E Diel, 1 Nëntor 2026

Antikorrupsioni dhe konflikti i interesit

Para disa ditësh, USAID, përmes ambasadorit amerikan në Shqipëri, publikoi në mënyrë analitike shkallën e korrupsionit që ka vendi ynë (13% më shumë se viti 2007) dhe masat që duhet të marrë qeveria shqiptare për eliminimin e saj. Kryeministri i Shqipërisë, z.Sali Berisha, në prononcimin e tij pranoi se ka korrupsion, por këmbënguli se prioritet ka pasur shkatërrimi i monopoleve. Duke u ndalur në këtë problem, mund të thuhet se korrupsioni është në shifra alarmante. Lufta kundër korrupsionit zhvillohet pa politika dhe strategji, e për rrjedhojë monopolet zhvillohen në forma të drejtpërdrejta dhe të tërthorta.

Pak kohë më parë kam folur për sigurinë në rrugë dhe pasojat që sjell privatizimi i kontrollit teknik të automjeteve, për ruajtjen e monopolit të këtij kontrolli për interesa të ngushta të klaneve qeveritare. Në përgjithësi, në Ministrinë e Transportit dhe Punëve Publike mungojnë politikat e zhvillimit dhe, në veçanti, në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor. Amendimet e neneve të Kodit Rrugor nuk u bënë për përmirësimin e gjendjes në transport apo shërbimet e tij, por për ruajtjen e monopoleve që po krijojnë.

Do të ndalem në disa çështje, që nëse merren parasysh do të përmirësojnë ndjeshëm standardet e shërbimeve të transportit rrugor.

-Në këto ndërmarrje, aktiviteti dhe veprimtaria e shërbimeve janë në mënyrë flagrante me konflikt interesash. Për shembull qytetarët që duan të pajisen me certifikatën e Transportit të Mallrave të Rrezikshëm (ADR) trajnohen në Durrës nga dy punonjës dhe po nga ato merren në provim. Provimin e merr vetëm ai që "sillet mirë" apo që ka mik. Specialistët nuk e kanë tagrin dhe formimin profesional për të kryer trajnim, për rrjedhojë, ata që marrin këtë certifikatë nuk marrin asnjë njohuri;

-Në kontrollin teknik punojnë njerëz pa asnjë formim dhe pa arsimin përkatës. Thuajse të gjithë punonjësit janë të pacertifikuar;

-Komisionet që marrin në test qytetarët për leje-drejtimi (teori plus praktikë) janë të pacertifikuar ose certifikojnë njëri-tjetrin. Po ashtu, edhe punonjësit që regjistrojnë automjetet janë të pacertifikuar. Inspektorati i Policisë Rrugore ka sekuestruar me qindra automjete dhe, për ironi të fatit, nuk mban asnjë përgjegjësi lidhur me regjistrimin ose jo të tyre;

-Është shkelur ligji për licencimin e autoshkollave, ku tashmë ka rreth 100 të tilla në Tiranë, nga 70 që duhet të ketë (ato jepen për frymë popullsie), si dhe mjaft prej tyre nuk plotësojnë kushtet për të vazhduar aktivitetin;

-Mungon transparenca e përgatitjes së testeve të teorisë dhe, për rrjedhojë është krijuar konfuzion dhe konflikt midis autoshkollave e DPSHTRR-së;

-Mungon sistemi i kontrollit dhe si rezultat, shumë shkelje kapen nga Policia e Shtetit apo organi i akuzës (arrestimi i shumë punonjësve e vërteton këtë);

-Është shkelur Vendimi i Këshillit të Ministrave, nr. 316, datë 23.06.2000, pika "k", sipas së cilit, ka punonjës të larguar nga ajo ndërmarrje, të cilët kanë përdorur informacionin konfidencial të marrë gjatë kryerjes së kësaj detyre, për përfitime personale. Ata njerëz kanë botuar libra, kanë autoshkolla dhe janë në këshillin drejtues të asaj ndërmarrjeje. Pra, kemi të bëjmë dhe me shkeljen e nenit 12, atë të shpërdorimit të postit. Ka punonjës që punojnë aty dhe kanë autoshkollë.

A mund të zgjidhen këto probleme dhe si mund të përsosen standardet e shërbimit, si evitohet korrupsioni, si hiqen radhët e gjata?

Ekzistojnë shumë praktika në vendet e përparuara, por edhe këtu në institucionet shqiptare simotra. Krijimi dhe licencimi i agjencive të shërbimeve të transportit rrugor do të ishte shumë efikas. Shembulli më i mirë janë ato agjenci private që funksionojnë aktualisht në dogana. Ato evitojnë pritjet e stërzgjatura të qytetarëve për një patentë ndërkombëtare ose shërbime të tjera, si regjistrimin, pagesa e taksës, kontrolle fizike etj.

Ka ardhur koha që punonjësit, në përputhje me ligjin (Kodin Rrugor) të mos trajnohen nga punonjësit e DPSHTRR-së, por nga Qendrat e Formimit Profesional, të licencuar nga Ministria e Punës. Kështu, këto qendra trajnojnë dhe certifikojnë specialistët e kontrollit teknik e fizik, të regjistrimit të automjeteve, të ADR-së, instruktorëve në autoshkollat e teorisë dhe praktikës etj. Në këtë mënyrë hiqet një pjesë e monopolit të paligjshëm që mban shteti, nuk ka më konflikt interesash, forcohet besimi dhe mbështetja e publikut ndaj atyre, rriten dhe përsosen standardet e shërbimeve dhe përafrohen me ato të Bashkimit Evropian. Këto ndryshime prodhojnë politika punësimi, por ajo që është e rëndësishme, ruhet thelbi i atij monopoli të domosdoshëm që duhet të mbajë vetë shteti.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›