E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi i derrit në Greqi, shtohen kontrollet në kufi

Rasti i parë i prekjes nga gripi i derrit në Greqi ka bërë që të shtohen masat në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës për parandalimin e rasteve të dyshimta dhe që paraqesin viroza. Fakti se virusi po u afrohet kufijve të vendit tonë, me një rast të konfirmuar në shtetin grek, ka bërë që në këtë vendkalim kufitar të vazhdojë dezinfektimi i mjediseve dhe, nga ana tjetër, të shtohet kontrolli ndaj shtetasve që vijnë nga Greqia. Të gjithë të regjistruarit në sportele pyeten për destinacionin nga kanë ardhur dhe më tej nëse kanë shenja të ndonjë viroze dhe temperaturë. Edhe pse në hyrje të territorit shqiptar, gjatë këtyre ditëve nuk ka pasur një numër të lartë të ardhurish të regjistruar në sportelet e kësaj pike kufitare, personat që janë paraqitur në sportele janë marrë në pyetje dhe më tej i janë nënshtruar një tjetër intervistimi nga ana e specialistëve të shëndetit publik. Nga të dhënat, deri tani rezulton se nuk ka shtetas të kontaminuar që të ketë hyrë nga ky vendkalim, megjithatë, siç konfirmojnë inspektorët, kryhet monitorimi i situatës dhe spërkatja me dezinfektues gjatë ditës.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›