Berisha Shqiperia kombi i vetem jobashkeautor ne Holokasut
Izraeli ka përfaqësinë e tij diplomatike në Shqipëri. Në ceremoninë e celjes së ambasadës izraelite Kryeministri Berisha dhe zëvendëskryeministri e ministri i Jashtëm izraelit Liberman vlerësuan historinë e veçantë që lidh dy kombet tona, një lidhje që forcën më të madhe e pati gjatë luftës së dytë botërore, kur Shqipëria i strehoi dhe mbrjoti popullin hebre, përkundër politikës së shfarosjes që ndoqi shumica e vendeve të Evropës.
“Pak muaj më parë vizitova muzeun e Holokaustit në Uashington. Dua t’ju rrëfej një të vërtetë intime. Ajo ditë ishte dita e dytë, në të cilën jam ndjerë më krenar në jetën time. Duke vizituar galeritë e këtij muzeu njiheshe me universin e dhimbjes së madhe, por edhe të një barbarie që filloi në vitin ’33, ndaj qytetarëve hebrenj, në vende të qytetëruara, që u tolerua, u bashkëpunua, pasi ky ishte një proces i gjerë. Tek shikoja fillimet e Holokaustit në Gjermani, më rikujtoheshin vitet e diktaturës që ne kishim përjetuar në Shqipëri. Për të gjithë ata që e njohin, diktatura, terrori ka aftësinë e tmerrshme të shndërrimit të frikës në të gjitha ndjenjat e tjera njerëzore. Kjo ndodhi fillimisht me kombin e madh gjerman e më pas me kombe të tjera, të cilët ose u treguan indiferentë, ose në një mënyrë apo tjetër favorizuan këtë barbari të pashembullt. Kjo nuk ndodhi me shqiptarët, nuk ndodhi me Shqipërinë zyrtare të viteve ’30. E kundërta është e vërtetë. Shërbimit konsullor që kishte në vende të ndryshme, mbreti shqiptar i dha porosi të mos pengonte lëvizjen e hebrenjve drejt Shqipërisë. Në atë muze, shqiptarët figuronin kombi i vetëm që jo vetëm nuk mori pjesë, nuk ka bashkautorësi në Holokaust, por bëri gjithçka, në emër të virtytit e moralit të tij, të shpëtojë jetën e qytetarëve hebrenj, nga një gjueti çnjerëzore që zhvillohej pothuajse në mbarë Europën”, vuri në dukje Kryeministri Berisha.
Nga ana e tij, ministri Liberman e cilësoi si është shumë të rëndësishme visitën e tij në Tiranë në një ditë të tillë.
“Kombet tona kanë një histori të gjatë marrëdhëniesh shumë të mira. Ne e vlerësojmë shumë atë që populli shqiptar bëri për popullin hebre gjatë luftës së dytë botërore. Kur kam qenë student në Bashkimin Sovjetik në atë kohë, nuk do ta kisha imagjinuar kurrë që një ditë do të hapja ambasadën e Izraelite në Tiranë, si ministër i Jashtëm e vendit tim. Kjo tregon se sa shumë ka ndryshuar bota dhe sa shumë mund të punojmë për popujt tanë. Kemi plot vendime për të operuar tashmë me marrëdhëniet politike dhe ekonomike, çka mund të nisë me konsultimet mes dy ministrive tona të Jashtme, për të promovuar një klimë më të mirë për bizneset dhe zhvillimin e investimeve”, u shpreh Liberman.
Kryeministri vlerësoi faktin se kombi izraelit u bë shembull i zhvillimit demokratik dhe potencialeve të mëdha të lirisë, ndonëse në një mjedis armiqësor, në të cilën antisemitizmi përdoret si doktrinë dhe atavizëm i një trashëgimie të shkuar
“Fakti që ju, zoti Lieberman, një ish-student në Bashkimin Sovjetik jeni sot, këtu, si Zëvendëskryeministër i këtij shtetit, për të hapur ambasadën e vendit tuaj në Tiranë. Kjo është mrekulli e lirisë në tërësi dhe e vendit tuaj në veçanti”, veçoi Berisha.
Berisha dhe Liberman ndanë të njëjtin mendim se mënyra më e mirë e nderimit të raportit moral, që ka bashkuar shqiptarët dhe hebrenjtë, është hapja e kësaj ambasade, e cila shihet si një hap i rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve politike dhe ekonomike.