E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria ulet në tryezën e NATO-s

 

ADI SHKEMBI

Kryeministri Berisha sqaron mungesën e tij në darkën zyrtare në ditën e parë të Samitit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Njëkohësisht sqarohet edhe arsyeja e pjesëmarrjes me dy përfaqësues të Shqipërisë e Kroacisë në tryezën e samitit.Pak orë pas marrjes së dokumentit nga Tirana zyrtare, e cila shënon edhe anëtarësimin në Aleancë, zbardhet misteri i ngritur ditën e parë të Samitit, ku Presidenti Topi ishte i vetmi përfaqësues i lartë nga Shqipëria në tryezën e shtruar nga organizatorët në Baden-Baden të Gjermanisë. Në fjalën e tij para mediave, kreu i qeverisë theksoi se pas anëtarësimit, mbyllet një kapitull shekullor pasigurie për vendin dhe hapet një epokë e re. Por gjatë takimit me mediat, Berisha u pyet edhe për mungesën e një nate më parë. “Pushtetet në Shqipëri janë të ndara. Dhe, po qe se pushtetet janë të ndara, natyrisht edhe konferencat janë të ndara. Unë mbrëmë kisha ftesë për koncertin në Baden–Baden, por për disa arsye personale nuk mora pjesë. Pra, kjo është përgjigjja ime. Tani, për sa i përket ditës së djeshme, e vërteta është se rrethanat kanë qenë të tjera. E djeshmja vjen për faktin se delegacioni kroat ishte me banim në Baden–Baden”, u shpreh Kryeministri Berisha dje. Ndërkohë në të njëjtën linjë duket se ka qenë edhe kreu i shtetit, Bamir Topi, lidhur me daljen e tyre veç e veç në konferencat për shtyp. Gjatë një interviste në “Top Channel”, Presidenti u shpreh se delegacioni shqiptar ka qenë i bashkuar gjatë qëndrimit të tij në Samitin e NATO-s, por ka qenë protokolli i Aleancës ai që ka specifikuar lëvizjet e ndara të 24 orëve të fundit. “Kemi ardhur të gjithë këtu, kemi korrur një sukses të përbashkët dhe kontribuues janë të gjithë”, theksoi Topi.
Përfaqësimi në NATO
Përveç mungesës së kreut të qeverisë në darkën e parë të Samitit në 60-vjetorin e aleancës, një tjetër çështje që ka ngjallur interesimin e mediave në Strasburg ka qenë edhe mënyra se si Shqipëria do të përfaqësohet në Aleancë në mbledhjet e ardhshme.
Në samitin e djeshëm organizatorët kishin bërë një zgjedhje të detyruar. Tryeza me 28 karrike ishte shtuar me dy të tjera. Kjo për t’i mundësuar Shqipërisë dhe Kroacisë të merrnin pjesë me kryeministrin dhe presidentin dhe njëkohësisht për të shmangur qejfmbetjet. Por  duket e qartë se në takimet e tjera, Shqipërinë duhet ta përfaqësojë një person i vetëm.
Dje formati i ndjekur nga shtetet anëtare ishte i ndryshëm, ku disa prej shteteve kishin kryeministrin si përfaqësues të delegacionit dhe disa të tjera, presidentin dhe kryeministrin. I pyetur pikërisht për këtë çështje, Kryeministri Berisha tha se shumica e vendeve përfaqësohen nga kryeministri, duke lënë të kuptohet se të njëjtin format mund të ndjekë edhe Shqipëria. “Në Shqipëri pushteti ekzekutiv është i Kryeministrit dhe për koincidencë është i nevojshëm të përfaqësojë vendin aty ku diskutohet për vendime ekzekutive. Dhe kjo është arsyeja që vij këtu. Ke mbi 4/5 kryeministra dhe një pakicë me presidentë, e cila nuk ka asnjë të keqe”, theksoi kreu i qeverisë. Megjithatë, sipas tij, “nuk ishim vetëm ne këtu President dhe Kryeministër, ishin dhe çekët, ishin dhe kroatët. Pra, absolutisht nuk është një thyerje protokolli. Për këto vende, të cilat e kanë krijuar këtë praktikë, përfaqësohen nga kryeministrat. Kjo është e vërteta, siç është edhe rasti i Italisë, i Greqisë, i Gjermanisë, e shumë të tjera. Vendet që akoma nuk e kanë konsoliduar këtë koncept vazhdojnë në këtë mënyrë, por kjo nuk është thyerje protokolli”. Në konferencën për shtyp kreu i qeverisë garantoi se zgjedhjet e 28 qershorit do të jenë sipas standardeve të kërkuara, teksa shtoi se në të gjitha takimet ka kërkuar vëzhgues për monitorimin e tyre.

“Ftova Obamën në Tiranë”
Topi: Tani na kërkohet të bëjmë zgjedhje të lira

Presidenti Topi tha dje se ajo që kërkohet tani nga Shqipëria është pikërisht zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në 28 qershor. Duke folur pak orë pas samitit, që zyrtarizoi anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, kreu i shtetit theksoi se, “jemi sot në këtë situatë që jemi anëtarë të NATO-s dhe padyshim jemi në rrugën e aderimit në Bashkimin Evropian, ajo që kërkohet të realizohet janë pikërisht zgjedhje të ndershme, të lira, transparente për të forcuar institucionet, për të mos dhënë shanse që rezultati të kontestohet. Unë jam i bindur që klasa politike është e ndërgjegjshme jo vetëm mbi bazën e predispozicionit, por edhe mbi bazën e detyrimeve, që ne sot kemi për shkak të aderimit në Aleancën e Atlantikut”. Sipas tij, partitë politike deri në këto momente kanë treguar predispozicion për zhvillimin e një procesi zgjedhor sipas standardeve të kërkuara. “Apeli i bërë si President i Republikës është që njerëzit të marrin pjesë në votime, por mbi bazën e kartës së identitetit. Koha në dispozicion nuk është shumë e gjatë. Kështu që duhet të futemi në një proces intensiv të marrjes dhe të pajisjes me karta identiteti, gjë që do u shërbejë njerëzve që votojnë jo thjesht për të votuar, por edhe për aksese të tjera dhe, nga ana tjetër të shprehin vullnetin e tyre nëpërmjet pjesëmarrjes në zgjedhje tek dhoma e fshehtë, pastaj kjo është çështje e bindjeve të qytetarëve”, vijoi më tej kreu i shtetit. Në të njëjtën kohë, Presidenti Topi u ndal edhe në takimin me Presidentin Obama. “Presidenti Obama shprehu edhe një herë kënaqësinë e veçantë për futjen e Shqipërisë me të drejta të plota në NATO. Inkurajoi për vazhdimin e reformave në Shqipëri. Kemi diskutuar edhe për mundësinë e takimeve dhe shpresoj edhe për një vizitë. Unë e kam ftuar zotin Obama. Natyrisht që axhenda e tij është shumë e ngjeshur”, theksoi kreu i shtetit.

Datat e marrëdhënieve Shqipëri-NATO

1992
Shqipëria bashkohet me Këshillin e Bashkëpunimit të Atlantikut të Veriut.
1994
Dy vjet më vonë, Shqipëria bashkohet me Partneritetin për Paqen (PfP). Tirana zyrtare ishte ndër të parat vende që firmosi këtë dokument. NATO-ja, ashtu si dhe Bashkimi Europian, pas përmbysjes së diktaturave komuniste në vendet e Europës Lindore, u ndeshën me kërkesën e këtyre të fundit për t’u anëtarësuar sa më shpejt në strukturat e tyre politike, ushtarake dhe ekonomike.
1996
Forcat shqiptare bashkohen me forcën paqeruajtëse të NATO-s në Bosnje–Hercegovinë. Në 25 korrik të atij viti, ish-ministri shqiptar i Mbrojtjes, Safet Zhulali, deklaroi se Shqipëria synonte të modernizonte mbrojtjen e saj dhe të intensifikonte marrëdhëniet me NATO-n dhe fqinjët e saj gjatë katër viteve të ardhshme.
1998
Në tetor të atij viti qeveria shqiptare vendosi të vinte në dispozicion të NATO-s hapësirat e saj ajrore dhe detare për kryerjen e veprimtarisë së tyre për zgjidhjen e krizës në Kosovë. Vendimi i atëhershëm u mor pas shqyrtimit të propozimit të Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë, për të lehtësuar operacionet ushtarake të NATO-s nëpërmjet detit dhe ajrit, në rast se kjo e fundit do të vendoste të ndërhynte për zgjidhjen e konfliktit në Kosovë në zbatim të Rezolutës nr. 1199 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën.
1999
NATO vendos një bazë logjistike në Tiranë për të mbështetur operacionet aleate në Kosovë. Në të njëjtin vit ajo nisi fushatën e bombardimeve për të ndalur represionin e ushtrisë serbe në Kosovë.
2000
Shqipëria organizon manovrat “Adventure Express” në prill dhe “Cooperative Dragon” në qershor.
2001
Shqipëria organizon fazën fillestare të manovrave të PfP-së “Adventure Express 01” në prill dhe maj.
2002
Ngrihet “NATO HQ Tirana” për të ndihmuar Shqipërinë në zbatimin e reformave të aftësive të saj ushtarake si dhe për të kontribuuar në komandën dhe kontrollin e KFOR-it. 
2003
Forcat shqiptare dislokohen në mbështetje të Forcës së Ndihmës për Sigurinë të NATO-s në Afganistan (ISAF).
2005
Shqipëria bashkohet me Konceptin e Aftësive Operacionale. Një ekip i kombinuar mjekësor i tre vendeve të MAP-it bashkohet me forcat e drejtuara nga NATO në Afganistan në gusht. Shqipëria organizon manovrat e PfP-së “Cooperative Engagement ‘05” në shtator.
2007
Shqipëria organizon takimin e Grupit Këshillimor të Politikës Euroatlantike EAPC në maj. Shqipëria organizon manovrat e PfP-së “Cooperative Longboë ‘07” dhe “Cooperative Lancer ‘07”. 
2008
Shqipëria merr zyrtarisht ftesën për t’u anëtarësuar në NATO gjatë samitit të Aleancës në Bukuresht të Rumanisë. Brenda një periudhe të shkurtër, 26 vendet anëtare të NATO-s ratifikuan në parlamentet e tyre protokollin e anëtarësimit për Shqipërinë dhe Kroacinë.
2009
Shqipëria dhe Kroacia anëtarësohen me të drejta të plota në NATO, duke e çuar numrin e anëtarëve të Aleancës në 28.

Flamuri
Për herë të parë flamuri i Shqipërisë është vendosur në të njëjtin vend me ato të 26 vendeve anëtare të NATO-s si dhe Kroacisë, e cila u anëtarësua së bashku me Shqipërinë. Një gjë e tillë u vu re edhe në sallën e madhe të konferencave për shtyp, ku në një pjesë të saj ishin vendosur të gjithë flamurët e shteteve anëtare dhe në mes të tyre ishte edhe flamuri shqiptar. Vitin e fundit Shqipëria ka marrë pjesë në mbledhjet e NATO-s, por pa të drejtë vote.

Delegacioni
Shqipëria me anëtarësimin zyrtar në NATO do të zërë edhe një vend qendror në tryezën e aleancës. Duke përfituar nga rendi alfabetik (Albania në anglisht) përfaqësuesi i delegacionit shqiptar do të jetë pranë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s dhe sipas rastit pranë përfaqësuesve të vendeve organizatore të samiteve. E njëjta vendosje ishte edhe në mbledhjen e djeshme, ku Berisha e Topi ishin fare pranë Merkel e Sarkozi.

Shqipëria ulet në tryezën e NATO

ADI SHKEMBI

Shqipëria anëtarësohet zyrtarisht në NATO, një vit pasi mori ftesën në samitin e Bukureshtit. Presidenti i SHBA-së, Barak Obama, i dorëzoi Presidentit Bamir Topi dhe homologut të tij kroat Stipe Mesiç një kopje të dokumentit të Uashingtonit, duke u bërë “de jure” anëtare e Aleancës së Atlantikut të Veriut.
Ceremonia
Dita e dytë e Samitit të NATO-s në 60-vjetorin e krijimit të saj nisi me paradën e të gjithë liderëve të vendeve anëtare para kancelares gjermane, Angela Merkel. Mes anëtarëve të Aleancës ishin edhe Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi dhe Kryeministri Sali Berisha. Por në ndryshim nga krerët e shtetit kroat (Presidenti Mesiç e Kryeministri Sanader) të cilët ishin së bashku në paradë, krerët e shtetit shqiptar ishin të ndarë, ku fillimisht kaloi Presidenti dhe më pas kreu i qeverisë. Në përfundim të paradës të 28 krerëve të shteteve dhe qeverive anëtare të NATO-s, ceremonia vazhdoi me kalimin në këmbë në urën nga Kehli i Gjermanisë në Strasburg, ku Berisha e Topi ishin së bashku në krah të të gjithë homologëve të tjerë. Në përfundim të ceremonisë, krerët e shteteve u nisën për në qytetin e Strasburgut, ku u zhvillua edhe mbledhja e Aleancës.
Samiti
Por ndryshe nga sa pritej, dita e dytë e samitit nisi me rreth 90 minuta vonesë për shkak të negociatave që po zhvilloheshin me Turqinë, e cila nuk pranonte kandidaturën e kryeministrit të Danimarkës, Rasmusen, si pasardhës të Jap de hop Sheffer. Në nisje të mbledhjes së Aleancës, Presidenti Obama ftoi Presidentin Topi e Mesiç si dhe delegacionet përkatëse të merrnin kopjen e dokumentit që zyrtarizon hyrjen e tyre në NATO. “Dua të shpreh mendimet e mia direkte për Shqipërinë dhe Kroacinë. Mirëserdhët në NATO, jemi shumë të kënaqur, kjo është e rëndësishme. Ne ju mirëpresim! Kroacia dhe Shqipëria e kanë dëshmuar me veprime mbështetjen për NATO-n, domethënë për aleancën. Ushtarët e tyre ndodhen në Afganistan dhe kjo tregon masën se ata do të vazhdojnë të jenë kontribuues për Afganistanin e për Aleancën”, u shpreh Presidenti Obama. Më pas Topi e Mesiç morën në dorë dokumentin e Uashingtonit, dhe më pas krerët e dy vendeve anëtare bënë edhe fotografinë e rastit me Presidentin Obama dhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Sheffer.
Detyrimet e Shqipërisë
Menjëherë pas mbledhjes së parë si anëtare e NATO-s, Shqipëria merr përsipër disa angazhime për sa i përket luftës në Afganistan. Kryeministri Berisha ka premtuar në mbledhjen e parë si përfaqësues i një vendi anëtar në Aleancë, rritjen e numrit të trupave shqiptare në këtë vend, duke e çuar atë në 350 ushtarë. Gjithashtu qeveria shqiptare do të angazhohet me dërgimin e 15 mjekëve dhe infermierëve në Afganistan si dhe do të kontribuojë me fonde për ndërtimin e gjashtë shkollave fillore dhe dy shkollave të mesme. Në të njëjtën kohë çdo vit Shqipëria do t’i paguajë Aleancës 724 mijë euro, si kuotë anëtarësimi si dhe buxheti për ushtrinë duhet të jetë çdo vit 2% e PBB-së.

Berisha flet shqip në samit: Tungjatjeta

Në përfundim të një fjale, e cila ka zgjatur më shumë se 2.5 minuta në mbledhjen e djeshme të Aleancës, Kryeministri Berisha ka përshëndetur në shqip të gjithë anëtarët e NATO-s. “Dua të përshëndes të gjithë shqiptarët që sot e tutje do të kenë lirinë e tyre të garantuar, do mund të ndërtojnë të ardhmen që meritojnë, në liri, dhe nuk do të ecin kurrë më të vetëm. Do ta mbyll duke ju adresuar përshëndetjen më tradicionale dhe të vjetër shqiptare TUNGJATJETA për ju dhe kombet tuaja!”, mbylli fjalën e tij kryeministri.

Detyrimet e para të Shqipërisë

    Dërgimi i një kontingjenti shtesë trupash në Afganistan, duke e çuar numrin total në 350.
    Dërgimi i 15 mjekëve dhe infermierëve në këtë zonë.
    Akordimi i fondeve për ndërtimin e 2 shkollave të mesme dhe gjashtë shkollave fillore.
    Nga buxheti i shtetit shqiptar do të dalin për çdo vit 724 mijë euro, të cilat paguhen si kuotë anëtarësimi në Aleancë.
    Për vit kjo shumë 75% do të paguhet nga shteti shqiptar brenda muajit prill, ndërsa 25% në muajin nëntor.
    Buxheti i destinuar për ushtrinë duhet të jetë 2 për qind e PBB-së

Meta: Anëtarësimi në NATO, meritë e popullit shqiptar

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, përshëndet vendimin historik të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Gjatë turit të tij elektoral në Elbasan dhe në Librazhd, kreu i LSI-së, Ilir Meta, shprehu krenarinë e tij që Shqipëria është tashmë anëtare e NATO-s. Meritën për anëtarësimin në NATO, kreu i LSI-së ia dedikoi popullit shqiptar, në një kohë që BE-ja, sipas tij, ka një mungesë besimi dhe vlerësimi për qeverinë aktuale dhe për stadin në të cilin janë reformat, pasi kërkon nga Shqipëria të aplikojë për statusin e vendit kandidat për në BE pas zgjedhjeve. Kreu i LSI-së shprehu keqardhjen që demokratët në pushtet duan të privatizojnë suksesin e popullit shqiptar për anëtarësimin në NATO, në një kohë që për katër vjet nuk kanë bërë asgjë për popullin shqiptar, por vetëm rritën papunësinë, varfërinë dhe çmimet, ndërkohë që lista e premtimeve të pambajtura të Berishës zgjatet akoma. Në turin elektoral, Meta prezantoi kandidatët për deputetë Bledi Koçin dhe Dashamir Xhikën.

“Eagle” mbështet maratonën
Kompania “Eagle Mobile” mbështet maratonën e organizuar nga Universiteti Ushtarak “Skënderbej”. Ky institucion organizoi dje në sheshin “Nënë Tereza” një maratonë me rastin e hyrjes së Shqipërisë në NATO. Maratona nisi në Sheshin “Nënë Tereza” në orën 10:00, pas një marshimi të bërë nga shtëpia e Ushtrisë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Aty merrnin pjesë rreth 600 studentë të Universitetit Ushtarak, Brigada e Reagimit të Shpejtë dhe Repartet e Regjimentit Komando. Nëndrejtori i Përgjithshëm i Kompanisë Eagle Mobile, Ozgun tha se “Kompania ndjehet krenare për mbështetjen dhe prezencën në këtë eveniment”.

NATO zgjedh Rasmusen, pakti i fshehtë bind Turqinë

BLEDAR HOTI

Aleanca veriatlantike zgjodhi dje kryetarin e saj të ri mes polemikash e debatesh kryesisht me Turqinë, e cila publikisht i vuri dy ditë më parë veton propozimit për sekretar të Përgjithshëm, kryeministrit danez, Rasmusen. Dhe duke qenë se NATO punon me konsensus, kjo kandidaturë nuk mund të miratohej dhe dje ishte shansi i fundit për të. Turqia, vendi i vetëm mysliman në NATO, ka komentuar se z. Rasmusen ishte sjellë në mënyrë të pandershme dhe ftohtë gjatë skandalit rreth karikaturave të publikuara në gazetat daneze në vitin 2005, mbi profetin Muhammed dhe nëse NATO do të kishte një lider që luftonte kundër myslimanizmit, do të ishte një simbolikë e keqe në Afganistanin mysliman. Rasmusen ka thënë gjithashtu se nuk mendon që Turqia do të bëhet ndonjëherë një anëtare e plotë në Bashkimin Evropian. Përpjekjet për të ndikuar në lidhje me vendimin e zyrtarëve turq dhe krerëve të tjerë të premten, në darkën pas takimit në Baden-Baden, Gjermani, dështuan, ashtu si edhe një telefonatë nga kryeministri italian, Silvio Berluskoni. Dita e djeshme për liderët e samitit nisi me ecjen simbolike të njëzet udhëheqësve në urën që lidh Francën me Gjermaninë. Sipas gazetës “La Republika”, ndër liderët e samitit ka mbërritur i pari Berluskoni, dhe Anxhela Merkel buzëqesh duke e pritur në qilimin e kuq për të kaluar në territorin gjerman. Por ai zbret nga makina me telefon në vesh dhe drejtohet nga bregu i lumit, duke e shpërfillur Merkelin. Bën gjeste të dëshpëruara për t’i bërë ata që e prisnin të kuptonin se telefonata do të vazhdonte. Më pas sërish, në vend që të shkojë drejt Merkelit, ai bën një hap prapa dhe vazhdon të flasë në telefon. Merkel duket e zhgënjyer, buzëqesh, i bën gjeste që tregojnë se “kjo është e zakonshme Silvio” dhe drejtohet nga liderët e tjerë. Mbërrijnë kryeministra e kryetarë shtetesh dhe të gjithë shikojnë të çuditur nga Berluskoni, ndërkohë që ai i pashqetësuar vazhdon telefonatën. Merkel, këtë herë pak e paduruar, inkurajon të tjerët të shkojnë përpara. Duket sikur thonë me njëri-tjetrin “ta lëmë aty, kur të ketë mbaruar do të vijë”. Më pas qeshin dhe vazhdojnë. Berluskoni ka shpjeguar se ai ishte në telefon me kryeministrin turk, Tayyp Erdogan duke u përpjekur ta bindte atë të pranonte kandidaturën e kryeministrit danez, Rasmusen si Sekretar të Përgjithshëm të Aleancës. Por në fakt Turqia nuk është dorëzuar menjëherë. Ajo thotë se ka vendosur pro kandidaturës së kryeministrit danez, pasi ka marrë presion të fortë nga Presidenti amerikan Barak Obama, i cili pas ceremonisë kishte folur tridhjetë minuta në telefon me presidentin turk Abdullah Gul. Dhe në fund, Turqia nuk e vendosi veton, pra: Andres Fogh Rasmusen do të jetë pasues i Jap de Hop Shefer në krye të Aleancës Atlantike. Por Berluskoni ka deklaruar se “Erdogan ma ka dhënë mua marrëveshjen mbi emërimin e Rasmusenit”, pra kryeministri italian ka bërë më në fund një gafë me qëllim të mirë. Edhe pse Berluskoni nuk e dinte, por me dyer të mbyllura, në një takim që u zhvillua për shumë orë, marrëveshja ishte bërë. Sipas diplomatëve të lartë evropianë për “New York Times”, Turqisë i janë dhënë të paktën dy pozicione në NATO, përfshirë një zëvendës tek zëvendëssekretari i përgjithshëm, i cili është italian. Turqisë i është premtuar gjithashtu se dy kapitujt e bllokuar të marrëveshjes së saj të anëtarësimit të BE-së do të zhbllokohen, dhe se z. Rasmusen do t’i adresohej publikisht shqetësimit të botës myslimane mbi karikaturat.

Trupa të reja
Evropianët ranë dakord të siguronin deri në 5.000 trupa të reja për Afganistanin. Por 3.000 prej tyre janë të përkohshëm, sa për të siguruar qetësinë gjatë zgjedhjeve të gushtit. 1.400 deri në 2.000 ushtarë do të formojnë skuadra trajnimi për ushtrinë dhe policinë afgane. Obama po rrit numrin e trupave amerikane këtë vit në rreth 68.000, nga 38.000 që janë aktualisht, gjë që do të amerikanizojë luftën. Por strategjia e re që kërkojnë evropianët do të thotë forcim i policisë dhe ushtrisë së Afganistanit, në mënyrë që ata të jetë të gatshëm të mbrojnë vetveten dhe të lejojnë perëndimin të largohet.

Obama dhe liderët e tjerë në NATO, mbështesin Kosovën
Liderët në samit kanë diskutuar edhe për Kosovën dhe situatën e Ballkanit Perëndimor. Ndërsa Presidenti Obama ka qenë i shqetësuar për impaktin që mund të ketë në rajonin tonë kriza financiare, ai ka shprehur bindjen se trupat e NATO-s do të qëndrojnë në Kosovë derisa të sigurohet qetësia e plotë. Në deklaratën përfundimtare nga samiti flitet edhe për Kosovën dhe përkushtimin ndaj Ballkanit. “Ne mbesim të përkushtuar për sigurinë rajonale dhe stabilitetin në Ballkan. Vlerësojmë punën e shkëlqyeshme të bërë nga KFOR-i për të ndihmuar në ruajtjen e një ambienti të qetë dhe të sigurt dhe për mbrojtjen e lirisë së lëvizjes në Kosovë. Përsërisim vendimin tonë që KFOR-i të mbetet në Kosovë për aq sa ka mandatin operacional dhe aq sa do të ketë nevojë”, thuhet në deklaratën e miratuar nga samiti. Në të njëjtin dokument shtohet se shefat e shteteve të NATO-s mirëpresin edhe vendosjen e misionit të EULEX-it dhe ftojnë të gjitha palët që të mundësojnë vendosjen dhe operimin e plotë të EULEX-it në tërë Kosovën. Edhe nga Serbia kërkohet që të bashkëpunojë lidhur me Kosovën.

Obama eviton Gjeorgjinë dhe Ukrainën
Presidenti amerikan Barak Obama përshëndeti dje hyrjen e Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO dhe shtoi se pret anëtarësimin e Maqedonisë, pasi dera do të mbetet e hapur për vende të tjera. Por ai evitoi të specifikonte emrin e Gjeorgjisë dhe Ukrainës, këmbëngulja e fortë e të cilave për të hyrë nga aq larg në NATO ka nxitur ftohjen e marrëdhënieve të Rusisë me Shtetet e Bashkuara. Në takimin e fundit të NATO-s vitin e kaluar në Bukuresht, Rumani, Presidenti Xhorxh Bush nxiti fort anëtarësimin e Gjeorgjisë dhe Ukrainës, por nuk u mbështet nga liderët evropianë. Pak muaj më vonë ushtria ruse pushtoi rajonet separatiste të Gjeorgjisë, Osetinë e Jugut dhe Abkhazinë, një lëvizje që analistët e huaj e komentuan si një vdekje të kobshme të anëtarësimit të Gjeorgjisë në NATO. Administrata Obama, ndryshe nga ajo Bush, ka deklaruar se anëtarësimi i Gjeorgjisë dhe Ukrainës në NATO nuk është një nga çështjet kryesore të saj.

Protesta
Protestat kundër NATO-s u bënë më agresive dhe të dhunshme gjatë së shtunës, me mijëra policë që po përpiqeshin të parandalonin demonstruesit nga ana gjermane e lumit për t’iu bashkuar palës akoma më agresive nga ana franceze e tij. Policët gjermanë ndodheshin në urë duke u përballur me të dy palët e demonstruesve, për t’i ndaluar ata të kalonin “Pont de l’Europe”. Policia ka hedhur dhjetëra bombola me gazlotsjellës kundrejt mijëra demonstruesve për të mos lejuar që ata të ecnin përpara. Ata hodhën gurë në hotelin “Ibis”, duke tentuar të hynin me gjithë një barrikadë metali të policisë.

Ylli i takimit
Në udhëtimin e tij të parë si president, përtej oqeanit, Presidenti amerikan Barak Obama është konsideruar si ylli i takimit të NATO-s, me liderët e të gjithë vendeve pjesëmarrëse  që shtyheshin për të pasur pak kohë në dispozicion vetëm me të dhe për të pasur mundësinë të dilnin në foto vetëm me të. Mediat lokale në edicionet e lajmeve e kanë vlerësuar presidentin për mënyrën e tij të komunikimit, që ishte e drejtpërdrejtë dhe e vërtetë. Presidenti francez Nikolas Sarkozi dhe kancelaria gjermane Anxhela Merkel, mikpritësit e takimit, e kanë vlerësuar z. Obama.

Siguri “e çmendur”, banorët “luftë” për të kaluar barrikadat   

Jashtë takimit masat e sigurisë kanë qenë kaq të forta sa Strasburgu, një qytet i këndshëm me rrugë me kthesa dhe një katedrale të vjetër, pothuajse është boshatisur nga jeta e zakonshme. Me rrathë të sigurisë të vendosur për të mbajtur larg protestuesit nga qendra e qytetit si dhe nga zona e takimit, banorët duhet të përdornin lloj-lloj mënyrash për të mundur të kalonin barrikadat e policisë për të shkruar madje në shtëpitë e tyre. Sipas gazetës kryesore në vend, DNA, Strasburgu ishte kthyer “një qytet ngjyrë blu” i populluar nga policia. Gazeta u ka kërkuar falje lexuesve të saj për shkak se vetë kamioni i saj i shpërndarjes ishte vonuar nga barrikadat e policisë dhe autokolonat pa fund. Dyqanet dhe restorantet, të paktën ato që kishin mbetur hapur, ishin pothuajse bosh duke sjellë shumë ankesa nga pronarët.

Topalli: U realizua ëndrra e studentëve të dhjetorit

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka deklaruar se “anëtarësimi në NATO është realizimi i ëndrrës së studentëve dhjetorit 1990”. E pyetur nëse kjo është ngjarje më e madhe se rrëzimi i komunizmit, kryeparlamentarja deklaroi se “këto dy ngjarje kanë shkuar paralelisht”. “Është rrëzimi i komunizmit dhe më pas integrimi dhe anëtarësimi në NATO. Mendoj se është realizimi i asaj ëndrre që studentët e vitit 1990 e kërkuan në protestat e tyre për rrëzimin e diktaturës”, deklaroi Topalli. Kryeparlamentarja thekson se “pas anëtarësimit në NATO përgjegjësitë dhe angazhimet do të jenë të mëdha, por kjo nuk arrihet pa një lidership të fortë politik”. Sipas saj, Shqipëria është e angazhuar për të vazhduar me procesin e reformave dhe për realizimin e zgjedhjeve të lira sipas standardeve të kërkuara. Kryetarja e Kuvendit ka deklaruar se anëtarësimi në këtë samit erdhi si rezultat i reformave të ndërmarra nga ana e qeverisë së djathtë, duke realizuar ëndrrën e shqiptarëve për liri dhe demokraci. Hyrja në NATO është cilësuar nga maxhoranca si ngjarje më historike për Shqipërinë që pas shpalljes së pavarësisë.

Anëtaret e NATO-s

    Belgjika
    Luksemburgu
    Holanda
    Norvegjia
    Danimarka
    Portugalia
    Franca
    Kanadaja
    Islanda
    Italia
    Britania e Madhe
    SHBA
    Greqia
    Turqia
    Gjermania
    Spanja
    Republika Çeke
    Polonia
    Hungaria
    Lituania
    Bullgaria
    Estonia
    Rumania
    Sllovakia
    Sllovenia
    Letonia
    Shqipëria
    Kroacia

Oketa: Trupat tona në misione të vështira

Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, tha dje në përfundim të Samitit të NATO-s se anëtarësimi në Aleancë do të thellojë reformat në vend dhe jo vetëm në fushën ushtarake. “Reforma ushtarake është asistuar dhe mbështetur nga vende anëtare të NATO-s, luftaraket shqiptare e kanë testuar veten e tyre në misione shumë të vështira dhe i kanë dhënë dinjitet”, u shpreh Oketa. Ai theksoi se maxhoranca ka vullnetin për realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Megjithatë, sipas tij, duhet që të gjithë aktorët në zgjedhje të angazhosh për një proces zgjedhor sipas standardeve. “Testi i radhës do të jenë zgjedhjet dhe unë jam optimist se do t’i kalojmë me sukses dhe do t’i japim fund debatit. Qeveria ka vullnet të realizohen zgjedhje të lira, por janë disa aktorë, dy-tre parti të mëdha që garojnë, ndaj dhe duhet vullneti i të gjithëve që zgjedhjet të dalin të ndershme”, deklaroi ministri Oketa. Ministri theksoi se “Kjo arritje i kalon kufijtë e sodisfacionit personal, pasi mban mbi peshë sakrificën e 17 vjetëve, me ministrin Zhulali, Majko e Mediu, të cilët të gjithë kanë dhënë kontributin e tyre”, tha Oketa.

Leskaj: PS përcaktuese për anëtarësimin
Kryetarja e Grupit Parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj në një prononcim dhënë për “Top Channel” deklaroi se “anëtarësimi i Shqipërisë në NATO erdhi edhe falë opozitës së re që ofruan socialistët pro reformave”. “Ishte Kryetari i PS-së, Edi Rama, që i kërkoi Sheferit me anë të letrës së tij për të anëtarësuar në NATO”. “Kryetari i PS-së, Edi Rama bëri edhe një letër drejtuar Kryeministrit Berisha, për realizimin e reformave me një paketë prej 5 pikash, por u refuzua fillimisht, për të vijuar më pas me reformat në sistemin e drejtësisë dhe asaj zgjedhore. Kontributi i saj ishte opozita e re që ndikoi në anëtarësimin në NATO. Roli i opozitës ka qenë përcaktues në procesin e anëtarësimit në NATO. Festa mbaroi dhe duhet të marrim përsipër përgjegjësitë që na takojnë”, deklaroi Leskaj. Kryetarja e Grupit të PS-së, Leskaj e pranishme në këtë samit u shpreh se Shqipëria ka votuar pro kandidaturës së Kryeministrit Rasmusen në postin e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s. Sipas Leskajt, tashmë ka sfidën e radhës atë të zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, sipas standardeve ndërkombëtare, për të treguar se është një vend i denjë për të qenë anëtar i NATO-s.

“Misioni vazhdon me zgjedhjet”

BLEDAR HOTI

Për dy ditë më radhë kryeqyteti shqiptar do të jetë në një ditë feste. Jehona e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO nuk i ka bashkuar PS-në dhe PD-në në këtë ditë historike, duke bërë që për dy ditë me radhë shqiptarët të festojnë të ndarë sipas bindjeve politike. Koncerti i organizuar nga bashkia e Tiranës që drejtohet nga kryesocialistit Edi Rama, ishte në moton “Një vend, një popull, një endërr”. Ndërsa sot qeveria, do të organizojë koncertin “Shqipëria në NATO”. Në koncertin që zhvillohej dje në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, mijëra e mijëra qytetarë ishin të pranishëm në shesh për të festuar këtë ngjarje madhore në historinë shqiptare. Grupe të ndryshme muzikore shqiptare kanë kënduar përgjatë 5 orëve. Disa ekrane të mëdha te vendosura në Pallatin e Kulturës bënë të mundur që qytetarët ta ndiqnin “live” samitin e NATO-s në ditën e dytë të tij. Kryetari i Bashkisë, Edi Rama ka ndërhyrë në koncertin e djeshëm për të përshëndetur anëtarësimin në NATO. Kryesocialisti në fjalën e tij, ka deklaruar se anëtarësimi në NATO duhej të ishte realizuar më parë, e për këtë ia ka hedhur fajin politikës. “Rruga e bërë deri këtu në këto 18 vjet është një histori përpjekjesh të mundimshme të popullit shqiptar, për ta rikthyer botën e tij në vend dhe për të rigjetur botën e tij në botë. Dhe nëse politika do të kishte qenë në aspiratat e këtij populli, s’ka asnjë dyshim se kjo rrugë do të kishte qenë shumë më e shkurtër. Asnjë popull tjetër nga ato që dolën prej ngricës komuniste nuk ka qenë dhe nuk është kaq i bashkuar sa ne në bindjen se atdheu ynë e ka vendin në NATO, në BE, në familjet e demokracive të vërteta”, tha Edi Rama. Sipas tij, “Shqipëria hyri në NATO falë qytetarëve të saj, që në përfundimin e kësaj dite historike meritojnë të festojnë në këtë bulevard diktatura e shekullit të kaluar organizoi parakalime kundër NATO-s”. Lideri i PS-së ndërkohë vënë rëndësinë e madhe të zgjedhjet e ardhshme parlamentare. “Të gjitha këto vlera nuk mund të kuptohen pa zgjedhje absolutisht të lira e të ndershme. Shqipëria në NATO nuk mund të kuptohet pa të drejtën e secilit për të votuar. Ne qytetarët e Shqipërisë dhe anëtarët e NATO-s nuk mund të kuptohemi pa e garantuar njëherë e mirë dhe për të gjithë në këtë vend këtë të drejtë themelore. E cila as mund të blihet, as mund të shitet”, deklaroi Rama.

Ndalim qarkullimi
Në ditën e djeshme, që nga ora 12:00 ishte bllokuar qarkullimi i makinave në qendrën e kryeqytetit. Policia njoftoi se për ditën e sotme do të ndalohet plotësisht qarkullimi dhe parkimi i automjeteve në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”; Sheshin “Skënderbej”  dhe Sheshin “Nënë Tereza” në oraret: 17:30- 22:00.

Koncerti
Qeveria do të organizojë një koncert të madh festiv, i cili nis që nga ora 19:00 dhe deri në 22:00. Në këtë koncert pritet të flasë Kryeministri dhe më pas pritet të nisë koncerti i parashikuar. Në të pritet të marrin pjesë këngëtarët Redon Makashi, Aleksandër Gjoka, Jonida Maliqi, Grupi kosovar “Kthjellohu”, grupi Elita 5 si dhe grupi UB 40.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›