Kanos bashkëfshatarin, prangoset polici i burgut
Një punonjës i policisë së burgut të sigurisë së lartë në Korçë është denoncuar për kanosje dhe tentativë vrasjeje. Ka qenë një 37-vjeçar ai që ka denoncuar policin Ilir Spahiu për akuzat e rënda, ndërkohë që mësohet se gjithçka ka nisur për politikë. Një sherr për bindje partiake të ndryshme, ka çuar deri në thellimin e konfliktit mes efektivit të burgut të Korçës dhe 37-vjeçarit Andri Hoxha. Debati është nxehur dhe polici i burgut ka tentuar të qëllojë me armën e shërbimit. Sipas variantit zyrtar që servir policia lokale, një nga punonjësit e burgut të sigurisë së lartë në Korçë është vënë në pranga nga ana e kolegëve të tij kur me armën e shërbimit ka kërcënuar një shtetas. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Cangonj rreth orës 3.30 të ditës së djeshme. Pasi kishin dalë në gjendje të dehur nga një lokal, debati lidhur me partitë politike mes Spahiut dhe Hoxhës që ishte nisur brenda, ka vijuar dhe degjeneruar në përplasje fizike. Burime të policisë kanë deklaruar se ndërsa polici Ilir Spahiu gjatë sherrit është qëlluar me grushte, ka nxjerrë armën e shërbimit dhe ka tentuar të qëllojë në drejtim të 37-vjeçarit, por në fakt një plumb i vetëm është shkrepur në ajër, pa e prekur Hoxhën. Sipas të dhënave të policisë, të dy personat kanë qenë në gjendje të dehur, pasi kishin konsumuar sasi të mëdha alkooli në lokalin e fshatit. Kjo konfirmohet edhe nga dëshmitarët e ngjarjes. Versioni zyrtar që ka dhënë policia për këtë ngjarje ka qenë ai i kanosjes së 37-vjeçarit Hoxha, nga ana e policit të burgut për motive banale, por burime të sigurta kanë konfirmuar se debati mes tyre ka nisur që në ambientet e brendshme të lokalit për motive politike. Pas denoncimit të 37-vjeçarit, Ilir Spahiu është arrestuar nga uniformat blu lokale, ndërsa ndaj tij rëndon akuza e vrasjes së mbetur në tentativë. Policia ka bllokuar në cilësinë e provës edhe armën e shërbimit të policit të burgut, ndërsa materialet u kanë kaluar organeve kompetente për t‘u hetuar më tej.