Hysa: “Misri”, qeveria e kapur nga monopolet
Deputeti i PS-së, Ndriçim Hysa gjatë diskutimit të tij në Kuvend theksoi se opozita do t’i shkojë deri në fund çështjes së skandalit të misrit. “Ne si opozitë, këtij skandali do t’i shkojmë deri në fund, duke nxjerrë para ligjit shkaktarët dhe duke dëmshpërblyer fermerët për prodhimin e munguar. Ky skandal dëshmoi se sa fort është e kapur qeveria nga monopolet. Pudrosjet mediatike nuk bëjnë gjë tjetër, veçse forcojnë bindjen se qeveritarët tanë janë në panik e se dehja e korrupsioni i bën ata të shkelin çdo ligj. Kjo tregon se sa larg jeni ju për të përmbushur standardet e BE–së dhe të integrimit të Shqipërisë në të. Papërgjegjshmëria e qeverisë suaj po stimulon në treg monopolet”, deklaroi Hysa. Ai theksoi se “mbas farës së misrit steril, një skandal tjetër përfshiu Fushën e Korçës me hibridin steril të patates”.