E Hënë, 2 Nëntor 2026

Meta: Në 2005 nuk do jemi si në Dushk

15/12/2004  Lëvizja Socialiste për Integrim ka shprehur besimin dje se rezultatet e Dushkut nuk do të jenë baza e zhvillimeve në zgjedhjet parlamentare, pasi në vitin 2005 kjo forcë pretendon të jetë fituese. "As kemi bërë dhe as do të bëjmë aleanca me PS-në dhe PD-në", me këto tone kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, u është përgjigjur akuzave të shumëpërsëritura ditët e fundit nga selia socialiste për bashkëpunim të LSI-së me PD-në në zgjedhjet e Dushkut. Sipas Metës, zgjedhjet e 12 dhjetorit në Dushk nuk janë test i vërtetë për partinë e tij dhe për zgjedhjet e ardhshme. Meta ka përforcuar faktin se forca e tij zë mbi 30 për qind të elektoratit në shkallë vendi. Ndësa lidhur me procesin e 12 dhjetorit në komunën e Dushkut, Meta tha se "rezultati i Dushkut është tërësisht i deformuar nga pesha dhe dhuna që ka ushtruar një shtet i tërë mbi tre mijë e ca banorë". Dhe pse nuk kanë kaluar më shumë se katër muaj nga krijimi i partisë, kreu i saj shpreh bindjen se "në zgjedhet e ardhshme parlamentare LSI-ja do të jetë forca kryesore në vend dhe nuk do të ketë nevojën e një aleance me PS-në apo PD-në". Në lidhje me debatin më të fundit, për votimin e buxhetit të shtetit, Meta tha se kjo nuk ka të bëjë me bashkimin ose jo të votave me opozitën, por ka të bëjë me atë çfarë propozohet në buxhet. Sipas tij, miratimi i projektbuxhetit të shtetit për vitin 2005 në parlament për LSI-në do të jetë në varësi të qëndrimit që do të mbahet për "pagat e pedagogve, të arsimtarëve, për pagat e punonjësve të shëndetësisë, nga zbatimi i kërkesës së ish-ushtarakëve, nga rritja e pensioneve dhe nga angazhimi për ritjen e të ardhurave të përgjithshme".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›