Presidenti Nishani Shqiperia klime miqesore ndaj biznesit izraelit
Në vijim të vizitës së tij zyrtare në Tiranë, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Shtetit të Izraelit, Avigdor Liberman u prit sot në një takim nga Presidenti.
Bashkëbiseduesit vlerësuan nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit që kanë në themel prezencën e hershme të komunitetit hebre në Shqipëri dhe kontributin e popullit shqiptar në mbrojtje të këtij komuniteti gjatë periudhës së Holokaustit. Presidenti Nishani e vlerësoi hapjen e Ambasadës së Shtetit të Izraelit në Tiranë si një moment kulmor në marrëdhëniet e shkëlqyera diplomatike ndërmjet dy vendeve tona, që do të nxisë forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore ekzistuese mes dy vendeve tona.
Kreu i Shtetit mbështeti angazhimin e qeverisë shqiptare për të intensifikuar marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Izraelit edhe përsa i përket fushës ekonomike dhe investimeve. Njëkohësisht, Presidenti Nishani siguroi zotin Liberman për klimën miqësore ndaj biznesit në vendin tonë duke inkurajuar biznesin dhe investitorët izraelitë që të investojnë në Shqipëri në fusha të ndryshme të ekonomisë.
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Avigdor Liberman, duke vlerësuar marrëdhëniet mes dy vendeve shprehu mirënjohjen për ndihmën që populli shqiptar i ka dhënë popullit hebre në momentet e vështira gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore.
Po kështu, Liberman shprehu shpresën që marrëdhëniet historike mes dy vendeve dhe popujve të zhvillohen edhe në nivel ekonomik, turizëm dhe shkëmbim kulturor.
Ndërkohë kryetari i shtetit e falenderoi zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Izraelit për urimet e Presidentit Shimon Peres për marrjen e detyrës, duke i përcjellë nderimet dhe ftesën për ta mikpritur në Tiranë Presidentin Peres në vitin e 100-vjetorit të Pavarësisë.