E Diel, 1 Nëntor 2026

Antimafia, 15 dëshmitarë të penduar fitojnë mbrojtjen

09/01/2005  TIRANË -Emrat e tyre gjenden si dëshmitarë apo të penduar në dosjet më të rrezikshme që janë hetuar nga drejtësia shqiptare vitet e fundit. Pak kohë më parë janë përfshirë në listën me 15 emra, ku janë shënuar personat që kanë fituar statusin e dëshmitarit të mbrojtur nga shteti e drejtësia, në kuadër të ligjit Antimafia, i cili u miratua nga Parlamenti shqiptar, në datën 16 shtator të vitit 2004. Dosje vrasjesh, trafik droge, prostitucion, atentate dhe pengmarrje. Këto janë çështjet për të cilat dëshmitarët ose të penduarit kanë pranuar të thonë të vërtetën, në këmbim të sigurimit të jetës dhe mbrojtjes nga shteti dhe organet e drejtësisë. Hartuesit e ligjit Antimafia u kujdesën vitin e shkuar të përcaktonin një trajtim special për dëshmitarët dhe të akuzuarit që pendohen dhe dëshmitarët, ashtu sikurse vendet e tjera nga të cilat u huazua një pjesë e mirë e konceptit të ligjit Antimafia. Zbatimi i plotë i ligjit, do t'u krijonte bashkëpunëtorëve të drejtësisë mundësinë e një jete normale, edhe pas dëshmive për krimet e rënda, apo autorët e tyre.

Zbatimi

Asnjëri prej atyre personave që janë renditur si fitues në listën e hartuar nga Zyra për Mbrojtjen e Dëshmitarëve, nuk ka kryer operacion plastik, nuk ka ndryshuar vendbanimin, nuk ka tjetërsuar të dhënat e identitetit, nuk mbahet nën kujdesin e policisë dhe as ka aplikuar për azilant politik në vendet e huaja. Zyrtarët e policisë dhe të prokurorisë janë të ndërgjegjshëm se, dëshmitarët dhe të penduarit nuk mund të “shpëtojnë” thjesht nga renditja në listën prej letre, ku janë hedhur emrat e të mbrojturve nga shteti. Por, nëse Shqipëria dhe institucionet e saj e kanë një ligj ku mund të bazohen për të siguruar jetën e dëshmitarëve dhe të penduarve, kushtet materiale dhe fondet për të realizuar këtë qëllim, mungojnë. Bashkëpunëtorët e drejtësisë, për të cilët zyrtarët e policisë dhe prokurorisë janë koshientë se e kanë të rrezikuar jetën, mbrohen vetëm në sajë të kujdesit personal ose familjar. Nuk ka eskorta që u qëndrojnë nga pas, kushdo mund t'i njohë në qytet apo në rrugë e, madje, disa prej tyre, jetojnë edhe në vështirësi ekonomike dhe kushte të papërshtatshme.

Dosjet

Kanë patur kurajon të tregojnë me gisht ata që vranë Genci Sinën, shoferin e familjes së Prokurorit të Përgjithshëm. Kanë treguar kush ishte kreu i organizatës narkotrafikante, që quhet “Kompas”. Kanë dhënë informacion të plotë si trafikohej droga dhe nga kush. Prokuroria dhe policia ka marrë informacione të vyera e në kohë, për të liruar të paktën dy pengje, që mbaheshin në Tiranë në këmbim të 100 mijë eurove. Janë larguar nga familja dhe jeta normale për të jetuar me muaj brenda grupimeve dhe organizatave kriminale, për të realizuar goditjen e një bande dhe, në fund të të gjithave, janë “të mbrojtur” vetëm në letër. Zyrtarët e organeve përkatëse, disi me përtesë, pranojnë se vetëm fati ka qenë mbrojtësi i bashkëpunëtorëve të policisë dhe të prokurorisë në luftën kundër krimit të organizuar. Atyre nuk u është cënuar jeta, jo se kanë fituar strehim politik, se gëzojnë kujdesin e një dyzine policësh që i bën të paprekshëm, apo se kanë kryer një operacion plastik, pas të cilit si njeh askush. Ata janë siç ishin, kur i thanë “PO” kërkesës së drejtësisë për të dhënë ndihmën e tyre. Janë të cënuar, pasi në Gjykatat dhe në Prokurorinë shqiptare, gjenden dosjet për të cilat ata kanë dëshmuar. Dhe jo të gjithë anëtarët dhe bashkëpunëtorët e organizatave akuzohen se i kanë kryer këto krime, janë të arrestuar.

Ligji për dëshmitarët dhe bashkëpunëtorët

Sipas ligjit Antimafia, anëtarët e organizatave kriminale, të cilët do të bashkëpunojnë me drejtësinë, do të përfitojnë ulje dënimi deri në 2/3 e masës që do të japë gjykata. Të gjithë ata persona që do të pendohen dhe do të bashkëpunojnë me drejtësinë, ligji shqiptar do të përcaktojë ulje dënimi. Ligji parashikon edhe mbrojtjen e dëshmitarëve, të cilët do të përfitojnë mbrojtje nga shteti. Në këtë pikë, projektligji parashikon ruajtjen e anonimatit të tyre, sigurimin e jetës, por edhe ndryshimin e identitetit dhe pajisjen me shtetësi të huaj në rast nevoje për largim jashtë shtetit si dhe mundësimin e operacioneve plastike. Paketa ligjore do të aplikohet ndaj të gjithë personave të dyshuar si anëtarë të bandave të armatosura dhe organizatave kriminale apo të trafikut. Në ligj, thuhet se Prokurori i Përgjithshëm është i autorizuar për të zhvilluar hetime, duke angazhuar edhe policinë gjyqësore mbi mënyrën e jetesës, mjetet financiare dhe pronësinë e personave që dyshohet se janë anëtarë të organizatave kriminale. Antimafia parashikon hetime ndaj këtyre personave, edhe për aktivitetin e tyre profesional, duke përfshirë në hetim të afërmit më të ngushtë të personave të dyshuar.

Qëllimet e paketës

Paketa ligjore antimafia, e cila ka filluar të zbatohet në Shqipëri, ka si qëllim kryesor heqjen e kapitaleve financiare nga duart e grupeve kriminale. Paketa ligjore Antimafia, i jep të drejtën e ndërhyrjes, Prokurori i Përgjithshëm, i cili mund të urdhërojë sekuestrime, veçanërisht në rastet kur ka informacione se paratë ose pronat e të dyshuarve mund të tjetërsohen. Kryeprokurori ose oficerët e autorëzuar prej tij, mund të kërkojnë pranë zyrave të administratës shtetërore informacione për personat e dyshuar si pjesëtarë të organizatave kriminale. Sipas ligjit, për një periudhë 3-vjeçare, shumat e parave të derdhura në Arkën e Shtetit, para këto të grumbulluara nga sekuestrimet, do të përbëjnë një fond të veçantë, që do të përdoret për nevoja shtetërore.

Mandoi: Kur e miratuam ligjin

Françesko Mandoi, numri dy i Antimafias italiane, gjatë vizitës së tij në Tiranë, janarin e vitit 2004, tha se Italia e ka miratuar ligjin Antimafia, kur kuptoi se krimi kishte fituar shumë para e si rrjedhim edhe pushtet. “Vrasja e dy gjyqtarëve na shërbeu të kuptonim më mirë guximin dhe rrezikshmërinë e krimit”, është shprehur Mandoi, duke vlerësuar si normale gatishmërinë e drejtësisë shqiptare, për hartimin e paketës ligjore pas një tragjedie kombëtare, si ajo e 9 janarit. Gjatë kësaj vizite, Mandoi i tha Kryeministrit shqiptar, Fatos Nano, në zyrën e tij, se “Shqipëria duhet të miratojë një ligj, që ia merr pronat të pasurve për t'ua dhënë të varfërve”. Françesko Mandoi nënvizoi më tej, duke thënë se trafikantët dhe grupet kriminale shqiptare janë pasuruar dhe, kjo do të thotë se paratë e tyre i përdorin për të fituar pushtet. “E vetmja rrugë për ta ndërprerë këtë udhëtim të frikshëm, për Antimafian italiane dhe për Prokurorinë shqiptare, është ligji Antimafia”, ka theksuar zëvendësprokurori i Antimafias italiane, Françesko Mandoi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›