Kanadezi nuk tërhiqet përballë rrëmbyesve për 30 mijë euro
15/12/2004 TIRANË – Pluton Diko, "prangosi" për herë të dytë rrëmbyesit e tij. Në seancën e sigurimit të provës, i dëmtuari Pluton Diko, ka rrëfyer edhe një herë skemën e rrëmbimit nga tre të pandehurit, Ardian Alvora, Arbër Duda dhe Petrit Hoxha. Ky i fundit nuk ishte në seancë, pasi hetohet në mungesë. Ndërsa dy të pandehurit e tjerë, ku më kryesori është Ardian Alvora, janë përballur me "peshkun" e tyre. I dëmtuari Diko nuk ka ndryshuar asgjë nga kallëzimi që ka bërë më parë në polici. Madje, ai ka thënë se nuk është dakord me pretendimet e Ardian Alvorës, që paratë e kërkuara ia kishte borxh. "Unë nuk i kam borxh asnjë njeriu. Madje, gjithë kohën kam punuar në emigrim për të mbledhur para e jo për të marrë borxh nga të tjerët. Nuk është e vërtetë që unë i kam patur para borxh Ardian Alvorës, por ata më rrëmbyen për të më grabitur". Ky është deklarimi që bëri para gjykatës në seancën e sigurimit të provës te Krimet e Rënda, Pluton Diko, i rrëmbyer në qytetin e Durrësit, pak kohë më parë. Tashmë është deklaruar se rrëmbyesi i shtetasit shqiptaro–kanadez, Pluton Diko është Ardian Alvora, ndërsa dy të pandehurit e tjerë e kanë ndihmuar atë në kryerjen e veprimeve. Të pandehurit kanë përfituar edhe lehtësira nga i dëmtuari. Pluton Diko është shprehur se, rrëmbyesit nuk e kanë keqtrajtuar, por e kanë mbajtur nën kujdestari deri në momentin e dorëzimit të parave. Megjithatë asnjë nga të pandehurit e akuzuar për rrëmbim personi dhe gjobëvënie, nuk e ka pranuar akuzën. Ata janë shprehur se, Diko ishte duke gënjyer gjykatën, me qëllim që të mos shlyente borxhin prej 30 mijë eurosh. Përfaqësuesi i akuzës e konsideroi këtë një gjobëvënie të pastër. Por vetë i pandehuri ka kundërshtuar. Alvora është shprehur se me Dikon kishte kohë që njihej dhe se që prej një viti e gjysmë i lutej që t'i kthente borxhin. I pandehuri tha dje para Gjykatës së Krimeve të Rënda, se nuk e mori peng Dikon për t'i vënë gjobë, por qe i detyruar të kryente këtë veprim. Vetë Alvora u dorëzua në polici në datën 1 dhjetor. Në datën 4 të këtij muaji, u mor masa e sigurimit personal dhe dje u bë sigurimi i provës.