Parkingjet nëntokësorë, Bashkia gati përcaktimin e mënyrës së koncesionit
Emanuela Sako
Procedurat për ndërtimin e parkingjeve nëntokësorë ende nuk kanë mbaruar, por do të diskutohen në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak. Kështu, anëtarët e Këshillit Bashkiak do të diskutojnë projektvendimin për përcaktimin e formës së dhënies me koncesion të dy parkimeve nëntokësorë, në qytetin e Tiranës. Bashkia e Tiranës ka bërë propozimin e saj për një nga mënyrat koncensionare që parashikohen në ligj. Kështu, forma e dhënies me konçension e propozuar nga Bashkia e Tiranës është forma BOT (build, operation, transformation, që do të thotë ndërtim, shfrytëzim, transferim). Sipas procedurave të parashikuara në ligj, transferimi nënkupton që pas shfrytëzimit për një periudhë kohore të caktuar, firmat do të duhet t’ia dorëzojnë Bashkisë së Tiranës administrimin e parkingjeve nëntokësore. Sipas disa burimeve të Këshillit Bashkiak, forma e dhënies me koncesion do të jetë një nga pikat më të debatuara të anëtarëve, pasi nuk dihet ende nëse parkingjet do të kenë pronësinë e përhershme të kompanive apo do të kenë një leje shfrytëzimi në bazë të kontratës disa vjeçare. Një nga mënyrat e dhënies me koncesion të parashikuara në ligj, është që kompanitë mund ta shfrytëzojnë biznesin për parkimet nëntokësorë deri në 35 vjet dhe më pas të kalojë nën pronësinë e Bashkisë së Tiranës.
Parkingjet
Çështja e parkingjeve ka nisur me kërkesë të dy kompanive “Taiwan” shpk dhe “Gender 2” shpk. Bashkia e Tiranës ka shqyrtuar dokumentacionin e nevojshëm dhe i kërkoi qeverisë të jepte të drejtën për dhënien me koncesion, ndërsa qeveria me anë të një vendimi vendosi me autoritet të plotë Bashkinë e Tiranës për gjetjen e formës së dhënies me koncesion, sipas parashikimeve të bëra për ligjin e koncesioneve. Në këtë mënyrë bashkia ka të drejtë të japë me koncesion, duke përcaktuar formën e dhënies. Pas përcaktimit të formës së koncesionit, do të përcaktohet kompania që do të fitojë tenderin. Kështu, pritet që Këshilli Bashkiak të diskutojë lidhur me këtë çështje, ku pritet të rihapen debate të forta, pasi që në fillimet e propozimit për ndërtimin e parkingjeve debatet politike u nxitën, duke akuzuar bashkinë për prishjen e ambienteve publike dhe betonizimin e zonës së ish-Parkut “Rinia” apo sheshit “Italia”.
Debatet
Në projektvendimin e hartuar për formën e dhënies me koncesion të parkingjeve nëntokësorë, nuk janë përcaktuar tarifat për parkimin e automjeteve. Burime nga Këshilli Bashkiak, shprehen se drejtuesit e këshillit kanë kërkuar që relacioni të jetë i plotë, ku të përfshihen të gjitha tarifat për automjetet. Projekti për ndërtimin e parkingjeve është në bazë të masterplanit të qendrës së Tiranës, i cili është hartuar me konkurs ndërkombëtar nga studioja franceze “Architecture Studio” në vitin 2003 është miratuar nga Qeveria Shqiptare në vitin 2004. Projekti synon të ndryshojë kryeqytetin, duke e zhvendosur atë më parametrat e qyteteve europian. Projekti synon të ruajë tradicionalen të ndërthurur me moderne. Por, njëkohësisht kërkon që ndërtimet e reja të jenë sa më funksionale për qytetarët. Të mirat që do të sjellë ky projekt, janë sepse qendra e Tiranës nuk do të ketë më makina të parkuara në të gjitha pjesët anësore të saj. Njëkohësisht nuk do të ketë më bllokim të trafikut, ku në ditë të veçanta shoferët e automjeteve u duhet mjaft kohë për të dalë nga qendra. Bizneset në këtë zonë do të jenë të privilegjuar, pasi do të kenë më tepër klientë, pasi qytetarët që kërkojnë të ulen në një kafe apo ata që kanë punë dhe bizneset afër, nuk dinë ku të parkojnë më parë makinën. Kështu, qyteti do të çlirohet nga parada e makinave luksoze apo të thjeshta që vërtiten rreth e rrotull disa herë për të gjetur një vend parkimi. Po kështu, makinat do të jenë nën kontrollin e rojeve dhe nuk do të ketë më rrezik për vjedhje apo dëmtim të makinave. Madje, ajo që është edhe më e rëndësishme është fakti se fasada e qytetit do të jetë pa një mori makinash dhe do të shtohet më tepër gjelbërimi.
Projekti
Në projektin e ri për kryeqytetin ishte parashikuar ngritja e 9 parkingjeve në zonat më të populluara, ndërkohë që qeveria lejoi ngritjen e vetëm dy parkingjeve, atë të Parkut “Rinia” dhe të sheshit “Italia”. Parkingu në parkun “Rinia” do të ndërtohet me disa kate nëntokë, ndërsa sipërfaqja e tij do të mbetet e gjelbër, ku do të ketë dhe shtim të pemëve. Për më tepër mendohet që të shtohet gjelbërimi dhe infrastruktura e domosdoshme publike mbi këtë park dhe parkingjet. Aktualisht Bashkia e Tiranës ka bërë publike disa detaje për ndërtimin e parkingjeve, pasi projekti përfundimtar do të jepet pas kryerjes së tenderit për firmën që do të dalë fituese në muajin nëntor. Kështu, sipas bashkisë dy parkingjet do të jenë në distancën 500 metra nga njëri-tjetri. Madje të 9-të parkingjet nëntokësorë që ishin parashikuar të ndërtoheshin do të ruanin këtë distancë nga njëri-tjetri. Brenda parkingut do të jenë të vendosur një numër mjaft i madh makinash, duke plotësuar nevojat e rezidentëve të kësaj zone, institucioneve dhe vizitorëve të qendrës. Sheshi ”Skënderbej” dhe disa pjesë të tjera që prekin qendrën e qytetit do të kthehen në zona këmbësorësh. Kështu, dy parkingjet e para nëntokësore në Tiranë që do të heqin rrethimin e makinave nga parku Rinia, nga sheshi “Nënë Tereza” dhe do të çlirojnë mjaft trafikun po edhe hapësirat e lëvizjes së këmbësorëve në zemrën e kryeqytetit.
26 Shtator 2008