E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis asfaltimi i rrugës Rrëshen-Kalimash

 

fabiola Çela

Firma amerikano-turke i ka dhënë formë përfundimtare rrugës Rrëshen-Kalimash. Të dhënat e fundit nga konsorciumi “Bechtel& Enka”, tregojnë se deri në mes të shtatorit ka përfunduar ndërtimi i shtatë urave dhe është avancuar në më shumë se gjysmën e tij, hapja e supertunelit. Por shpresa se rruga, ose më saktë segmenti themelor i saj, po merr formë përfundimtare e tregon shtresa e parë e asfaltit. E hedhur për provë cilësie, kontraktorët kanë shtruar rreth 500 metra rrugë të re me asfalt në dalje të tunelit. Nga ana tjetër, sipas të dhënave, urat e përfunduara kanë filluar kolaudimin, pasi ato po përdoren për kalimin e makinerive, që ndihmojnë në shtrimin e rrugës.
Ecuria
Segmenti Rrëshen-Kalimash, prej 60 km, përfshin edhe 27 ura si dhe tunelin prej 6 kilometrash. Sipas të dhënave nga kompania “Bechtel & Enka”, mësohet se po vazhdon puna në të gjithë gjatësinë e rrugës 60 km. Deri tani nga dy impiante e prodhimit të betonit janë prodhuar 385 trarë. Nga trarët, që shërbejnë për urat, janë instaluar deri më 26 shtator 190 copë që kanë kompletuar 7 ura. Këto ura, sipas burimeve, aktualisht përdoren nga mjetet e kompanisë për të lehtësuar trafikun. Por punimet për ndërtimin e urave nuk kanë përfunduar me kaq. Mësohet të jenë ndërtuar bazamentet dhe këmbët mbajtëse edhe për 15 ura të tjera. Ndërkohë, që më datë 23 shtator nisi puna për vendosjen e trarëve në urën më të lartë në këtë aks. Lartësia e kësaj ure arrin në 80 metra. Deri më 26 shtator, sipas të dhënave, janë gërmuar 25 milionë metër kub material, duke përdorur 9 milionë metër kub material mbushës si dhe janë vendosur 151.000 metra kub struktura betoni. Ndërkaq, vetëm pak ditë më parë, më 24 shtator ka përfunduar asfaltimi në një seksion provë, në afërsi të portalit verior të tunelit. Bëhet fjalë për pjesën në dalje të tunelit. Pas testeve të nevojshme të kryera, do të vazhdohet asfaltimi në seksionin 3 (nga portali verior i tunelit deri në Kalimash), pra pjesës fundore të rrugës që ka marrë përsipër “Bechktel & Enka”.
Tuneli
Po punohet njëkohësisht në të dy tunelet, në të dyja hyrjet veri dhe jug paralelisht. Deri pak ditë më parë progresi total i kombinuar në të dy galeritë e tunelit është 6.8 kilometra. E thënë ndryshe nga 12 kilometra tunel që duhet të hapet për të dy korsitë (rrugët janë parashikuar me nga katër korsi, dy vajtje dhe dy ardhje), deri tani është hapur më shumë se gjysma e tyre. Për realizimin e këtyre punimeve kompania po përdor një numër të madh makinerish. Bëhet fjalë për 1300 makineri të tipave të ndryshme. Në pajisjet e mëdha përfshihen dy nyje asfalti, një në Klos dhe një në Kukës, 5 sonda për të hapur tunelet, dy lancera për trarët e urave, 2 impiante të prodhimit të trarëve të paranderur të urave, 6 nyje betoni, dy gurore, 6 vinça të lartësive dhe peshave të mëdha, 380 kamionë, 92 ekskavatorë. Sipas burimeve, aktualisht janë 3.700 punëtorë që punojnë në projekt. Në fund të muajit gusht, projekti arriti në total 13.4 milionë orë punë.

Të dhëna për projektin

Rrëshen deri në Kalimash    60.85 kilometra
Rrëshen deri në Reps         19.5 kilometra
Reps deri në Thirra         26.5 kilometra
Thirra deri në Kalimash     14.85 kilometra
Ndërtim urash të reja        27 copë
Ndërtim i përfunduar         7 ura
Ndërtim aksesorësh        385 trarë urash
Janë instaluar            190 tratë urash
Ura më e lartë            80 metra (nis mbyllja)
Gërmime            25 milionë metër kub
Betonime            151 mijë metra kub
Makineri            1300 copë
Të punësuar            3.700 punëtorë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›