Atentati në Shkodër, hetime në Tropojë
Policia e Shkodrës nuk ka arritur ende në një përfundim në lidhje me autorin dhe motivet e ekzekutimit të 47-vjeçarit Esat Valbona. Mësohet se hetimet janë shtrirë edhe në Tropojë, në vendin ku ka lindur dhe ka jetuar për një kohë të gjatë viktima e atentatit të së enjtes. Valbona është qëlluar me një plumb në zemër të enjten në mbrëmje dhe mendohet se për të kryer këtë vrasje është përdorur snajper. Menjëherë pas ngjarjes, Policia e Shkodrës ngriti një grup pune të veçantë. Nga veprimet e para hetimore dhe informacionet e marra në rrugë operative për policin u krijua bindja se autori ishte identifikuar dhe policia është vënë në ndjekje. Por në orët e vona të natës gjithçka u desh të nisej nga e para, pasi dyshimet nuk rezultuan të sakta. Deri në të aguar, Policia e Shkodrës ka ngritur postblloqe të lëvizshme dhe ka kryer kontrolle në vende ku mendohej se mund të merrej informacion për ngjarjen. Më pas nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit është nisur drejt Shkodrës një grup pune që i është bashkuar grupit hetimor të Policisë së Shkodrës. Burime nga policia bëjnë të ditur se ende nuk ka një pistë të saktë hetimi. Janë ngritur disa pista, kur ndër më kryesoret është ajo e hakmarrjes, pasi mendohet që viktima të ketë pasur kontradikta të hershme jo në Shkodër, por në vendin e tij të lindjes, në Tropojë. Për këtë, Policia e Shkodrës ka nisur bashkëpunimin me Policinë Tropojës. Një tjetër pistë që po heton policia është ajo e ndonjë konflikti të ditëve të fundit që viktima mund të ketë pasur me ndonjë person në qytetin e Shkodrës.