Shqiperi-Izrael bashkepunim i vecante ne fushen ekonomike
Angazhim i përbashkët Shqipëri-Izrael për të identifikuar dhe shfrytëzuar të gjitha hapësirat për rritjen e bashkëpunimit, veçanërisht në fushën ekonomike. Një garanci të tillë i dhanë njëri-tjetrit, Kryeministri Berisha dhe zëvendëskryeministri, njëherësh Ministër i Jashtëm i Izraelit, Avigdor Liberman në takimin që zhvilluan pasditen e sotme.
Kështu gjatë bisedës me ministrin Liberman kreu i qeverisë shqiptare parashtroi disa nga fushat prioritare të zhvillimit, ku potencialet e vendit janë të jashtëzakonshme, si energjia, ku Shqipëria është e pasur me burime ujore dhe potenciale të mëdha për të zhvilluar të gjitha llojet e energjisë së rinovueshme, sektori minerar, ku gjithashtu vendi është i pasur me burimeve natyrore, turizmi, i cili gërsheton bukuritë natyrore me trashëgiminë pasur kulturore dhe sitet arkeologjike.
Kryeministri Berisha tha se ishte premtues fakti se interesi i investitorëve izraelitë për të investuar në Shqipëri po rritet, duke garantuar se projektet e tyre këtu do të jenë histori suksesi.
Në vlerësimin e shefit të qeverisë shqiptare, duke i uruar ministrit Liberman mirëseardhjen, e konsideroi këtë një vizitë historike në marrëdhëniet shumë miqësore midis dy vendeve.
Nga ana e tij, zëvendëskryeministri izraelit Liberman u shpreh se ndjehej i kënaqur që të vizitonte Shqipërinë dhe që kjo vizitë ka si qëllim hapjen e ambasadës së Izraelit në Tiranë. Hapja e ambasadës, theksoi ai, do t’i shërbejë rritjes së marrëdhënieve midis dy vendeve dhe nxitjes së rezultateve pozitive e domethënëse në bashkëpunimin dypalësh, veçanërisht në fushën ekonomike, të inkurajimit të biznesmenëve izraelitë për të investuar në Shqipëri, si dhe në promovimin e Shqipërisë si një destinacion turistik për turistët izraelitë.
Njëkohësisht, ministri Liberman i shprehu Kryeministrit, mirënjohjen e popullit dhe vendit të tij për qëndrimin që populli shqiptar mbajti ndaj popullit hebre gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Kryeministri Berisha, nga ana e tij, e konsideroi hapjen e përfaqësisë diplomatike të Izraelit në Shqipëri një ngjarje të madhe në marrëdhëniet miqësore midis dy vendeve dhe i shprehu ministrit Liberman mirënjohjen për angazhimin e fortë personal të tij, të qeverisë së Izraelit, Kryeministrit Netanyahu dhe Presidentit Shimon Peres. Hapja e ambasadës së Izraelit në Shqipëri, tha Kryeministri, është një zhvillim i madh dhe jam i sigurt se do të arrijë rezultate të mëdha në çuarjen përpara të marrëdhënieve tona të gjithanshme.
Me rëndësi u vlerësua nga të dyja palët edhe rritja e bashkëpunimit në fushën e kulturës dhe arsimi dhe rritja e kontakteve të ndërsjella në këtë drejtim.