Ngjela: Dushku nuk ishte test për zgjedhjet parlamentare
15/12/2004 Sekretari për Marrëdhëniet Publike në Partinë Demokratike, ka thënë dje se zgjedhjet e zhvilluara në Dushk, të Lushnjës, nuk mund të konsiderohen test për zgjedhjet e përgjithshme të 2005-së. Sipas demokratëve, Dushku historikisht ka qenë zonë e majtë dhe si i tillë nuk ka meritur ndonjë interes të madh në zgjedhjet për këshilltar komune. "Nuk i dhamë ndonjë rëndësi të veçantë, ajo është zonë e majtë. Por, ne kemi fituar tre komuna, një në Delvinë dhe një në Sarandë, që i kemi fituar pas zgjedhjeve, asnjëherë nuk ka ardhur media të pyesë. Sapo fitojnë këta një komunë, bëhet një zallamahi e madhe. Ne nuk e pamë të arsyeshme të impenjoheshim tërësisht në këto zgjedhje, rezultati është disi më i dobët se ai që kemi pasur, por ne nuk bëmë fushatë", tha Ngjela. Gjithsesi, PD-ja është e vendosur që në zgjedhjet e ardhshme të arrijë të marrë maxhorancën në parlament, dhe deklaron se nuk do të lejojë manipulime të zgjedhjeve. "Ne nuk do ta lejojmë manipulimin. madje do ta ndëshkojmë tepër rëndë po të ndodhë", u shpreh Ngjela. Për sa i përket deklaratave mes PS dhe LSI-së, të cilat akuzojnë njëra-tjetrën për bashkëpunim me PD-në, demokratët janë të mendimit se ato janë akuza mes rivalëve për t'i marrë njëra-tjetrës elektoratin. duke e pozicionuar njëri-tjetrin me kundërshtarin. "Ne nuk do të rrimë t'u përgjigjemi akuzave të tyre", tha Ngjela.