E Diel, 1 Nëntor 2026

Ushtari me pagesë: Mora gjakun e dajës

Ushtari me pagesë i Brigadës së Reagimit të Shpejtë në Zall Herr ekzekutoi 46-vjeçarin nga Shijaku, 5 vjet pas vrasjes së Jaho Smoqit. Ekzekutori ka qenë mes të shoqëruarve të parë të policisë pas ngjarjes. Nazmi Rramilli, 24 vjeç, nga fshati Hardhishtë i Komunës Gjepalaj është arrestuar në orët e para të ditës së djeshme për vrasje me paramendim. Rramilli, ushtari me pagesë i Zall Herrit, ka pohuar krimin, duke treguar se vrasja e Smoqit në fundin e nëntorit të vitit 2003 kërkonte shpagim. Megjithatë, ai ka pranuar se është penduar për krimin e bërë, menjëherë pas tij.

Ndërkaq, në qytetin e Shijakut, situata ka qenë e rënduar dhe vrasja e Begës, babait të tre fëmijëve, fare pranë banesës së tij, ka qenë tema kryesore e bisedave. Hak pa marrë dhe gjak pa larë nuk mbetet. Thënia e njohur shqiptare është përmendur shpesh dje gjatë diskutimeve të shijakasve dhe durrsakëve, ende të tronditur nga ngjarja. Është komentuar gjatë fundi i Begës, si dhe jeta e tij para këtij momenti. Nuk është lënë jashtë vëmendjes as angazhimi i viktimës në fushatat elektorale të demokratëve, duke kujtuar shprehjen e famshme: "Të gjithë për … Olldashin". Vrasja makabre e biznesmenit Jaho Smoqi në Xhafzotaj, gjatë natës së vonë të 29 nëntorit 2003, ndërsa ishte në gjumë bashkë me të shoqen, ka qenë një nga krimet më makabre të atyre viteve që ende mbahet mend në Durrës. Dalja e emrit të viktimës, si një prej kriminelëve të asaj nate të vonë, orientoi agjentët e antikrimit të Shijakut dhe Durrësit drejt ndërhyrjeve të shpejta dhe energjike. Mes të shoqëruarve të parë për ngjarjen e mbrëmjes të së premtes, policia kishte futur në ambientet e saj edhe njeriun që ekzekutoi Hysen Begën, rreth orës 19:00 në lagjen "Erzen" të Shijakut. Drejtues të Policisë së Shijakut thanë për gazetën se suksesi i zbardhjes së ngjarjes dhe gjetjes së autorit u bazua në përcaktimin e shpejtë të pistave të hetimit. Kjo bëri që të identifikohej, kapej e arrestohej brenda një harku të shkurtër kohor nga çasti i vrasjes i dyshuari si autor. Zëdhënësja e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës bëri të ditur arrestimin e shtetasit Nazmi Rramilli, vitlindja 1984, lindur e banues në fshatin Hardhishtë të Komunës Gjepalaj, Durrës, me arsim të mesëm, i padënuar më parë, me detyrë ushtar me pagesë në Brigadën e Reagimit të Shpejtë me qendër në Zall Herr të Tiranës. Veprimet e para hetimore të dokumentuara zbardhën identitetin e Rramillit, si të dyshuar kryesor për vrasjen e Begës në Shijak me armë zjarri, automatik model 56, për motive gjakmarrjeje. Nga deklarimet e tij në polici rezulton se 24-vjeçari ishte i bindur se viktima ishte përfshirë në vrasjen e djalit të hallës së babait të tij, të cilin e thërriste dajë, në vitin 2003. Për këtë vrasje të shëmtuar është dënuar me burgim dhe vuan dënimin shtetasi Fatos Balla, ndërsa një tjetër person u arrestua dhe u la i lirë për mungesë provash. Në vrasjen e Smoqit, e shoqja kishte arritur të identifikonte, ndonëse të maskuar, të vëllain, viktima e një dite më parë. Pohimet e mëpasshme e shmangën deklarimin e emrit të tij, ndoshta për hir të lidhjes së fortë të gjakut të Hysen Begës me gruan e viktimës, në vitin 2003.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›