E Diel, 1 Nëntor 2026

Shteti “fut hundët” në punët e shqiptarëve, pajtohen 20 mijë sherre

Policia e Shtetit ka futur hundët në punët e shqiptarëve, por për mirë. 20 mijë sherre mes familjeve shqiptare apo brenda tyre janë zgjidhur me ndërmjetësimin e punonjësve të policisë. Shifra u tha dje nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj, gjatë konferencës për policimin në komunitet. Ndërkohë zyrtarë të policisë njoftuan se konfliktet e zgjidhura përfshinë kryesisht grindjet për pronën, ato mes çifteve dhe sherre të tjera që mund të precipitonin në dhunë më të skajshme. Ndërhyrja e policisë ka qenë, sipas zyrtarëve të saj, vendimtare në zgjidhjen e këtyre rasteve. Në këto konflikte të zgjidhura që nisin nga sherret banale midis individëve, ato për motive të dobëta, sherret e çastit, ato të pronësisë e për të vazhduar edhe në konfliktet brenda familjes, të cilat janë menaxhuar më së miri nga ana e seksioneve të parandalimit të krimit dhe policimit në komunitet. Një rezultat i tillë, sipas drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, është pjesë e filozofisë së policimit në komunitet.
“Ky model ka në thelb të tij parandalimin e krimit, veprimtari të orientuara nga planifikimi strategjik dhe mënyrën e të punuarit të orientuar nga informacioni. Me rëndësi në zbatimin rigoroz të këtij modeli është partneriteti me njësitë e qeverisjes vendore, institucionet e tjera shtetërore, aktorë dhe grupe të tjera të interesit, OJF dhe komunitetin”, - tha Burgaj.
Sipas drejtorit të Përgjithshëm, Burgaj, policimi në komunitet përfshin komunitetin në mënyrë aktive për të zvogëluar, parandaluar dhe zbuluar krimet. Kjo nënkupton partneritetin mes policisë dhe komunitetit, në mënyrë që policia vazhdimisht t’u ofrojë qytetarëve shërbime cilësore. Ajo gjithashtu ndihmon policinë në identifikimin dhe zgjidhjen e problemeve që përbëjnë shqetësim për qytetarët. “Besimi tek Policia e Shtetit rritet, kur komuniteti shikon tek ajo përkushtim dhe përgjegjshmëri, komunikim dhe bashkëpunim, zbatim të ligjit, profesionalizëm, paanshmëri, seriozitet dhe transparencë në trajtimin e problemeve, por dhe bashkëpunim konkret për aktivitete të forcimit të besimit reciprok”, - u shpreh ai gjatë fjalës së mbajtur ditën e djeshme në konferencë.
“Nga strukturat e Policisë së Shtetit po punohet në vazhdimësi për kalimin nga mënyra reaktive (goditëse) e policimit tek ajo proaktive (parandaluese), duke ndërmarrë veprime konkrete para se të kryhen veprat penale, me qëllim parandalimin e tyre”, – shtoi ai.
Nga seksionet e parandalimit të krimit dhe policimit në komunitet, të strukturave të policisë vendore gjatë vitit 2009 janë kryer 10.775 shërbime për mbështetjen e institucioneve të ndryshme shtetërore dhe personave fizikë në fushën e zbatimit të ligjit, janë identifikuar dhe asgjësuar 125.195 rrënjë bimë narkotike kanabis sativa, si dhe janë trajtuar 740 raste të dhunës në familje për urdhër mbrojtjeje. Gjithashtu, një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe trajnimin të efektivave të Patrullës së Përgjithshme. Edhe bashkëpunimi i komunitetit për të raportuar për ngjarjet e ndryshme është rritur gjatë vitit 2009 me 11% më shumë sesa një vit më parë.
Sipas Burgajt, vërehet një bashkëpunim më i madh edhe me pushtetin vendor, me qëllim identifikimin dhe zgjidhjen e problemeve që mund të ketë. Në thelb të këtij modeli, i cili aplikohet në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian është një bashkëpunim më i madh me përfaqësues të komunitetit, institucione arsimore e takime me OJF të ndryshme.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›