E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha, më 26 dhjetor feston në Korçë

15/12/2004  Më datë 26 dhjetor, lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, do të nisë që nga Korça turin e tij të parë të fushatës zgjedhore, të quajtur "Ditët e Shpresës", ndërsa pas qytetit të serenetave radha do të jetë e Pogradecit dhe më pas në dhjetëditëshin e parë të janarit Berisha do të festojë me demokratët e Vlorës. Lideri demokrat do të shfrytëzojë për lëvizjet e tij datat e krijimit të PD-ve në rrethe, për të shpalosur programin e Partisë Demokratike, por dhe për të dhënë kontributin e tij në përzgjedhjen e figurave që do të kandidojnë në zgjedhjet e ardhshme të qershorit 2005. Jo më kot si qytet të parë për fazën e fushatës Berisha ka zgjedhur Korçën. Fitorja që i dha bashkëpunimi me Shoqërinë Civile, Partisë Demokratike në këtë qytet, ka bërë që lideri i saj të kërkojë sërish nga Shoqëria Civile kontribut në përzgjedhjen e figurave për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Udhëtimi nëpër rrethe i kryetarit të PD-së duket se nuk do të ndryshojë karakterin festiv, që u shfaq në 14 vjetorin e themelimit të PD-së në Tiranë. Madje, edhe pas 22 marsit, kohë në të cilën PD-ja përfundon fazën e parë të fushatës për të dalë në përzgjedhjen e emrave konkretë, nga strukturat organizative të PD-së është menduar që fushata të jetë e alternuar mes fjalimeve elektorale dhe ambientit festiv, ashtu si dhe në udhëtimin "Ditët e Shpresës". Qëllimi, sipas burimeve në PD, është shfaqja e imazhit ndryshe të kësaj partie. Udhëtimi i kreut demokrat, Berisha, do të përfundojë më datë 22 mars në sheshin "Skënderbej", në Tiranë, ku do të organizohet dhe mitingu përmbyllës i "Ditëve të Shpresës" për të vazhduar më pas me përgatitjen e kandidaturave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›