E Diel, 1 Nëntor 2026

Antikorrupsioni prangosen 9 zyrtare te ministrise se Ekonomise

Skuadra e antikrimit financiar dhe antikorrupsionit në drejtorinë e policisë së Tiranës kanë prangosur 9 zyrtarë të Drejtorisë së Metrologjisë dhe Kalibrimit, pranë Ministrisë së Ekonomisë në Tiranë.

Mes të arrestuarve janë zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Metrologjisë, Roland Çelmeta; drejtori Rajonal për Tiranën, Moisi Musabelliu, si dhe 7 inspektorë me detyrën e kontrollorit.

Sipas burimeve, të arrestuarit akuzohen se në bashkëpunim kanë marrë rryshfete në këmbim të procesverbaleve fiktivë për cilësinë e hidrokarbureve, apo për peshëmatjen e karburanteve dhe floririt.

Operacioni i nisur në mesditë vijonte në orët e pasdites me kontrolle dhe sekuestrime të dokumentacioneve, shkresave dhe kompjuterave të të arrestuarve në zyrat e tyre në Drejtorinë e Metrologjisë dhe Kalibrimit.

Numri i të shoqëruarve në polici ka qenë më i madh se urdhrat e arrestit, pasi janë marrë në pyetje persona të tjerë që mund të kenë dijeni për aferat korruptive, apo edhe biznesmenë.

Roli i biznesmenëve nuk ishte saktësuar ende nga policia në këtë hetim, nëse ata ishin me të vërtetë viktima të presioneve të të arrestuarve për t’u zhvatur rryshfet apo kanë qenë të implikuar në korrupsion aktiv.

Në orën 16:00 ishte lajmëruar një deklaratë për shtyp e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ku do të jepeshin detaje rreth operacionit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›