E Diel, 1 Nëntor 2026

Antiheronjtë mjeranë!

Dritan Ylli 

Një komb që nuk e di çfarë ishte dje, nuk e di çfarë është sot, nuk mund ta dijë se çfarë është duke u përpjekur të bëjë... Kjo shprehje universale e një prej burrave më të mençur të historisë, Presidentit Willson, e bën moralisht të pavlefshëm vendimin e 27 anëtarëve të përkohshëm të Këshillit Bashkiak të Shkodrës, për të hequr nga sheshi qendror i qytetit një nga përmendoret më të njohura në arkitekturën moderne të popullit shqiptar. Sipas këtij vendimi, do të zhvendosen nga qendra e Shkodrës, ku qëndronin krenarë prej më shumë se 25 vitesh, pesë heronjtë e Vigut, për të ndërtuar në vend të tyre një shatërvan. Edhe ky vendim i Këshillit Bashkiak të Shkodrës, si shumë të tjera vendime të kohëve të fundit që janë të rëndësishme për popullin shqiptar, është marrë pa pyetur fare për mendimin dhe gjykimin e qytetarëve. Nxitimi i qëllimshëm për të vendosur pa pyetur popullin, nuk mund të mirëkuptohet kurrsesi nga opinioni qytetar dhe kombëtar. Për më tepër kur dihet se në asnjë vend të botës, sado i prapambetur të jetë, nuk hiqet një dëshmi e historisë kombëtare, për t’u zëvendësuar me një shatërvan!!
Shkodra hijerëndë mban në shtatin e saj disa përmendore vigane, që janë njëkohësisht emblema të dashura dhe krenarie të këtij qyteti të lashtë. Pesë heronjtë e Vigut, përmendorja e Isa Boletinit, apo qoftë dhe ajo më e reja e heronjve të 2 Prillit, ia shtojnë më shumë peshën dhe rëndësinë “djepit të kulturës”. Imagjinoni për një çast, shatërvanin që do të ndërtohet në vend të pesë heronjve madhështorë të Luftës Antifashiste, një kazino në vend të përmendores së Isa Boletinit të Pavarësisë, apo një hotel në vend të përmendores së djemve që u vranë për demokracinë. Do të ishte shumë fyese jo vetëm për çdo shkodran, por dhe për çdo shqiptar kudo që ndodhet. Vendimi që morën 27 anëtarë të Këshillit Bashkiak të Shkodrës, shkon shumë më përtej një vendimi të thjeshtë për zhvendosjen e një përmendoreje nga një shesh qendror i qytetit në pjesën më periferike të tij. Nisma të tilla, në dukje juridikisht të ligjshme, mbartin ngarkesa negative kundër vlerave kombëtare dhe përbëjnë një fenomen të rrezikshëm. Përmes një vendimi të tillë nuk zhvendoset thjesht një përmendore, por hidhen hije dyshimi mbi integritetin e memories kombëtare.  Anëtarët e Këshillit Bashkiak që dhanë votën për shpërnguljen fizike të pesë heronjve të popullit - me ndërgjegje të thellë apo jo -, kanë realizuar një tentativë për të shtyrë drejt periferisë kapituj të rëndësishëm të historisë së popullit tonë. Ndaj dhe vendimin e tyre nuk mund ta mirëkuptojë asnjë dhe asgjë.
Me pesë heronjtë e Vigut të Shkodrës, nuk janë të lidhur kultura dhe historia e Shkodrës, por e gjithë Shqipërisë. Mund të numërohen me gishta ata shqiptarë të shkolluar apo të shëtitur, që nuk e dinë historinë e pesë heronjve të Vigut, dhe të gjithë janë të njohur se monumenti i tyre ndodhet në një shesh në qendër të Shkodrës. Ky monument është bërë pjesë e jetës së përditshme të shkodranëve, por është dhe pamja e parë në vëmendjen e kujtdo që i ka rënë rasti të kalojë, qoftë dhe njëherë të vetme në qytetin verior plot hijeshi.
Në Shqipërinë post-komuniste rishikimi dhe rivlerësimi objektiv i historisë dhe pjesëve të veçanta të saj, është një detyrë e historianëve. Por, 27 anëtarë të përkohshëm të një këshilli bashkiak, nuk mundet që të krijojnë artifica të rrëmujshme mbi vlera që lidhen me simbole frymëzimi të historisë tonë kombëtare. Pesë heronjtë e Vigut, nuk kanë asnjë lidhje me një sistem që u instalua në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore. Ata janë heronj që dhanë jetën në fushë të betejës, si mijëra shqiptarë të tjerë që e renditën me krenari Shqipërinë në vendet kontribuuese të aleancës kundër paranojës të nazi-fashizmit.  
Ndaj pesë heronjtë e Vigut janë gdhendur në kujtesën historike për këtë kontribut të çmuar. Përçapjet e nxitura nga urrejtje të vogla ngjyrimesh politike, ngjajnë mjerane përkundrejt kauzës së madhe që dhanë jetën këta heronj.
Gjithsesi, vendimi i 27 anëtarëve të përkohshëm të Këshillit Bashkiak të Shkodrës, nuk është rast i shkëputur, por tendencë gjithaq e përkohshme e dhunimit të pamoralshëm të historisë së Shqipërisë. Ky ishte një tjetër akt pasues i një “seriali killer” të kulturës dhe historisë së popullit tonë. 
Vetëm pak muaj më parë opinioni publik u ndesh me një kërkesë mjaft të çuditshme të një rektori kryeneç, për t’i hequr emrin e Ismail Qemalit, Universitetit të Vlorës. Por, jo vetëm kaq. Mediat raportojnë çdo ditë për një varg shkatërrimesh dhe dhunimesh të monumenteve të kulturës, apo të denigrimit të personaliteteve dhe vetë simboleve tona kombëtare. Këta janë frymëzuar natyrisht edhe nga kërkesa e përsëritur që vetë Kryeministri aktual ka bërë për të rishikuar historinë dhe personalitetet, apo dhe simbolet kombëtare. Të tilla përpjekje ngjajnë me të vërtetë mjerane.
Ndërkohë që në vendet e kulturës perëndimore, apo dhe më gjerë kudo në botë, shteti shpenzon miliona për të gjetur një monument apo qoftë dhe ndonjë varr të lashtë për të provuar ekzistencën ndër vite dhe shekuj, në Shqipëri bëhet e kundërta. Largohen në periferi ose hiqen fare simbolet kombëtare apo dëshmitë historike. Por, përpjekjet e disa këshilltarëve të përkohshëm, atiheronj mjeranë të panjohur, mund të largojnë një monument në kthina që nuk bien në sy, por nuk mund të fshijnë nga kujtesa e njerëzve kurrsesi heronjtë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›