Sarande ministri Olldashi inspekton punimet ne terminalin e anijeve

Brenda fundit të vitit 2012 Saranda do të ketë kalatën e re të anijeve turistike cruiz. Autoritetet portuale të qytetit kanë lidhur tashmë 18 kontratat e para për krocierat, që do të vizitojnë qytetin në sezonin e ardhshëm turistik. Ministri i Punëve Publike Sokol Olldashi inspektoi punimet në portin turistik të Sarandës, e cila eshte një kalatë 180 metra e gjatë dhe 9 metra e thellë, me vlerë prej 440 milionë lekë.
Ministri Olldashi pranoi se është akumuluar një vonesë dymujore në punimet e këtij objekti, për shkak të pengesave që vijnë nga sezoni turistik. Megjithatë sipas tij, kjo vonesë e shkurtër do të rikuperohet në muajt e vjeshtës, pa ndryshuar objektivin e mbylljes tërësore të punimeve brenda dhjetorit 2012.
Porti turistik i Sarandës, është investim i qeverisë shqiptare, përmes një kredie të bankës botërore, pjesë e planit të zhvillimit të bregdetit të jugut, ku parashikohet edhe ndërtimi i landfillit të Bajkajt dhe investime të tjera të rëndësishme si përmirësimi i furnizimit me ujë dhe ndërtimi i impiantit të pastrimit të ujërave të zeza.