Lulëzimi i Minarollit
Një shtegtim larg kinematografisë tradicionale, klasike e filmave artistikë shqiptarë. Ky është vendimi i regjisorit Artan Minarolli. Duke vënë eksperiencën profesionale dhe përvojën pararojë, ai i ngre pyetjet e njëpasnjëshme vetes drejt së panjohurës. “Më duhet të kuptoj se çfarë po kërkoj të bëj konkretisht? Apo kush është filmi im në të vërtetë?” Janë pikëpyetjet që regjisori dhe drejtori i Arkivit Qendror Shtetëror i Filmit (AQSHF), Artan Minarolli na thotë se ka ardhur koha që të mos mbesin thjesht një retorikë e momentit. Për këtë, na duhet ta evidentojmë më saktë tek dy premierat e tij të fundit. “Kronikë provinciale” me skenar të Ylljet Aliçkaj dhe producente Loreta Mokini, është njëri prej filmave artistik, i cili në fillim të muajit shkurt pritet të promovohet në kinematë shqiptare. Për të goditur sa më mirë tek audienca e gjerë, ai ka përzgjedhur disa prej emrave më të njohur të kinematografisë shqiptare, Ndriçim Xhepa, Guliem Radoja, Robert Ndrenika etj., si shigjetën kryesore për të thithur suksesin, ashtu siç na shpjegon ai, në kërkim të një aksesi universal. E ndërkohë që “Gjaku” e ka titulluar filmin tjetër, i cili vjen jo vetëm si regji e tij, por në të njëjtën kohë edhe me skenar dhe produksion të vetë Minarollit, ku në një intervistë për “standard” ai i trajton më imtësisht, si më poshtë
Suela Furriku
Keni kohë që po përgatisni dy filma artistikë, në çfarë faze është puna juaj deri më tani?
Këtë vit kam planifikuar që të kem dy premiera të dy filmave të mi të fundit. Njëri prej tyre është parashikuar që ta këtë premierën në fillim të shkurtit. Është fjala për filmin “Kronikë provinciale” me skenar të Ylljet Aliçkaj dhe producente Loreta Mokini. Ka kaluar një farë kohe që ky film është xhiruar, por për shkak të disa vështirësive financiare është vonuar pak, kështu qëlloi që premiera e tij të vijë pothuajse në të njëjtën kohë me filmin tjetër. Gjatë kësaj periudhe po përgatitem së bashku me producenten që ta sjellim këtë premierë, e cila i përket zhanrit të komedisë. Në të marrin pjesë aktorët më të njohur si Ndriçim Xhepa, Robert Ndrenika, Vangjel Toçe, Aleko Prodani, Guliem Radoja, Fadil Hasa, si dhe shumë aktorë të tjerë shumë të mirë. Mendoj se do të ketë një farë suksesi, duke u nisur edhe nga vetë subjekti i këtij filmi, i përgatitur siç e theksova nga Aliçkaj. Pas kësaj premiere, do të filloj të përgatitem për premierën e filmit “Gjallë”, të cilin sapo e kam përfunduar. Gjatë këtyre ditëve unë jam në pritje të finalizimit të gjithë punës në laborator, dhe që kopja e saj të më vijë sa më shpejt, sepse këto produksione janë filma kinemaje, ku secili prej tyre është nga 35 milimetra dhe sigurisht që duhej treguar një vëmendje e veçantë kundrejt tyre.
Ndërkohë që gradualisht po përgatitem që të bëj edhe një skenar tjetër për një film të ri. Aktualisht gjendem në një fazë kërkimi, për të shkruar diçka tjetër, por në të njëjtën kohë është edhe pak e vështirë. E them këtë, sepse pas një farë periudhe dhe eksperience në këtë drejtim vjen një moment ku i ngre një lloj pyetje vetvetes. Më duhet të kuptoj se çfarë po kërkoj të bëj konkretisht? Kush është filmi im?
Ndërkohë jam në dilemë të disa prej varianteve, e gjithashtu edhe në një fazë kërkimi jo vetëm të historisë, sepse në qofte se unë apo çdo regjisor do të mbështetet vetëm në shfaqjen e një historie, shumë shpejt do të kalojë në një subjekt banal. Por ideja ime qëndron në grumbullimin dhe më tej në shfaqjen e të gjitha eksperiencave estetike dhe të bësh paralelisht edhe filozofinë e kohës në të. Pra, vjen një moment, në një moshë të caktuar kur njeriu kërkon të transmetojë diçka më tepër dhe jo thjesht të tregojë diçka specifike. Dua të dal nga kinematografia tradicionale e ajo klasike.
Çfarë trajtojnë konkretisht këta filma?
Premiera e parë, “Kronikë provinciale” ka të bëjë me një ngjarje në një provincë shqiptare, ku një djalë i ri, i cili ishte piktor, kthehet nga Franca në shtëpinë e tij. Menjëherë pasi rehabilitohet, ai kërkon që të ushtrojë profesionin e tij, për të cilin ai kishte studiuar jashtë shtetit, por përballet me shumë probleme ku në film gjithçka trajtohet në një formë shumë qesharake. Në të njëjtën kohë ai njihet me një vajzë, të cilën e dashuron e ndërkohë që pengesat e mësipërme e detyrojnë këtë çift që të largohet nga Shqipëria, drejt një shteti tjetër. Në mënyrë të përmbledhur, kjo është fabula që trajtohet në këtë film, ku dy rolet protagoniste u janë besuar aktores së njohur kosovare, Arta Debroshi, ndërsa piktorin e interpreton Tedi Pavrami.
Çfarë iu intrigoi më së shumti nga kjo histori, për ta trajtuar më tej në një film artistik?
Kjo është një histori province që në një gjuhë tjetër mund ta përshtatja me termin “smoll society”, pra trajtimi i një shoqërie të vogël, për të treguar një shoqëri të madhe. Është tamam si një maket (para se të bëhet një ndërtesë e madhe, fillimisht ndërtohet maketi për ta kuptuar më mirë), që edhe në këto lloj filmash kur tregohet një shoqëri e vogël në një provincë, është një maket shoqëror, ku nëpërmjet tij tregohet fenomeni i një shoqërie globale. Kështu ky universalitet gjendet brenda këtij filmi, dhe kjo për mua është më interesante. Sepse ngjarjet dhe dialogët që përçohen aty, në pamje të parë mund të tingëllojnë pak qesharakë, por në të vërtetë ato janë problemet e të gjithë njerëzimit sot. Në këtë pikëpamje, ky lloj filmi është i veçantë, pasi flet për një jetë normale, në një provincë që në fakt thotë shumë gjëra më tepër. Tregohet përpjekja e një shoqërie të caktuar për të arritur një status të veçantë dhe për t’u njohur nga bota, pa reshtur asnjëherë vetëm që të quhemi dhe të njihemi si një vend evropian. Këto subjektesh rezonojnë, këto interpretime të japin mundësinë që ta ndjesh edhe ti, apo dikush tjetër ta ndjejë vërtet veten protagonist në atë film, pa pasur rëndësi nëse është një film i gjinisë komike apo tragjike.
Cilët janë elementët estetikë që keni përçuar gjatë dy premierave, duke u nisur nga pikëpamja juaj regjisoriale?
Të dyja këto produksione filmike i janë nënshtruar një faze kërkimi nga ana ime. Kjo iniciativë ka të bëjë me qëllimin për të kapur disa standarde, të cilat ekzistojnë sot në filmin ndërkombëtar. Është fjala për të konkurruar denjësisht jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë vendit, për t’u paraqitur dhe për të bërë një prezantim sa më të mirë dhe të arrirë në sytë e të huajve. Në qoftë se filmat tanë shkojnë jashtë, rrjedhimisht do të ndjej edhe përgjegjësinë e madhe si autori i këtij filmi, por automatikisht unë nëpërmjet tyre do të përfaqësoj edhe Shqipërinë. Kështu, në këtë mënyrë detyrimisht do të ndjej jo vetëm që përgjegjësia është e lartë, por edhe interesi që të paraqitemi dhe të konkurrojmë sa më mirë. Ndërkohë që kjo paraqitje ka të bëjë me disa nivele të caktuara si estetike, filozofike, por edhe sa i përket anës stilistikore. Jemi të gjithë të vetëdijshëm që Perëndimi në ditët e sotme po ecën me hapa shumë të shpejtë në këto drejtime, e dimë që konkurrenca është shumë e madhe. Në botë sot njihen shumë autorë të arrirë, kinemaja e kërkimit është çdo ditë në zhvillim e sipër, autorët kërkojnë rrugë të ndryshme për t’i shprehur artistikisht problemet e tyre të vendeve prej nga vijnë, kështu që këtë detyrë e ndjej edhe unë, dhe kjo peshë e madhe më rëndon edhe mua. Prandaj, kjo është një punë në vazhdimësi, një punë në kërkim që asnjëherë nuk rresht. Në çdo film, autori gjithnjë kërkon një apo disa detaje më tepër duke u bazuar në eksperiencat dhe pjekuria personale, sepse vitet kalojnë, mendimet ndryshojnë, bashkë me situatën të cilën ai përjeton. Para disa kohësh, diçka çfarëdo qoftë ajo, na dukej shumë e re, apo shumë interesante, sot, ose pas pak kohësh nuk përbën të njëjtin interes, ndonjë veçanti, ose ndonjë objekt filmi.
Nëse marrim një shembull konkret, shumë elementë të vitit të trazirave të 1997-s në atë kohë na dukeshin shumë interesante për t’u trajtuar në një produksion filmik, ndërkohë që në ditët e sotme jam shumë i sigurt se nuk përbëjnë po të njëjtin interes si më parë, për të mos thënë të kundërtën, që të trajtohet brenda një minutazhi të caktuar të një filmi.
Të flasim pak më konkretisht, për ju çfarë përbën interes për t’u trajtuar në një produksion filmik?
Për mua interesante është të trajtoj diçka që është universale, e përgjithshme. E rëndësishme është të përfshijë atë që i qëndron kohës, ajo që ka të bëjë me të gjithë njerëzimin dhe jo vetëm për të trajtuar një komunitet ose një ngjarje të veçantë. Ose në këtë rast mund të gjejë terren, por që të përfaqësojë edhe të tjerët. Vetëm në këtë rast është i qëndrueshëm. Në rast se ne marrim si shembull autorët e mëdhenj, si për shembull filmin “Roku dhe vëllezërit e tij”, një realizim i famshëm italian. Aty janë të trajtuara në masë problemet familjare, të cilat në vetvete janë histori të zakonshme, por në të vërtetë i përkasin të gjithë njerëzimit. Madje, mund të themi që ndodhitë e trajtuara në këtë film edhe sot e kësaj dite ndodhin gjerësisht. Pra, me pak fjalë, rezonanca e një ngjarje që prek filmin apo një objektiv është shumë e gjerë, si dhe i kuptueshëm nga të gjithë. Kjo është vështirësia kryesore, sepse nganjëherë nuk është edhe aq e thjeshtë që të zgjedhësh mes një morie të caktuar ngjarjesh dhe anëve të veçanta që vëren gjatë ditës, në krahasim me atë moment që përbën një objekt për t’u trajtuar. Pikërisht këtu gjendet edhe syri i kineastit, apo i artistit, ku ai përpiqet se çfarë mund të veçojë me qëllim që ta shndërrojë në të përgjithshme.
Më lart keni përmendur emra të mëdhenj të kinematografisë shqiptare, të cilët janë protagonistët e filmit tuaj, a mendoni që suksesin e produksionit kinematografik ta matni me “peshën” e këtyre aktorëve?
Po, patjetër. Është e domosdoshme, sepse jeta e një filmi fillon kur shikohet nga spektatori, si një qarkullim përmes audiencës së gjerë. Komunikimi i audiencës me filmin ka të bëjë fillimisht me emrat që do të luajnë, shikuesi është shumë sensibël kundrejt tyre, sidomos ndaj atyre që i do dhe përfshihen tek të preferuarit. Kjo ka të bëjë shumë me ftesën që u bëhet njerëzve për ta parë atë film, sepse duke qenë protagonistë njerëz të njohur publiku, është shumë i ndjeshëm dhe pa e vrarë shumë mendjen, rend për ta parë. Pikërisht gjatë këtij momenti duhet ftuar audienca për ta parë më tej se çfarë filmi është.
Po të rinjve, sa hapësirë u keni rezervuar në këto dy filma?
Në fakt, deri tani kemi folur shumë për filmin që së shpejti do të ketë premierën, por tek “Gjallë”, tek tjetra premierë, mund të them se rreth 80 për qind e aktorëve janë të rinj, ashtu siç ishte edhe tek filmi “Nata pa hënë”. Roli kryesor është interpretuar nga Nik Xhelilaj, ndërsa emra të tjerë mund të përmend Luli Bitri, apo edhe studentë të Akademisë së Arteve. Kjo ka ardhur jo pa qëllim, sepse edhe vetë subjekti i filmit vërtitet rreth jetës së një studenti, i cili ishte në “gjak”, por shumë vonë e mëson këtë fakt. Një tjetër protagonist pothuajse kryesor është edhe Besard Kallaku, që luan rolin e Gjinit në spektaklin “Portokalli”, treshja e famshme e grupit të po të njëjtit spektakël, “The SHBLSH”. Edhe pse janë të rinj, janë personazhe shumë interesantë, por edhe unë kam punuar shumë me ta për t’u dhënë sa më shumë mundësi që të depërtojnë në botën e filmit, me besimin si virtyti primar.
Si vjen ky film, duke u nisur nga identiteti i krijuar tek audienca tek disa prej personazheve që sapo na përmendët, në një film që trajton një nga plagët më të rënda të shoqërisë shqiptare, siç është ajo e “gjakmarrjes”?
Aktorët në këtë rast janë shumë seriozë, por situatat janë shumë komike dhe nganjëherë ato shoqërohen edhe me fenomene paradoksale, me kokë poshtë, ndërsa personazhet nga ana tjetër janë shumë të natyrshëm. Në disa raste ka edhe “humor të zi”, por loja është shumë realiste, duke na bërë të ditur që filmi është tragjik, pasi personazhi protagonist në fund vdes. Skenarin dhe produksionin e këtij filmi e kam krijuar vetë dhe më ka marrë më shumë se tre vjet.
A jeni mbështetur në histori reale, apo...?
Po, jam mbështetur në historinë e një studenti që ka koncentratin e kësaj historie, por më pas ngjarjen unë e kam plotësuar vetë me elementë të tjerë, duke qenë se është një film artistik dhe jo dokumentar, që duhet t’i qëndrosh patjetër besnik subjektit real.
Në realitetin shqiptar mund të gjesh pa fund ngjarje të tilla, që tregohen me një fund tragjik, çfarë ju tërhoqi më shumë nga kjo histori?
Më tërhoqi më tepër fati i keq i këtij djali. Ai është një njeri i pafajshëm, që vuan një tragjedi të skajshme, kërkon të studiojë dhe nuk mundet dhe të paktën deri më sot, shoqëria jonë nuk ka mundur t’i gjejë një zgjidhje këtyre lloj problemeve.
A mendoni se nëpërmjet këtij filmi do të kryeni edhe një funksion sensibilizues?
Arti bën punën e tij. Arti bashkë me filmin është pak i ngadalshëm dhe vjen si një kurë e mirë e për të shëndoshur mentalitete dhe botëkuptimet e njerëzve, por kjo është një punë e ngadalshme. Kjo, për arsye se arti dhe kultura nuk është këshillimore dhe thjesht prek ndjenjat e njerëzve me anë të emocionet ku deri në një farë pike edhe i bashkon ato, ose më saktë mund të bëjë një thirrje ndërgjegjësuese. Për mua arti dhe kultura i kanë civilizuar njerëzit “e ardhur” në ditët e sotme.