E Diel, 1 Nëntor 2026

Antikrimi i organizuar ka trefishuar sekuestrimin e heroines

Antikrimi i organizuar ka trefishuar sasinë e heroinës së kapur në gjysmën e parë të vitit 2012,  ka dyfishuar sasinë e marijuanës së sekuestruar ndërsa kokaina qëndron thuajse në të njëjtat nivele të vitit të kaluar. 
Specialistë të skuadrave policore të luftës ndaj drogave shprehen se rritja e sekuestrimeve ka ardhur si pasojë e dyfishimit të hetimeve proaktive në krahasim me vitin e kaluar. Si edhe me rritjen e rendimentit apo efiçencës me 70 për qind vetëm për hetimet proaktive.
Sipas statistikave të siguruara nga “ABC News” për 6-mujorin janë sekuestruar mbi 9 ton marijuanë e përpunuar dhe rreth 53 kilogramë heroinë. 
Në bazën klasifikimit si vepra penale vetëm 10 për qind e kësaj sasie rezulton e destinuar për t’u trafikuar. 
Përveç dëmeve shëndetësore që sjell tek të rinjtë dhe përdoruesit e tjerë, e konvertuar në vlerë monetare nëse kjo drogë do të mund të shitej në rrjetet e trafikantëve me çmimin e shumicës rezulton se organizatave kriminale u janë hequr mbi 5 milionë euro, një vlerë e konsiderueshme kjo që mund të investohej prej tyre për të zgjeruar aktivitetin kriminal dhe për korrupsion. 
Rritje në statistikat për gjysmën e parë të vitit 2012 kanë patur edhe numri i autorëve të identifikuar në 21.6 për qind gjithashtu është rritur edhe numri i personave të arrestuar me 10.5 për qind. 
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit janë identifikuar 585 autorë nga të cilët 405 janë arrestuar, 155 janë lënë në hetim në gjendje të lirë dhe 25 të tjerë janë shpallur në kërkim. 
Viti 2012 ka ngritur në nivele mjaft të larta bashkëpunimin me policitë e vendeve të Bashkimit Europian dhe rajonit kryesisht për trafikun e drogave të rënda. 
Për këtë periudhë janë regjistruar 36 operacione ndërkombëtare gjatë të cilëve janë arrestuar në Shqipëri 55 të dyshuar për trafik ndërkombëtar droge. 
Numri më i madh i operacioneve të përbashkëta rezulton me Italinë 31 të tilla, një me Gjermaninë, një me Austrinë, 1ënjë me Maqedoninë dhe një me Kosovën. 
Deri në 1 korrik nga strukturat e antikrimit të organizuar ishin zhvilluar 28 operacione antidrogë duke goditur 28 grupe kriminale të trafikut te shpërndarjes së lëndëve narkotike me 132 persona të proceduar penalisht. 
Operacionet kanë lokalizuar Tiranën si destinacionin kryesor të drogave të rënda. Sipas specialistëve ky fakt vjen për vet konsumin e lëndëve narkotike në kryeqytet, por edhe nga pikëpamja strategjike si kryqëzim i rrugëve tradicionale të trafikut.
Ndërsa përsa i përket kanabisit, bimës narkotike që kultivohet në vend, origjina e sasive të sekuestruar në mbi 65 për qind të rasteve është nga zonat e thella të Gjirokastrës dhe Vlorës. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›