RENEA, “e pafajshme” për ndërhyrjen në Lazarat
09/01/2005 TIRANË –Mënyra e ndërhyrjes së repartit të forcave speciale RENEA në fshatin Lazarat, cilësohet nga Prokuroria si e rregullt dhe ligjore. Sipas statusit të RENEA-s, reparti është i autorizuar të kryej ndërhyrje në momentin kur e sheh të arsyeshme dhe të nevojshme për të realizuar kapjen apo arrestimin e personave të kërkuar nga drejtësia. Ky sqarim u dha nga drejtuesit e këtij reparti vetëm pak ditë pasi, në fshatin e Lazaratit ndodhi përplasja e armatosur, si pasojë e të cilës katër banorë lazaratas përfunduan të lënduar rëndë në spital, ndërsa një makinë e policisë u qëllua me armë zjarri. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar të marrë në pyetje efektivat e RENEA-s, që morën pjesë në aksionin e ndërhyrjes në Lazarat, por drejtuesit e këtij reparti në ministri, i deklaruan Prokurorisë se, RENEA nuk mund të jepte sqarime apo të merrej në pyetje, pasi në këtë mënyrë dekonspirohej identiteti i efektivave. Sipas rregullit të brendshëm të repartit special, çdo aksion i kryer prej tij filmohet dhe ruhet në videokasetë. Të gjithë efektivat janë të maskuar dhe përgjegjësia për gjithçka që ndodh është kolektive, askush nuk përgjigjet personalisht. Prokuroria u siguroi efektivave të RENEA-s dhe drejtuesve të këtij reparti, ruajtjen e anonimatit, por sërish efektivat e forcave speciale refuzuan të shkonin në Prokurori. Pas rishqyrtimit të provave që përmban dosja penale, hetuesit mbërritën në përfundimin se, RENEA nuk mund të fajësohet për mënyrën e ndërhyrjes në fshatin Lazarat. Efektivat e forcave speciale zhvilluan një aksion në Lazarat, me vendim të Ministrisë së Rendit Publik. Aksioni kishte si qëllim arrestimin e një të kërkuari, i cili, sipas informacioneve që zotëronte RENEA ndodhej në një lokal në qendër të fshatit. Gjatë ndërhyrjes pati shkëmbime zjarri mes policisë dhe banorëve. Katër prej tyre përfunduan të plagosur në spital, ndërsa një makinë e policisë u qëllua me armë.