjedhjeve të fundit për pushtetin lokal, organizata "Transparency Internacional" në Tiranë, vlerësonte se "janë thyer bastet e vendosura në lidhje me paratë e shpenzuara në historinë e fushatave elektorale". Në raport nënvizohej fakti se deklarimet e burimeve të financimit dhe shumat përkatëse për partitë e mëdha vazhdojnë ashtu si në zgjedhjet e fundit parlamentare të jenë sërish të dyshimta dhe jo në përputhje me shpenzimet faktike dhe reale të tyre. Thembra e Akilit në financimin e partive mbeten donacionet private, pasi këtu mundësitë për të abuzuar janë më të mëdha. Të tilla donacione jo vetëm që janë me të vështirë për t‘u kontrolluar, por ato u japin donatorëve edhe disa të drejta mbi partitë politike, duke çuar në këtë mënyrë në deformim të procesit politik. Shpesh ndodh që kompanitë e biznesit japin fonde me bujari për të dy krahët politikë, për të shmangur kështu bezdisjet, pavarësisht nga rezultati i procesit zgjedhor.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›