E Shtunë, 31 Tetor 2026

Antikanabisi, propozohet ndalimi i kultivimit të kërpit industrial

Afrimi i periudhës kur në zonat e thella malore të Qarkut Shkodër fillon kultivimi i bimës narkotike kanabis sativa, ka bërë që prefekti i Shkodrës, Magjid Cungu, të zhvillojë një takim me drejtuesit e komunave të thella malore, drejtuesit e policisë dhe specialistë të drejtorisë së ushqimit në qark. Në takim ishte i pranishëm dhe drejtori i Policisë së Rendit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Nazmi Kotarja, i cili në fjalën e tij u bëri thirrje drejtuesve të policisë lokale dhe të komunave të thella, të reflektojnë ndaj statistikave të një viti më parë, kur Shkodra ishte në hartën e qarqeve problematike për sa i përket kultivimit të bimëve narkotike.

Ndërkohë në këtë takim interes pati edhe ideja e drejtorit të Bujqësisë dhe Ushqimit, Guri Beshi, i cili deklaroi se është bërë një propozim në Ministrinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, ku kërkohet të ndalohet kultivimi i kërpit industrial, që është në një familje me bimën kanabis sativa.

Kjo ngjashmëri, sipas drejtorit të Bujqësisë dhe Ushqimit në Shkodër, ka bërë që të ketë përplasje mes policisë dhe kultivuesve, ndaj edhe është bërë ky propozim, që nën pretekstin e kërpit të mos kultivohet kanabis. Dallimi mes dy bimëve është shumë i vështirë dhe mund të bëhet me saktësi vetëm nga laboratorët e specializuar. Por ky propozim është hedhur poshtë nga Ministria e Bujqësisë, e cila është shprehur se nuk ka asnjë hapësirë ligjore që të pengojë kultivimin e kërpit industrial.

Një përplasje e tillë ka ndodhur mes kultivuesve të Shkrelit dhe Policisë së Shkodrës. Beteja ligjore mes palëve ka zgjatur për disa vite dhe në fund, policia është detyruar të dëmshpërblejë fermerët. Ndërkohë, drejtori i Policisë së Qarkut Shkodër, Vullnet Topalli, është shprehur se pavarësisht se jemi në një situatë parazgjedhore, vëmendja e policisë do të jetë maksimale për parandalimin e kultivimit të lëndëve narkotike. Qarku i Shkodrës vitet e fundit është futur në zonat problematike për sa i përket kultivimit të bimëve narkotike. Një vit më parë u asgjësuan rreth 80 mijë rrënjë kanabis sativa në zonat e Bogës, Mazrekut dhe Shkrelit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›