E Hënë, 2 Nëntor 2026

Antikorrupsioni, 1200 telefonata në Prokurori

15/12/2004  Qytetarët shqiptarë po mësohen me një mënyrë të re për të denoncuar korrupsionin dhe shkeljet e punonjësve apo zyrtarëve të administratës. Më shumë se 1200 telefonata kanë mbërritur në zyrën e hapur nga Prokuroria e Përgjithshme, për denoncimet ndaj korrupsionit. Dy numra telefoni të kësaj zyre, janë në pritje të qytetarëve për të denoncuar fenomenet korruptive dhe shkeljet me të cilat ata përballen gjatë përditshmërisë së tyre.

Telefonatat

Burime zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme, thanë dje se prej vendosjes së numrave të telefonit dhe publikimit të tyre për qytetarët, në zyrën antikorrupsion janë kryer më shumë se 1200 telefonata. Në këto kontakte me punonjësit e zyrës, qytetarët kanë denoncuar mitmarrje, korrupsion shtetëror, parregullsi në tendera, shkelje të ligjit në hipoteka. Në funksion të rrijtes së luftës kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit, Kryeprokurori Sollaku në muajt e parë të këtij viti urdhëroi ngritjen e zyrës së komunikimit me qytetarët.

Zyra

Kjo zyrë ka komunikim të drejtpërdrejtë me Kabinetin e Prokurorit të Përgjithshëm. Ajo ruan anonimatin dhe merr në mbrojtje të gjithë bashkëpunëtorët e saj, në denoncimin dhe zbulimin e rasteve të korrupsionit nga pushtetarët, zyrtarët apo punonjësit e tjerë të administratës. Sipas organit të akuzës, 54 dosje penale janë filluar dhe po hetohen, bazuar në kallëzimet që janë bërë në dy numrat e telefonit të zyrës. Një pjesë e këtyre dosjeve janë ndaj disa gjyqtarëve dhe prokurorëve të larguar nga detyra për mitmarrje, ndërsa dosjet e tjera kanë të bëjnë me zyrtarë që kanë kryer abuzime me detyrën, duke shkelur ligjin në tenderimet publike dhe në procedurat e hipotekimit të objekteve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›