Koncerti i Madonës, “Eagle Mobil” çon në Budva një mijë të rinj shqiptarë
Të paktën 27 autobusë, me rreth 1000 persona u nisën dje paradite dhe mbërritën në Budva të Republikës së Malit të Zi, për të marrë pjesë në koncertin “yllit” të muzikës pop, Madona. Koncerti që u mbajt dje në mbrëmje në qytetin turistik të Budvës, për një publik nga i gjithë rajoni ballkanik, ishte dhe qëllimi i këtij turi me titullin “Po shkojmë te Madona”, i organizuar nga kompania më e re e telefonisë celulare në vend “Eagle Mobile”. Grupet e organizuara nga Tirana kanë mbërritur dje rreth orës 13:00 në pikën kufitare të Muriqanit, rreth 120 km larg Tiranës, ndërkohë që karvanit të gjatë të autobusëve i janë bashkuar edhe rreth 100 makina private me targa të Tiranës. Për të siguruar pjesëmarrjen në këtë koncert, adhuruesve të Madonës u ka ardhur në ndihmë, përmes një shorti, kompania celulare "Eagle Mobile", e cila u ka garantuar udhëtimin dhe biletat falas, ndërkohë që shumë fansa kanë paguar 35, 75 dhe deri në 200 euro për biletat që kushton zona VIP (e limituar). Sipas planit të turneut, koncerti do të zgjasë pak më shumë se dy orë. Madona dhe ekipi do t'i prezantojnë këngët nga albumi më i ri, si edhe disa nga hitet e saj më të njohura, tani në version të ri. I gjithë koncerti do të jetë nën shenjën e iniciativës për ruajtjen e planetit. Madona është vendosur në apartamentin presidencial të hotelit "Splendid" në Budva. Një shërbim special i policisë, që do të qëndrojë në shërbim për 24 orë pa ndërprerje, është vendosur në Urën e Bunës, e vetmja pikë që lidh qytetin e Shkodrës me aksin rrugor që shkon në Muriqan. “Ikona” e popit, Madona, ka mbërritur në Mal të Zi në kuadër të turneut botëror "Sticky & Sweet Tours", pas disa koncertesh në më shumë se 10 shtete të Europës, si Francë, Gjermani, Angli, Austri, Itali etj. Më pas këngëtarja do të vazhdojë turin e saj në Greqi, për t’u larguar për në kontinentin e largët amerikan, në SHBA, Kanada, për të përfunduar më 21 dhjetor 2008 në qytetin e Sao Paulos, në Brazil.
26 Shtator 2008