Antikorrupsioni: Janë pushuar nga puna 6 zyrtarët e pronave
Burime pranë Departamentit të Kontrollit të Brendshëm Administrativ dhe Antikorrupsionit në Këshillin e Ministrave bënë dje të ditur se janë hetuar zyrtarët e AKKP-së për pronën në Komunën Synej në Kavajë, si dhe janë marrë masat paraprake. Sipas këtij departamenti, ndaj 6 zyrtarëve të AKKP-së janë marrë masa disiplinore, pushim nga puna, si dhe çështjen e tyre e ka marrë në dorë Prokuroria për hetime të mëtejshme. Departamenti ka bërë të ditur se ka hetuar gjerësisht ligjshmërinë e këtij vendimi të pronës së Komunën Synej, të marrë nga Zyra Rajonale e AKKP-së në Tiranë. Burimet shprehen se departamenti ka konstatuar shkelje të rënda procedurale në dhënien e vendimit, si dhe elementë të veprës penale të falsifikimit, ka rekomanduar shpalljen e pavlefshmërisë së vendimit dhe ia ka kaluar Policisë Kriminale, bashkë me dokumentacionin plotësues për hetime të mëtejshme. Dosja e plotë ka kaluar në organin e Prokurorisë, e cila ka nisur tashmë hetimet për këtë vendim, pronë të dhënë në Komunën Synej.