E Diel, 1 Nëntor 2026

Indekset e korrupsionit dhe indekset që mungojnë

Blendi Kajsiu 

Lajmi i mirë që solli “Transparency International” në lidhje me përmirësimin e ndjeshëm të Shqipërisë në renditjen e korrupsionit botëror, nuk mund të vinte në një kohë më të keqe. Pas vdekjes së Kosta Trebickës dhe rihapjes së çështjes “Gërdeci”, çdo raport që thotë se korrupsioni në Shqipëri është ulur do të pritej me skepticizëm. Aq më tepër që në kohë më të begata për luftën anti-korrupsion të qeverisë aktuale, “Transparency International” e ka renditur Shqipërinë shumë më ulët se sot, kur ekzekutivi shikohet gjithnjë e më me dyshim si i përfshirë në aferën e Gërdecit. E megjithatë asnjëra nga palët nuk e vë në dyshim vlefshmërinë e raportit të fundit të “Transparency International”, apo kufizimet e indeksit të tij. Pikërisht këtu buron edhe ngërçi i që ka prodhuar ky raport.
Në ngërç është opozita, e cila shpesh në akuzat që i ka bërë qeverisë është bazuar pikërisht në raporte të këtij lloji. Kështu, sondazhi më i fundit i IDRA-s i financuar nga USAID në lidhje me perceptimet e korrupsionit në Shqipëri, së bashku me vërejtjet e një sërë institucionesh ndërkombëtare u përdor dendur nga opozita për të argumentuar se ekzekutivi ka dështuar në luftën anti-korrupsion. Në fakt, opozita e sotme dhe sidomos Partia Socialiste, në zellin e saj për të qenë e moderuar, “objektive” dhe moderne në kritikat e saj ndaj ekzekutivit, nuk shkon më tej sesa raportet ndërkombëtare apo deklaratat e ndonjë ambasadori të irrituar. Ajo nuk thotë asgjë më shumë, dhe shpesh thotë më pak sesa ajo që thonë ndërkombëtarët në lidhje me ekzekutivin. Prandaj sot kur raporti i “Transparency International” thotë se indeksi i korrupsionit në Shqipëri është përmirësuar ndjeshëm nga 2.9 në 3.4, opozitës nuk i mbetet gjë tjetër veçse të përgëzojë ekzekutivin për arritjet e tij në luftën anti-korrupsion.
Megjithatë edhe ekzekutivi që me të drejtë po i gëzohet një raporti të tillë, është në një ngërç të thellë. Shumë pak kohë më parë deputetë të ekzekutivit iu kundërvunë sondazhit të IDRA-s, me argumentin se ai reflektonte perceptimet dhe jo realitetin në lidhje me korrupsionin. Dhe këtu ata kishin të drejtë, pasi sondazhi në fakt tregonte se perceptimi i qytetarëve në lidhje me nivelin e korrupsionit në vend ishte rritur. Ama, edhe indeksi aktual i “Transparency International” mat perceptimet më shumë sesa realitetin e korrupsionit në Shqipëri. Jo më kot ai quhet Corruption Perception Index, CPI (Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit).  Prandaj kur po të njëjtët deputetë i referohen perceptimit të “Transparency International” për të treguar se Shqipëria ka bërë progres në luftën anti-korrupsion, ata duhet gjithashtu të pranojnë se sipas perceptimit të qytetarëve të matur nga IDRA qeveria ka dështuar në luftën anti-korrupsion. 
Natyrisht çdokush ka të drejtë të argumentojë se perceptimi i “Transparency International” në lidhje me korrupsionin në Shqipëri është më i saktë sesa ai i qytetarëve shqiptarë. Në fund të fundit, “Transparency International” është një agjenci më e specializuar dhe me më shumë ekspertizë në fushën e korrupsionit. Gjithsesi në fund të fundit kemi të bëjmë me dy perceptime. Nga njëra anë kemi një perceptim që vjen nga jashtë, pasi indeksi i “Transparency International” bazohet shumë tek perceptimi i ekspertëve dhe bizneseve të huaja në lidhje me një vend të caktuar. Nga ana tjetër, kemi një perceptim të korrupsionit nga ana e qytetarëve shqiptarë, që më shumë sesa me korrupsionin në vetvete lidhet me situatën ekonomike në vend, me gjendjen e tyre financiare dhe me pakënaqësinë që ata kanë në lidhje me procesin politik. Në fakt, sondazhi i IDRA-s tregonte se qytetarët nga njëra anë kishin më pak eksperiencë me korrupsionin në nivel administrativ dhe njëkohësisht perceptime të rritura të nivelit të korrupsionit në nivel politik.
Kështu që nuk është aspak çudi që mes këtyre dy perceptimeve indeksi i “Transparenci International” të jetë shumë më i saktë sesa perceptimet e qytetarëve shqiptar. Por kjo nuk e bën këtë indeks më të vlefshëm. Në fund të fundit ai është një indeks që na tregon se si na shohin të tjerët. Ndërkohë ajo që është e rëndësishme është të kuptojmë se si e shohim ne veten, se çfarë është e rëndësishme për ne dhe jo për “Transparency International”. Por për këtë na duhen një sërë indeksesh që ende na mungojnë. Minimalisht do na duhej një indeks i saktë dhe periodik i nivelit të papunësisë, që zyrtarisht ka nja dhjetë vite që mbetet dhe nuk lëviz rreth shifrës 13-14%. Na duhet një indeks i qartë i të ardhurave, i perceptimit të gjendjes ekonomike, i dëshirës së njerëzve për të qëndruar apo për t’u larguar nga Shqipëria, e kështu me radhë. Këto dhe një sërë indeksesh të ngjashme do na tregonin më qartë se si është gjendja ekonomike, sociale dhe politike në Shqipëri, se sa të kënaqur ose jo janë qytetarët me qeverisjen, dhe cilat janë arritjet e kësaj të fundit. Për të shkuar tek këto indekse duhet që, së pari, të tejkalojmë diskutimin pafund në lidhje me indekse apo perceptime të korrupsionit, ku ngatërrohen metodologjikisht dhe konceptualisht një sërë fenomenesh të palidhura më njëra–tjetrën, që nga ryshfeti në spitale deri te krimi i organizuar.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›