E Diel, 1 Nëntor 2026

Rënia e “kullave” financiare dhe frika për të ardhmen

Bardhyl Minxhozi 

Shtatori nuk qenka me fat për amerikanët. Ngjarjet në industrinë financiare në mesin e shtatorit të këtij viti shokuan botën. Rënia brenda natës të dy prej gjigantëve financiarë të botës, AIG dhe Lehman Brothers, ishte në fillim po aq mosbesuese sa dhe goditja terroriste e kullave binjake të Nju Jorkut më 11 shtator, shtatë vite më parë. Për të kuptuar përmasat e AIG, mjafton të themi se është kompania e sigurimeve më e madhe në botë, me 1 trilion asete. Nuk ka qoshe të botës dhe linja biznesi të rëndësishme ku të mos jetë prezent AIG. Slogani i saj ishte “Në garantojmë nga A deri tek Z”. Asetet e pafund nuk e ndihmuan nga rënia. Gabimi në një segment të tregut i kushtoi gjithçka. Ky është një nga mësimet kryesore të kësaj krize: gabimet paguhen shtrenjtë!
Ndërkaq po kaq i papritur ishte dhe reagimi qeverisë amerikane, e cila me një vendim rrufe bleu për 85 miliardë US dollarë pjesën dërmuese të aksioneve të AIG. Ky shtetëzim i menjëhershëm ishte vazhdim i ndërhyrjeve të shtetit amerikan në dy bankat e tjera të shtëpive, që kishin falimentuar muaj më parë. Ndërkohë këto ditë në SHBA po diskutohet për një ndërhyrje të shtetit në industrinë financiare me 700 milionë USD. Ideja bazë e kësaj ndërhyrje është, – shpëtimi - i disa institucioneve të mëdha financiare me të cilat janë të lidhura e ardhmja e tregut të kapitalit, e bizneseve të tjera të mëdha, punësimi i milionave vetë etj. Papunësia në SHBA arriti rekordin e viteve të fundit në 6.1%. Priten përkeqësime të mëtejshme në këtë tregues si edhe në të tjerë. Të gjithë pyesin kush e ka radhën?!
Kuptohet që mjaft pyetje janë ngritur dhe shumë debate janë hapur. Disa i referohen krizës së viteve ’30, për të kuptuar se çfarë po ndodh sot. Të tjerë e shikojnë krizën në standardet e mbikëqyrjes si dhe në pamundësinë e kontrollit të gjigantëve që shtrihen në të gjithë botën. Pyetja qendrorë është - çfarë ka shkuar keq në sistemin më të zhvilluar financiar të botës? Pa përgjigjen e kësaj pyetjeje, ka dyshime që edhe rikapitalizimi i shpejtë dhe në përmasa të mëdha nuk mund të zgjidhë problemet e rënda të tregut financiar. Frika më e madhe qëndron se edhe pas ndërhyrjes, kriza mund të kthehet përsëri. Ajo që quhet - “besimi” - tek sistemi financiar është lëkundur keq. Qytetari i thjeshtë është tashmë konfuz dhe ka frikë për të ardhmen e tij.
Pavarësisht që kriza është përqendruar në SHBA dhe pjesërisht në BE, e gjithë bota është shtangur dhe po ndjek lëvizjet e qeverisë amerikane dhe të Federal Rezerve-s. Ekonomia amerikane ka ndikim të padiskutueshëm në të gjithë globin. Kjo vjen jo vetëm për shkak të dollarit si një monedhë botërore, por edhe sepse në “Wall Street”  qarkullon shumica e kapitaleve të botës. Nuk ka dyshim që është në interes të të gjithëve, më mirë një ekonomi amerikane e stabilizuar, se sa në krizë, pavarësisht nga diferencat dhe interesat e ndryshme që mund të kenë vendet e BE-së dhe vendet e mëdha në zhvillim si Kina, India, Kina dhe Rusia. Në një mënyrë apo në tjetër, në kushtet e globalizimit, kriza amerikane i ka prekur të gjithë. Në rastin më të mirë, të gjithë lojtarët e industrisë financiare, qeveritë, rregullatorët, kanë mbajtur frymën duke kontrolluar vetveten, modelet, rregullat, bilancet dhe ku i kanë vendosur apo investuar paratë e tyre. Të gjithë po flasin për rishikimin e rregullave të kapitalit të kërkuar, për kontrollin e aseteve të produkteve financiare etj. Mbase brenda sistemit të tanishëm financiar ka ardhur koha për ndryshime të mëdha.
Për ironi të fatit më të mbrojturat ose më pak të dëmtuarit të krizës financiare të Perëndimit janë vendet që e kanë industrinë financiare më pak të zhvilluar. Duke mos qenë pjesë integrale e sistemit të zhvilluar financiar, këto vende nuk e kanë ndjerë ende direkt goditjen e tërmetit të SHBA-së. Në këtë grup vendesh hyn edhe vendi ynë. Ekonomia reale, ku veprimet në “cash” janë dominuese, informaliteti, investimet në letrat me vlerë kryesisht afatshkurtra, mungesa e tregut të kapitalit, janë disavantazhe që fatmirësisht na kanë “mbrojtur” deri tani. Por a duhet të kemi frikë dhe ne shqiptarët nga rënia e “kullave” financiare në SHBA?
Kriza në SHBA filloi me rënien e tregut të pasurive të patundshme, e cila ndikoi automatikisht në perfomancën e bankave. Kërkesa për pasuri të patundshme, sidomos për shtëpi, mund të pësojë rënie drastike e për rrjedhim mund të ulë vlerën e kolateraleve. Nga ana tjetër, shumica e bankave në Shqipëri janë pronë e bankave të vendeve të BE-së. Një lëkundje në ndonjë prej tyre mund të ketë ndikim negativ në sistemin tonë financiar. Më tej, fluksi i remitancave nga emigrantët mund të zbehet gjithashtu për shkak të krizave të mundshme financiare në vendet e BE-së. Rritja e menjëhershme e inflacionit në vendet të tjera mund të ndikojë negativisht në rritjen e çmimeve në tregun e brendshëm (për shkak të importeve të mëdha), në shtrenjtimin e jetës, në kufizimin e ofertës për kredi etj.
Është lajm i mirë që Shqipëria vazhdon të ketë rritje të lartë ekonomike dhe se sistemi bankar ka patur zhvillime pozitive vitet e fundit. Por kjo nuk është gjithçka dhe nuk mund të na mbrojë nga ato që po ndodhin dhe mund të ndodhin në botën përreth. Natyrisht që edhe ne shqiptarët duhet të jemi më të kujdesshëm dhe të shqetësuar se para këtij shtatori! Bota financiare dhe ekonomia botërore do të jetë ndryshe pas rënies së “kullave” financiare në SHBA, shtatorin e vitit 2008!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›