E Hënë, 2 Nëntor 2026

PD: Brenda javës përzgjidhen kandidaturat

15/12/2004  Brenda kësaj jave, në Kryesinë e PD-së do të diskutohen emrat e kandidatëve, që do të konkurrojnë për kryetar të degës së Tiranës. Burime në PD shprehen për "Metropol" se janë 8 emra të përzgjedhura nga strukturat e bazës. Këta, pasi të kalojnë në kryesinë e degës, do t'i dorëzohen kryetarit të demokratëve, Sali Berisha, që do t´i shtrojë për diskutim në Kryesinë e PD-së. Shumica e të propozuarve janë deputetë dhe me funksione të rëndësishme në PD. Bamir Topi, Spartak Ngjela, Besnik Mustafaj, Omer Stringa, Bujar Nishani, Aleksandër Biberaj, Sokol Olldashi dhe Fatos Beja, janë kandidaturat që do të përballen në aktivin e Tiranës, i cili pritet të mbahet brenda dhjetorit, nga ku do të përcaktohet dhe kandidati që do t'i zerë vendin kryetarit aktual, Vili Minarolli. Këtij të fundit i mbaron mandadati i dytë si kryetar i kësaj dege dhe, në bazë të statutit, nuk gëzon më të drejtën e konkurrimit.

Ngjela

Zgjedhjet për kreun e PD-së cilësohen si ndër më të rëndësishmet për vetë peshën elektorale që mban kryeqyteti, qofshin këto zgjedhje të përgjithshme apo lokale. Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë Demokratike, Spartak Ngjela, që është dhe një ndër favoritët kryesorë për postin e kryetarit të PD-së shprehet se posti i kryetarit të Tiranës nuk mund t'i lihet në dorë organizmave të vogla në bazë, por kërkon vendimmarrjen e partisë. "Kreu i degës së Tiranës është një post shumë i lartë politik, i cili, sipas statutit, del nga Kryesia e partisë që nuk është mbledhur ende", tha Ngjela. Më tej, ai shton se kjo është një çështje politike, për të cilën diskutohet dhe nuk konkurrohet. Pra, për gjithçka është kryesia ajo që vendos. Duke shmangur komentet për emrat konkretë që do të diskutohen në përzgjedhje. "Nuk është koha për të dhënë preferencat e mia për ndonjë emër konkret, pasi çështja është në proces e sipër", përfundoi Ngjela prononcimin e tij.

Kryesia

Gjithsesi, pavarësisht se interesimi i kandidatëve dhe i strukturave në bazën e PD-së për të mësuar emrin e kryetarit të ri të degës nuk është i pakët, duket se do të jetë fundi i javës, ai që do t'i japë një formë më të plotë këtij procesi. Përzgjedhja e kandidaturave kryesore pritet të shoqërohet me debate në Kryesinë e partisë, e cila në fund do t'ia përcjellë për votim aktivit të Tiranës, që pritet të mblidhet brenda dhjetorit. Konkurrimi do të bëhet dhe më i ashpër po të kemi parasysh se kreu i degës së Tiranës do të jetë qendra e zhvillimeve në zgjedhjet parlamentare 2005. Ndërsa pritet që vetëm pas një jave të nisë diskutimi në Kryesinë qendrore të PD-së.

Kanditatët për Tiranën

Bamir Topi Nënkryetar i PD-së

Spartak Ngjela Sekretar për Marrëdhëniet me Publikun

Besnik Musfaj Sekretar për Marrëdhënit Ndërkombëtare

Omer Stringa Anëtar i Këshillit Kombëtar

Bujar Nishani Sekretar i Përgjithshëm PD-së Tiranë

Aleksandër Biberaj Sekretar për Marrëdhëniet me Publikun dega Tiranë

Sokol Olldashi Kryetar i FRPD

Fatos Beja Sekretar për Burimet Njerëzore

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›