E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mediu ankesë tek ambasadorja e Francës në Tiranë per pronat

15/12/2004  Ambasadorja e Francës në Tiranë ka zhvilluar dje mbasdite një takim pune me kryetarin e Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ku janë diskutuar zhvillimet më të fundit në vend. Gjatë diskutimeve, Mediu ka ngritur shqetësimin për mangësitë në projektligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave pronarëve të ligjshëm, i miratuar më 30 korrik. Sipas kryerepublikanit, drafti nuk është në plotësim të të drejtave të njeriut dhe se ai nuk mund të zbatohet, pasi kompensimi me vlerë monetare është shumë i lartë. Kompensimi monetar nuk është i arritshëm, pasi buxheti i parashikuar për këtë ligj nuk i mbulon nevojat e ish-pronarëve. Mediu ka theksuar se rishikimi i projektligjit është i domosdoshëm, pasi vetëm me kthimin e pronës tek i zoti do të kemi zbatim të të drejtave të njeriut. Nga ana tjetër, Mediu ka vënë theksin në rritjen e monopoleve në Shqipëri, të cilat po bëhen pengesë në zhvillimin e ekonomisë së vendit. Sipas tij, monopolet janë mbështetur prej qeveritarëve aktualë. Pikë tjetër e diskutimit mes Mediut dhe ambasadores franceze ka qenë dhe reforma elektorale. Në këtë pikë është theksuar rëndësia e klauzolave për financimin e partive në fushata elektorale. Bashkëbiseduesit kanë rënë dakord se gjatë fushatave elektorale duhet më shumë kontroll mbi partitë politike, pasi financimet mund të jenë të dyshimta. Ndërsa është theksuar se duhet përcaktuar më qartë se sa duhet të shpenzojë prej financimeve të shtetit një forcë politike e madhe në krahasim me një parti të vogël. Gjithsesi, Mediu ka theksuar se diskutimi i kësaj çështjeje në Komisionin Bipartizan do të jetë e një rëndësie të madhe.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›